Home / Lajme / Maqedoni / Zeqiri: Skandali me tekstet në Maqedoni

Zeqiri: Skandali me tekstet në Maqedoni

Ky shqetësim është shprehur nga nënkryetari i ri i PDSH-së në Maqedoni, Agron Zeqiri në një intervistë për TCH në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” me gazetarin Pandi Gjata.

Nxënësit në Maqedoni vazhdojnë të mësojnë me tekste shkollore me përmbajtje skandaloze. Së fundmi, një skandal është hasur në librin e Historisë, nga i cili mësojnë nxënësit e vitit të parë në shkollat e mesme. Ky shqetësim është shprehur nga nënkryetari i ri i PDSH-së në Maqedoni, Agron Zeqiri në një intervistë për TCH në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” me gazetarin Pandi Gjata.

Pandi Gjata: Një pyetje e parë si politikan, por edhe si njeri që vini nga bota akademike. Si e keni parë këtë skandal që nuk ndodh për herë të parë në Maqedoni, por më e rëndë bëhet kur pjesë e grupeve të punës janë edhe përfaqësues shqiptarë.

Agron Zeqiri: Fatkeqësisht mund të konstatojmë që nuk bëhet fjalë për një gabim teknik, apo një shkrim gazetaresk, por për një libër Historie që e mësojnë nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme. Në këtë libër disa fise ilire na paraqiten si fise maqedonase dhe kjo paraqet një falsifikim shkencor shumë të rëndë që shërben për nevojat e politikës maqedonase. Më e rënda është se mes 5 autorëve të këtij libri dy janë shqiptarë, një prej të cilëve është zoti Safet Neziri, i cili ka qenë zëvendësministër i Arsimit. Mesazhet e teksteve shkollore janë shtrembëruese dhe skandaloze dhe në tekste të tjera si për shembull: Në një libër të Gjeografisë flamuri i Kosovës thuhet se është i Greqisë. Në librin e Edukimit Qytetar, nxënësit besojnë se qytetarët besnikë respektojnë vetëm pushtetarët. Në librin e Kulturës Qytetare, shqiptarët cilësohen si të prapambetur, të pacivilizuar dhe të pakulturuar. Në librin e muzikës, nxënësit mësojnë këngë nga gjuha maqedonase nga kompozitorë maqedonas dhe asnjë shqiptar. Aty është edhe enciklopedia famëkeqe maqedonase. Problemi me tekstet shkollore, me përmbajtje skandaloze me përmbajtje fyese për shqiptarët, u ngrit vite më parë. Megjithatë këto tekste janë ende në përdorim zyrtar dhe në duart e nxënësve shqiptarë dhe përkundër premtimeve të shumta të zyrtarëve shqiptarë në qeverinë e Shkupit se këto libra do të tërhiqen.

Pandi Gjata: A mendoni se këto tekste duhet të ishin tërhequr nga qarkullimi? Pak më parë, zoti Ademi më tha që ‘është çështje ligji’ dhe shpreson të zgjidhet deri në fund të vitit dhe të miratohet një ligj i ri për t’i dhënë një here e mirë fund këtyre skandaleve…

Agron Zeqiri: Dua të flas në fillim për dëmin dhe më pas për përgjegjësin. Dëmi që shkaktohet është shumë i madh, pasi deformime të tilla shkencore i gjejmë që nga sistemi arsimor fillor dhe deri tek ai universitar. Dihet botërisht se të gjitha programet për tekstet shkollore i miraton qeveria e Maqedonisë dhe padyshim që faji qëndron aty, ku bashkëpjesëmarrëse në qeveria është edhe subjekti politik, BDI. Përderisa këto tekste nuk tërhiqen, por nga viti në vit shtohen dhe është e qartë se kjo forcë politike nuk ka as fuqi politike dhe as vullnet politik për të evituar këtë problem. Kjo është shëndërruar në gangrenë për arsimin në Maqedoni.

Pandi Gjata: Cila mendoni se është zgjidhja për këtë problem, përtej debateve të politikës?

Agron Zeqiri: Ne si subjekt politik kemi kërkuar në vazhdimësi që të ndryshohet koncepti i funksionimit të shtetit. Konkretisht, kur jemi te tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë, ku tjetërsohet realiteti shqiptar, jemi për atë që të gjitha tekstet shkollore të tërhiqen urgjentisht. Duke pasur parasysh që historia e kombit tonë, gjuha dhe letërsia shqipe nuk mund të jenë ndryshe nga ajo që mësojnë bashkëkombasit tanë në Shqipëri e Kosovë. E vetmja zgjidhje është që të kemi tekste të unifikuara me Tiranën dhe Prishtinën për lëndët që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe letërsinë dhe pse jo edhe muzikën.

Pandi Gjata: A e pranojnë partitë maqedonase unifikimin e teksteve me Tiranën dhe me Prishtinën?

Agron Zeqiri: Në momentin që flasim nuk ekziston një gatishmëri e tillë sepse subjekti politik shqiptar, si pjesëmarrës në qeverinë e Maqedonisë,përfshirë këtu edhe ministrin aktual të Arsimit, janë të nënshtruar totalisht dhe nuk kanë forcë politike.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *