Home / Lajme / Maqedoni / Në USHT i filloi punimet Seminari VIII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Në USHT i filloi punimet Seminari VIII Ndërkombëtar i Albanologjisë

25 shtator-Seminari VIII Ndërkombëtar i Albanologjisë këtë vit do t’i zhvillojë punimet në hotelin luksoz “SKARDUS”, që gjendet në Kodrën e Diellit, në shpatet me bukuri mahnitëse të Sharrit.

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sot u bë hapja e punimeve të Seminarit VIII Ndërkombëtar të Albanologjisë, me temë: “KULTURA SHQIPTARE, PJESË E PASHKËPUTSHME E KULTURËS EVROPIANE”. Seminarin VIII Ndërkombëtar të Albanologjisë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof.Dr.Vullnet Ameti, i cili para të pranishmëve tha: “Ne sot, të gjithë së bashku, profesorë e studentë, studiues të njohur, pjesëmarrës dhe mysafirë, hapim siparin e punimeve të njërit prej aktiviteteve më të njohura shkencore, mbase edhe i vetmi i këtij lloji që organizohet në vendin tonë. Universiteti ynë, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen institucionale për të gjithë studiuesit që marrin pjesë në punimet e Seminarit të këtij viti, i cili nga viti në vit po e dëshmon veten se është në rrugën e përparimit dhe avancimit shkencor. Në vitet e para të punës së Seminarit, pjesëmarrës ishin vetëm një numër i kufizuar i profesorëve nga universitetet publike shqiptare, ndërsa sot, pas 8 vitesh, marrin pjesë studiues nga institucione të vendit, rajonit dhe ato ndërkombëtare. Sesionet shkencore të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe etnokulturës, përmes temave që janë trajtuar në këto sesione, kanë arritur që të nxjerrin në pah punën serioze të kërkimit shkencor, ku është trajtuar kontributi i albanologëve në studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, marrëdhëniet e gjuhës shqipe e të letërsisë me gjuhët e tjera, janë zbuluar dokumente të reja të historisë së popullit shqiptar, si dhe është studiuar me kujdesin e nevojshëm studimor, edhe tradita dhe folklori i pasur i popullit tonë”, theksoi mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. Dr.Vullnet Ameti.
Fillimet e punimeve të Seminarit VIII Ndërkombëtar të Albanologjisë për së afërmi i ndoqi edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi. Ai vuri në dukje se, vetë karakteri rajonal i seminarit dëshmon se edhe Tetova, sikurse edhe qendrat tjera të Ballkanit, është qendër e rëndësishme ku trajtohen dhe debatohen çështjet e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. “Kam kënaqësi të veçantë që sot, këtu në Universitetin Shtetëror në Tetovë të mund ta përshëndes dhe t’i ndjek punimet e Seminarit VIII Ndërkombëtar të Albanologjisë, me temë: “Kultura shqiptare-pjesë e pashkëputshme e kulturës europiane”. Besoj se gjatë këtyre dy ditëve, sa është paraparë të zgjasë seminari, do të trajtohen dhe debatohet tema të ndryshme që ndërlidhen me historinë dhe aktualitetin kulturor shqiptar. Universitetet tona, viteve të fundit, thuajse në mënyrë të vazhdueshme organizojnë simpoziume, seminare e tribuna të tjera nga fushat e ndryshme, që tregon se edhe në këtë pjesë të Ballkanit shkenca është pjesë e vlerës së përgjithshme shoqërore. Duhet të mburremi dhe krenohemi bashkërisht që për një periudhë shumë të shkurtër Universiteti Shtetëror i Tetovës arrin që të mbajë seminare me tematika nga më të ndryshmet, që pasurojnë gjuhën shqipe, shkrimin dhe orientimin kulturor europian”, vlerësoi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.
Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, Prof. Dr.Fehari Ramadani tha se seminari do të zhvillohet në katër sesione shkencore. “Aktivitetet e Seminarit do të zgjasin dy ditë (pra: sot dhe nesër) dhe do të zhvillohen në katër sesione shkencore, temat e të cilave burojnë nga tema bosht. Sesioni i historisë dhe i etnokulturës do të organizohen gjatë ditë së sotme (25 shtator 2014), kurse sesioni i letërsisë dhe i gjuhës gjatë ditës së nesërme (26 shtator 2014). Temat e sesioneve janë: SESIONI I HISTORISË: “Trojet shqiptare në kohën e sundimit osman (fundi i shek. XVI – gjysma e parë e shek. XIX”. SESIONI I ETNOKULTURËS: “Aspekte të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, me theks të veçantë zejet”. SESIONI I LETËRSISË: “Relacionet e letërsisë shqipe me letërsinë e përbotshme” dhe SESIONI I GJUHËSISË: “Arritje dhe probleme aktuale e historike të gjuhës shqipe”, deklaroi Prof. Dr.Fehari Ramadani, Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë.
Seminari VIII Ndërkombëtar i Albanologjisë këtë vit do t’i zhvillojë punimet në hotelin luksoz “SKARDUS”, që gjendet në Kodrën e Diellit, në shpatet me bukuri mahnitëse të Sharrit.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *