Home / Lajme / Maqedoni / Reagojnë të punësuarit e gjimnazit të Tetovës: Mos luani me dinjitetin e mësimdhënësve

Reagojnë të punësuarit e gjimnazit të Tetovës: Mos luani me dinjitetin e mësimdhënësve

28 shtator-Ky veprim indinjoi të gjithë mësimdhënësit të cilët ndërmorën analizë edhe nëpër aktivet profesionale. Duke konstatuar ndikimin e faktorëve që sollën deri tek dallimi evident në mes të notës përfundimtare të nxënësve dhe notës të testit nga Qendra Shtetërore e Provimeve formuam Komision nga profesor të dalluar që të rrumbullakojmë dukurinë e këtillë.

Të punësuarit e gjimnazit të Tetovës në shenjë revolte me një shkrim të tyre, reagojnë mbi rezultatin e testimit ekstern, që ka shokuar gjithë mësimdhënësit, pasi në mesin e 200 të punësuarve në po këtë gjimnaz vetëm një mësimdhënës është shpërblyer që përbën 00.5% sukses.

Portali TetovaSot po ju sjell reagimin e plotë e mësimdhënësve të Gjimnazit të Tetovës:

Ne të punësuarit e gjimnazit të Tetovës me publikimin e rezultateve (në forma publike), u shokuam nga mos rezultati i institucionit edukativo-arsimor në të cilin punojmë. Nga rreth 200 të punësuar si mësimdhënës kemi vetëm një mësimdhënës të shpërblyer që përbën vetëm 00.5%, sukses. Çdonjëri nga ne mësimdhënësit ju qasëm analizës të një dukurie të tillë që të gjejmë faktorët që na sollën deri te ky dështim. Hulumtimet gjithëpërfshirëse, na detyruan të rishqyrtojmë veprimin tonë në aspektin pedagogjik të planifikimit programor dhe metodik. Ky veprim indinjoi të gjithë mësimdhënësit të cilët ndërmorën analizë edhe nëpër aktivet profesionale. Duke konstatuar ndikimin e faktorëve që sollën deri tek dallimi evident në mes të notës përfundimtare të nxënësve dhe notës të testit nga Qendra Shtetërore e Provimeve formuam Komision nga profesor të dalluar që të rrumbullakojmë dukurinë e këtillë.

Anëtarët e këtij Komisioni u zgjodhën në formë unanime nga kolegjiumi arsimor i thirrur nga drejtoria, në përbërje:

Mr.Ferat Nesimi, prof i artit figurativ
Mr.Ilire Dauti, prof. e menaxhmentit
Mr.Sheval Latifi prof. i filozofisë
Imer Islami, prof. i matematikës
Teuta Kamberi Llalla, prof. e gjuhës shqipe

Nga kjo përbërje prof. Imer Islami nuk i takon listët të profesorëve të dënuarve, por është i propozuar si bartës i kontrollimit të testit ekstern në kuadër të shkollës tonë.

Komisioni të formuar ju tha besimi që të bëjnë rezyme për dukurinë e shfaqur si dobësi e përgjithshme e gjimnazit të Tetovës, krahasuar me shkollat e tjera fillore dhe të mesme. Habit fakti se kemi qasje sanksionuese tek profesorët ndërsa testi nuk sanksionon me poena negative dështimin përmes principit me rrethim të detyrave të testit. Dëshirojmë të sqarojmë se sikur edhe një nga rruga ta sillnim në mbushje të testit në bazë të teorisë së probabilitetit do të merrte minimum notë kaluese.

Analiza e përgjithshme e testit

Këndvështrimi pedagogjik:

Testi si prioritet të vetin ka matjen e një spektri të njohurive të nxënësve për qëllime të shumta. Testi në formën e këtillë aplikative që është realizuar nga Qendra Shtetërore e Provimeve, përmban në vete anomali amatoreske. Testi me rrethim të përgjigjes së saktë nga 4 opsione, paraqet shkallën e parë të metodës vlerësuese, të njohurit dhe të kuptuarit, që përmbush kriterin për marrjen e notës kaluese edhe sikur përgjigjet e rrethuara të gjitha të jenë të sakta, shprehur numerikisht nxënësi do të merrte notën Mjaftueshëm (2).

Për të marrë notën Mirë (3), nxënësi përveç fazës njohëse dhe të kuptuarit duhet të kalon edhe në fazën e interpretimit dhe konkretizimit (përgjigje me plotësim) që ky test nuk e jep si mundësi. Për tu notuar me notën Shumë Mirë (4), nxënësi e ka patjetër të bënë analizë dhe sintezë. Ndërsa për tu vlerësuar Shkëlqyeshëm (5), nxënësi është i detyruar të shpreh mendim kritik, kreativ dhe inspirues. Ky lloj i testimit (me rrethim të përgjigjeve të sakta pa poena ndëshkues) nuk përmban asnjërin nga kriteret e lartpërmendura dhe kurrsesi nuk mund të jetë vlerësim valid, veçanërisht ndëshkues për mësimdhënësit, kur e dimë se qëllimi kryesor i testit është korrigjimi i programeve, metodave të punës dhe me ndërhyrjen e ndryshimeve të avancohen dhe të lartësohen nivelet arsimore në institucionet shkollore që në rastin konkret ka efektin e kundërt.

Qasja analitike:

Numri jo i barabartë i nxënësve të testuar nëpër lëndë.
Mos mbajtja e testit, në objektin e shkollës ku nxënësi ndjek mësimin.
Mos identifikimi i nxënësve dhe i testatorëve nga ana e komisionit mbikëqyrës.
Mungesa e teksteve në gjuhën shqipe.
Cilësia e dobët e përkthimit të teksteve mësimore.
Cilësia e dobët e përkthimit të testimit ekstern.
Përzierja e pyetjeve nëpër plan-programe vjetore (në shumicën e lëndëve pyetjet e vitit të dytë janë parashtruar si pyetje të vitit të parë dhe anasjelltas, si dhe parashtrimi i pyetjeve nga njësitë e parealizuara konkretisht tek vitet e katërta.
Mohimi i të drejtës së nxënësve që për së dyti herë ti nënshtrohet testit po qese ka pasur probleme shëndetësore dhe teknike.
Ankesat e nxënësve për shkaqe të caktuara objektive nuk janë marrë në konsideratë, kur e dimë se nota e këtij testi hyn dhe dëmton mesataren e nxënësve.
Mos prezenca e nxënësve është vlerësuar me notë të dobët. (nuk janë marrë parasysh arsyet e mungesës)
Rastet e problemeve teknike nuk janë konsideruar fare.

Rezyme:

Komisioni i autorizuar nga kolegjiumi arsimor i gjimnazit të Tetovës me përgjegjësi të plotë definoi disa nga argumentet më me ndikim që sollën deri tek dallimi i notës përfundimtare gjithëpërfshirëse ( permanente në notimin nxënësit sipas të gjitha normave dhe rregullave) pedagogjike shkollore. Me mangësitë e cekura testimi ekstern nuk i plotëson kriteret e notimit.

Ne të punësuarit e këtij institucioni ndihemi thellësisht të fyer për nëpërkëmbjen e identitetit të mësimdhënësve në formë publike përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Qendrës Shtetërore të Provimeve, jemi të detyruar që të bëjmë këtë reagim në formë po ashtu publike me të vetmin qëllim që të mbizotërojë e vërteta.

Ky reagim i dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

Qendrës Shtetërore të Provimeve

Komunës së Tetovës

Ministrisë Rajonale të Arsimit

Inspektoriatit të Arsimit Shtetëror dhe Komunal

Mediumeve të shkruara dhe elektronike

Për të argumentuara mangësitë e këtij lloji testimi dhe për jovaliditetin, jemi të gatshëm kudo dhe kur do ti shprehim argumentet tona edhe nëpër debatet publike.

Pasojnë nënshkrimet e Komisionit

Mr.Ferat Nesimi, prof. i artit figurativ
Mr.Ilire Dauti, prof. e menaxhmentit
Mr.Sheval Latifi prof. i filozofisë
Imer Islami, prof. i matematikës
Teuta Kamberi Llalla, prof. gjuhë shqipe

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *