Home / Lajme / Maqedoni / Armëpushimi i pafund i shqiptarëve

Armëpushimi i pafund i shqiptarëve

20 nëntor-Na duhet një rebelim intelektual dhe një aksion për tu treguar atyre se nuk janë të përhershëm në pushtet. Ne nuk jemi as monstra e as minj laboratori për eksperimente, durimi jonë dhe nacionalizimi maqedonas duhet të merr fund!

Nëse armëpushimi është dorëzim, atëherë ne jemi dorëzuar që moti! Nëse madhështia e një kombi shfaqet në momentin kur fillon të brengoset për situatën në të cilën ndodhet, atëherë ne e kemi humbur madhështinë tonë. Dua të rikthehen në vitin 2009, në një shkrim timin të botuar atëherë me titullin “Armëpushimi është dorëzim”.

Nëse atëbotë problemi qëndronte në legalizimin e USHT-së, sot kemi problem me mjetet për këtë universitet. Situata mbetet e njëjtë. Si sot edhe atëherë problem ishte mos-miratimi i ligji të dëshmorëve. Edhe në vitin 2009 kishin problem me gjuhën shqipe, fatkeqësisht kemi edhe sot. Si sot si para 5 viteve, na mungojnë investimet kapitale, paraqiten parti të reja me platforma të bukura si dhe kishim deputetë si Artan Grubi që në vend se të merret me punë e parlamentit dhe ligjet anti-sociale ai merret me parinë “Besa”.

Po e marr vetëm një citat nga ai shkrim”Nëse nesër eventualisht kemi një ligj për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe sërish problem do të jetë komunikimi mes pushtetit lokal me atë qendror dhe anasjelltas i cili është ende në gjuhën maqedone. Sërish problem do të jetë ky ligj”.

Dhe ja ku jemi, përsëritet problemi me punësimet, me përfaqësimin e drejtë, ndokund më pak e ndokund më shumë kemi të punësuar.. por askush i kënaqur. Mendoj se për fat të keq parashikimet e vitit 2009 dalin ashtu si që e kisha shkruar, dukshëm që e gjuha shqipe nuk është zyrtare, shembujt janë të gjallë dhe i kemi në çdo cep: problemi me emërtimin e shkollave të Çairit, rrugët lokale të Shkupit të Tetovës, tabelat në Strugë…e të tjerë.

Nëse në vitin 2009 kishim problem me emrin e Maqedonisë, mos anëtarësimin në NATO dhe BE, nacionalizimin maqedonas karshi Greqisë, më tregoni se çfarë ka ndryshuar sot? Edhe atëherë jepnin ultimatume për dalje nga qeveria, anëtarësimin në NATO e kishin prioritet kyç! Edhe para 5 viteve premtohej një bibliotekë dhe ujësjellës për Tetovën, hapje bulevardesh, punësime të reja, rruga Tetovë-Prizren, zona të lira dhe funksionale ekonomike, hapjen e korridorit 8 si dhe laramani premtimesh që as vet ata nuk i mbajnë më mend dhe nuk besojnë as vet se do ti realizojnë!

Dhe përsëri më duhet të them se armëpushimi është dorëzim. Ne shqiptarët e Maqedonisë jemi në armëpushim dhe jemi dorëzuar para politikës aktuale, para kësaj politike cila është duke na shikuar vetëm si makineri votuese, si pagues dënimesh që rrjedhin nga ligjet anti-njerëzore. Derisa ne shqiptarët e Maqedonisë mbetemi të dorëzuar dhe duartrokasim deklaratat e Ramës të dhënë në Beograd, u duartrokasim të tjerëve dhe heshtim para atyre që duhet.

Heshtim dhe mbyllim sytë para gjykimit të rastit Monsta, para rrahjeve të shqiptarëve në Shkup, para djegies së biznesit shqiptar, para ndotësve të ajrit, para Shkupit 2014, para librave skandalozë, para Enciklopedisë, para fyerje dhe nënçmimit të shqiptarëve nëpër stadiume, para aksioneve spektakolare, dhe arsyetojnë nacionalizmin maqedonas egërsimin e tyre para të huajve dhe shqiptarëve.

Ne kemi shpallur një armëpushim para kërkesave reale, manipulohemi dhe mashtrohemi me tema të politikës ditore e debate të kota, ndërsa problemet dhe kërkesat e vërteta të shqiptarëve i kemi lënë në hije. I kemi lënë të qetë që mos i realizojnë të gjitha ato gjëra që i thanë dhe i premtuan në çdo fushatë zgjedhore. Ne e kemi humbur rrugën në oborr si që thotë populli, shfaqja e pakënaqësisë e ka humbur kuptimin e vet dhe si duket jemi mësuar të rrimë të robëruar. Na kanë mësuar dhe trajnuar mirë se si mund të heshtemi, të pushojmë së kërkuari kërkesa dhe kërkesat e shqiptarëve janë bërë individuale. Nëse proteston apo feston do dënohesh, nëse do që të hiqet dënimi duhet ti nënshtrohesh pushtetarit dhe të mos kërkosh më të drejtën kombëtare që të takon dhe që ta mohon i njëjti. Mendoj që na duhet një lloj nacionalizmi por jo si ky tani që nuk ka të bëjë me realen, por një i tillë për të treguar se nuk jemi të dorëzuar. Na duhet një rebelim intelektual dhe një aksion për tu treguar atyre se nuk janë të përhershëm në pushtet. Ne nuk jemi as monstra e as minj laboratori për eksperimente, durimi jonë dhe nacionalizimi maqedonas duhet të merr fund!
Nga Senat Zylbehari

Gjithashtu lexo

Cilët kanë punuar më shumë për ne, udhëheqësit komunistë sllavë të Titos, 1950-1980; apo udhëheqësit demokratë shqiptarë, 1990-2017

Sulejman Mehazi Pasi jemi shumë te revoltuar me politikëbërjen e shqiptarëve, do mundohemi të japim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *