Home / Lajme / Rajon / Liderët myslimanë në Ballkan: ISIS nuk përfaqëson Islamin

Liderët myslimanë në Ballkan: ISIS nuk përfaqëson Islamin

3 nëntor-“Nuk duhet që të gjithë myslimanët të vuajnë për shkak të sulmeve të ISIL-it, Disa qarqe duan të denigrojnë islamin dhe të kërcënojnë paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën në Ballkan”, ka thënë Rexhepi.

Krerët e bashkësive fetare myslimane në vendet e Ballkanit, me rastin e sulmeve dhe dhunës gjithnjë e më masive të pjesëtarëve të organizatës terroriste ISIL në Irak dhe Siri, kanë dhënë mesazhet e tyre se ISIL nuk e përfaqëson islamin dhe myslimanët duhet të distancohen nga organizata të tilla ekstremiste dhe ato të ngjashme, shkruan Anadolu Agency.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në deklaratën e tij për AA tha se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) qëndron fuqishëm kundër pjesëmarrjes së besimtarëve mysliman në luftëra në Siri dhe Irak dhe kundër vrasjeve të kryera në emër të Zotit.

Me këtë rast ai kujtoi se Bashkësia Islame e Kosovës në mënyrë të qartë ka porositur se besimtarët mysliman nuk duhet të marrin pjesë në luftëra të huaja dhe të luftojnë në krah të ISIL-it.

“Xhamia është një vend publik. Ligjëratat e imamëve janë publike dhe shumicën prej tyre keni mundur t’i dëgjoni nëpërmjet rrjeteve të ndryshme sociale dhe në YouTube. Në këto ligjërata, në asnjë rast, asnjë hoxhë apo imam, nuk ka pasur raste ku ata publikisht kanë ftuar dikë për terrorizëm apo shkuarje në Siri apo në Irak”, thotë kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ai theksoi se ata “të cilët thërrasin në të ashtuquajturin ISIL, duhet të jenë të çmendur ose duhet të jenë injorantë dhe ata janë armiqtë e Zotit”.

Po ashtu Reis-ul-ulema i Bashkësisë Islame në Bosnje dhe Hercegovinë, Husein ef. Kavazoviq, në lidhje me dhunën që bën ISIL në Irak dhe Siri, dënoi ashpër aktet e tilla si dhe vrasjen brutale të punonjësit humanitar David Cawthorne Haines në Irak.

“Vrasja e punonjësit humanitar është akt i tmerrshëm. Sot do të lutemi për shpirtin e tij të pafajshëm, duke u solidarizuar me familjen e tij, e cila duhet, si gjithë ne, të mburret me jetën e tij të përkushtuar për mirëqenien e njeriut. U bëj thirrje të gjithë atyre që besojnë në një Zot, i cili dërgoi profetët: Musan, Isan dhe Muhammedin, lavdëria dhe shpëtimi qoftë mbi ta, të ndalojmë këtë të keqe. Tani myslimanët duhet të tregojnë se janë të vendosur në ndalimin e vrasësve”, ka thënë Kavazoviq.

Ai tha se për shkak të faktit se myslimanët në Bosnje dhe Hercegovinë edhe vetë e përjetuan vrasjen e padrejtë, kanë detyrim moral dhe fetar të shprehin ndjeshmëri të veçantë për vrasjen dhe torturimin e njerëzve të pafajshëm.

Ndërkohë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dje në një mbledhje të zhvilluar me myftinjtë e të gjithë Shqipërisë, ku merrnin pjesë, kryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj, dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni, ka diskutuar në lidhje edhe me masat që duhen marrë për parandalimin dhe keqkuptimin e termave, si p.sh. “xhihad”, apo termave të tjerë që janë keqinterpretuar nga opinion publik, duke rritur ndjenjat e islamofobisë.

Gjithashtu Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në kuadër të Këshillit Ndërfetar të vendit i ka dënuar me forcë akte kriminale të ISIL, që sipas kësaj bashkësive fetare nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimit që ata përfaqësojnë. Gjithashtu në qëndrimet e mëparshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë i bëhet apel faktorit ndërkombëtar që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet fenomeni i largimit dhe i shpërnguljes me dhunë të banorëve nga përndjekjet dhe dhuna e ISIL.

Myftiu i Zagrebit, Aziz ef. Hasanoviq, gjatë predikimeve shpesh i paralajmëron besimtarët në lidhje me rrezikun e interpretimit të gabuar të Kur’anit nga ana e grupeve ekstremiste të tilla si ISIL.

Me rastin e ngjarjeve të fundit në Irak, myftiu në disa media lokale dënoi ashpër krimet e ISIL të kryera në emër të fesë, njoftoi korrespondenti i AA.

Aziz ef. Hasanoviq deklaroi se grupe ekstremiste brenda botës islame, siç është ISIL, morën të drejtën se janë interpretuesit të vetëm të vërtetë të Kur’anit dhe pasardhësit e vërtetë të hilafetit dhe kalifatit.

“Kalifati si është promovuar në një grup në Irak me të vërtetë është një tallje për të gjithë myslimanët në tërësi dhe çdo myslimani i cili e di se çfarë paraqet Kalifati, dhe çka është Islami, dhe i cili e kupton mësimin islam, me siguri do t’i vijë turp për atë që ata po bëjnë me të ashtu-quajturin Kalifat, i cili nuk ka të bëjë asgjë me islamin, e as me kalifatin”, tha Myftiu i Zagrebit dhe bëri thirrje për të kujtuar shoqërinë e parë të myslimanëve, ose shtetin e parë në të cilën ata jetuan së bashku me çifutët dhe të krishterët në të cilën “askujt nuk i ka munguar qimja e flokut”.

Myftiu Hasanoviq tha se askush nuk ka të drejtë të detyrojë askënd në fenë, ta dëbojë apo ta vrasë, vetëm sepse ata i përkasin një besimi fetar tjetër.

“Apeloj përgjatë predikimeve të mija, që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që vrasja e njerëzve të pafajshëm të ndërpritet, Kur’ani në mënyrë të qartë thotë: “Kushdo që vret një njeri, sikur ka vrarë tërë botën”.

Reisi i Bashkësisë Islame në Malin e Zi, Rifat ef. Fejziç, në lidhje me dhunën e ISIL theksoi se kjo organizatë e cila vetën e quan Shteti Islamik e shkatërron dhe e përdhos fenë e Islamit me veprat e veta.

Ai në intervistën për AA porositi se e shqetëson rritja e islamofobisë dhe se terrorizmin nuk duhet sjellë në lidhje me islamin.

“Këtë që dikush e quan organizatën ISIL Shteti Islamik, un nuk e pranoj. Ata janë tallje e shtetit, ata janë një bandë që mbjell frikë, bën të këqijat. Ata më së shumti të këqijat u bënë myslimanëve, ata vranë më së shumti myslimanë, edhe pse më së shumti është ngritur pluhuri rreth ekzekutimit të gazetarëve. Sigurisht, dënoj çdo vrasje që ndodhi atje. Kjo është për tu dënuar”, theksoi reisi Fejziq.

Myftiu i Serbisë dhe zëvendës i Reis-ul-ulemës së Bashkësisë Islame të Serbisë (IZS) Muhamed Jusufspahiq ka deklaruar se pjesëmarrësit e grupeve terroriste të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIL) nuk janë myslimanët dhe se ata janë vendosur për të luftuar kundër myslimanëve.

Jusufspahiq, në deklaratën e tij për Anadolu Agency (AA) ka thënë se mënyra se si ISIL e paraqet fenë islame është e pavërtetë dhe u bëri thirrje myslimanëve të jenë të qëndrueshëm dhe të jenë me Zotin.

“Ajo që ndodh sot me të ashtuquajturin Shtetin Islamik është intrigë që të luftuar kundër nesh. Kjo është punë shejtani, atij të mallkuar, shejtanit të keq i cili dëshiron të dobësojë myslimanët. Të shkatërrojë shpëtimin e tyre ndaj Allahut”, tha myftiu i Serbisë dhe i Beogradit.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, po ashtu dënoi dhunën që bën ISIL duke theksuar se sulmet e organizatës së përmendur terroriste e rrit islamofobinë dhe frikën nga myslimanët dhe islami.

“Nuk duhet që të gjithë myslimanët të vuajnë për shkak të sulmeve të ISIL-it, Disa qarqe duan të denigrojnë islamin dhe të kërcënojnë paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën në Ballkan”, ka thënë Rexhepi.

Gjithashtu lexo

Në çdo 32 kërkesa për azil, ja sa shqiptarë kanë mundur të përfitojnë

Numri i kërkesave për azil nga shqiptarët në vendet e BE-së në 2016-ën arriti në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *