Home / Lajme / Maqedoni / Maqedonia sot në 23 vjetorin e pavarësisë

Maqedonia sot në 23 vjetorin e pavarësisë

08 Shtator – Republika e Maqedonisë sot shënon 23-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran.

Ky referendum atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundështimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nëm patronat të KB-së , Shkupi dhe Athina filluan bisedimet për zgjidhjen e problemit që ka me Greqinë me emrin kushtetues të Maqedonisë, që ende vazhdon.

Maqedonia deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.

Gjatë 22 viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia kaloi në një sërë probemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza kosovare e refugjatëve dhe konflikti në vitin 2001 ishin sfida të vërteta dhe kërcënime për shtetin e ri të Maqedonisë, që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat euro-atlantike. Vitet e fundit i shënoi procesi i përshtatjes së legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, decentralizimi i pushtetit, reformat në mbrojtje të nevojshme për anëtarësim në NATO.

Edhe përkundër plotësimit të të gjitha kritereve për anëtarësim të barabartë në NATO në Samitin e Aleancës në Bukuresht në prill të vitit 2008, Republika e Maqedonisë mori vetëm ftesë të kushtëzuar për anëtarësim, pasi Greqia për shkak të kontestit për emrin e bllokoi pranimin.

Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vjet edhe rekomandim nga KE-ja për fillimin e negociatave paraqasëse me Unionin. Greqia pas shembullit me NATO-n e bllokoi edhe eurointegrimin e Maqedonisë, duke kushtëzuar me zgjidhjen paraprake të çështjes për emrin.

Ditëlindjen e 23-të të pavarësisë Maqedonia e kalon në pritje të raportit të ri nga Brukseli për përparimin e vendit në rrugën drejt eurointegrimeve si dhe datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *