Home / Lajme / Maqedoni / Qytetarët do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Qytetarët do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese

2 nëntor-Sipas vendimit të qeverisë, Jugohromi do të punojë me kapacitet të përgjysmuar, gjegjësit jashtë përdorimit do të ngelin dy furrat kryesore deri në përmbushjen e standardeve ekologjisë. Për këtë kompanisë i janë dhënë dy vite afat ndërsa nga 1 mijë e 250 të punësuar, 100 prej tyre largohen përkohësisht nga puna

Vendimi i qeverisë për mos mbylljen e fabrikës së metalurgjisë “Jugohrom” dhe dhënien e afatit të ri dy vjeçar për përmbushjen e standardeve ekologjike kundër ndotjes së ajrit do të ankimohet para gjykatës kushtetuese nga këshilli protestues i Lëvizjes “EcoGuerilla” në Tetovë. Kjo shoqatë gjithashtu do të ndërmarrë aktivitete tjera për alarmimin e opinionit për siç thuhet vrasjen e heshtur që bën ndotja kancerogjene e Pollogut, ku Jugohromi merr pjese me 54 për qind. “Do të kontaktojmë edhe punëtorët e Jugohromit me qëllim që t’i binden se iniciativa do të jetë edhe në favor të tyre si qytetarë, por edhe si punëtorë të këtij ndotësi. Pasi të fitojmë një mbështetje të gjerë të faktorëve të lartpërmendur dhe qytetarëve të Pollogut dhe Maqedonisë, do të ndërmarrim masa demokratike me të cilat do ta ndalojmë procesin prodhues të Jugohromit” thuhet në komunikatën e lëvizjes “EcoGuerilla”.
Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi është i pakapshëm të komentoj nëse mban premtimin e dhënë për të dalë në protesta së bashku me qytetarët kundër vendimit të qeverisë për mos mbylljen e Jugohromit, ndotësit më të madh të ajrit në Tetovë. Ai gjatë një debati të organizuar në Tetovë nga aktivistë për mbrojtjen e ambientit jetësor kishte kritikuar mos mbylljen e Jugohromit ndërsa nga Ministria e Ambientit Jetësor që udhëhiqet nga kuadër i BDI-së kishte kërkuar që të mos luaj me shëndetin e qytetarëve të Tetovës.

“Gjashtë muaj ishin mjaft që të vendosen ato filtra, nuk ka asnjë arsyetim që sot të dilet me plan aksionar, ai plan duhej para 5 viteve të promovohet. Kështu që le të kuptohemi, Ministria e Ambientit Jetësorë nuk do të luaj me shëndetin e qytetarëve të Tetovës”, tha Xhevat Ademi, deputet.

Ndërkohë, dje Ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi mbrojti qëndrimin e qeverisë duke thënë se është bërë një hap i madh në drejtim të uljes së ndotjes së ajrit.

“Por unë i siguroj qytetarët e Tetovës se nga aspekti ekologjik, ne kemi bërë një hap të madh përpara, kështu që një nga ndotësit potencialë, gjegjësisht ndotja më e madhe nga operatori, mbyllet, kështu që në mënyrë të dukshme do të zvogëlohet ndikimi i ndotjes së ajrit, por nuk do të thotë që në mënyrë drastike do të përmirësohet ndotja në qytetin e Tetovës”, u shpreh Nurhan Izairi, Ministër i Ambientit Jetësor.

Një javë më parë Drejtor i Inspektoratit për Mjedisin Jetësor, Firus Memed kishte paralajmëruar se ‘Jugohromi’ nuk do të arrijë t’i plotësojë standardet ekologjike dhe me këtë pranoi se dikasteri i tij është i pafuqishëm që të mbyllë këtë ndotës pasi sipas tij këtë mund ta bëj vetëm Qeveria.

“Vlerësoj se është tepër vonë, çfarë do që të bëhet, Jugohromi nuk do të respektojë afatin, unë si drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, kam dhënë urdhër, ne do të realizojmë matje në pajtim me procedurat gjatë disa ditëve të ardhshme dhe nëse ajo i kalon vlerat e lejuara maksimale, pra vlerat e lejuara të emetimit, sigurisht se do të ndërmarrim masa, por kjo do të jetë për mua edhe si mbështetje të shqiptojmë masë për ndalesë të punës pas 31 tetorit. Kjo do të thotë se ne pjesën tonë do të përmbushim, por sipas ligjit, patjetër ta them edhe këtë se Qeveria është ajo që sjell vendimin nëse do e respektojë apo vazhdojë afatin për Jugohromin”, deklaroi Firus Memed, Drejtor i Inspekoratit për Mjedisin Jetësor.

Sipas vendimit të qeverisë, Jugohromi do të punojë me kapacitet të përgjysmuar, gjegjësit jashtë përdorimit do të ngelin dy furrat kryesore deri në përmbushjen e standardeve ekologjisë. Për këtë kompanisë i janë dhënë dy vite afat ndërsa nga 1 mijë e 250 të punësuar, 100 prej tyre largohen përkohësisht nga puna.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *