Home / Lajme / Maqedoni / Ameti shpalosi agjendën e aktiviteteve për 20 vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës.

Ameti shpalosi agjendën e aktiviteteve për 20 vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës.

12 dhjetor- Universiteti ynë, sot disponon me një infrastrukturë moderne për kërkime shkencore dhe mësimdhënie dhe ka vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer institucional me universitete të dëshmuar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Sikurse e dimë të gjithë, kombi ynë ka kontributin e Tij në raport me historinë dhe ngritjen e këtij Universiteti” tha Rektori i USHT-së Prof.Dr.Vullnet Ameti.

Universiteti Shtetëror i Tetovës më 17 Dhjetor të këtij viti do të shënoj 20 vjetorin e themelimit. Këtë vit jubilar Universiteti Shtetëror i Tetovës do ta shënoj me manifestime të ndryshme. Rektori i USHT-së Prof.Dr.Vullnet Ameti sot në një takim me gazetarët ka prezantuar agjendën e aktiviteteve që do të organizohen për nderë të kësaj date historike për universitetin tonë. “Universiteti Shtetëror i Tetovës këtë vit e shënon 20 vjetorin e themelimit, me çka i përmbyll me sukses dy dekada të funksionimit si institucion i vetëm i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vendin tonë. Pas themelimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 1994 dhe zyrtarizimit të tij në vitin 2004, vlerësojmë se në këtë vit jubilar, Universiteti ynë sot gëzon një konsolidim të plotë, si në aspektin akademik po ashtu edhe të zhvillimit të procesit mësimor-shkencor. Universiteti ynë, sot disponon me një infrastrukturë moderne për kërkime shkencore dhe mësimdhënie dhe ka vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer institucional me universitete të dëshmuar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Sikurse e dimë të gjithë, kombi ynë ka kontributin e Tij në raport me historinë dhe ngritjen e këtij Universiteti” tha Rektori i USHT-së Prof.Dr.Vullnet Ameti. Ai poashtu u shprehi mirënjohje edhe gjeneratës së parë të studentëve, të cilët edhe përkundër presioneve të pushtetit të atëhershëm, i regjistruan studimet e tyre në këtë institucion dhe falë vendosmërisë së tyre dhe besimit të palëkundur në inteligjencien vizionare, ne sot e gëzojmë këtë Universitet me standarde moderne.

Rektori i USHT-së Prof.Dr.Vullnet Ameti tha se përvjetori i njëzeti me radhë i Universitetit, do të shënohet me nderimet më të larta institucionale. “Ne si udhëheqësi, jemi kujdesur të përgatitim një agjendë dinjitoze, ku mes tjerash do të realizohen këto aktivitete: Fakulteti i Kulturës Fizike, më 15 dhjetor do të organizojë turnir në futboll të vogël, me ekipe nga të gjitha fakultetet e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ndeshje në basketboll, në mes dy ekipeve të USHT-së, si dhe Krosin studentor. Më 16 dhjetor, në Rektoratin e Universitetit do të hapet ekspozita e profesorëve dhe studentëve të Fakultetit të Arteve. Të njëjtën ditë, do të promovojmë Revistën ,,FILOLOGJIA”, të Fakultetit Filologjik, dhe ky numër i revistës, i është kushtuar veprimtarisë arsimore dhe shkencore të Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, Rektor i Parë i Universitetit tonë. 16 dhjetorin, do ta përmbyllim në Qendrën për kulturë në Tetovë, me një program të pasur artistik, të përgatitur nga profesorët dhe studentët e Fakultetit të Arteve. Datën historike të themelimit të Universitetit tonë do ta fillojmë me homazhe te varri i Themeluesit dhe Rektorit të Parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe busti i dëshmorit të arsimit, Abdylselam Emini. Agjendën e jubileut të Universitetit do ta përfundojmë me Akademinë solemne, ku ne të gjithë së bashku do të prezantojmë para studentëve, profesorëve dhe qytetarëve veprimtarinë e pasur arsimore dhe shkencore të Universitetit tonë. Në këtë ditë të shënuar, me vendim të Senatit të Universitetit ne do të ndajmë titullin Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causa), për: Prof.Dr.Dhori Kule, Prof.Dr.Shezai Rrokaj, Prof.Dr.Petrit Bara dhe Prof.Dr.Mynyr Koni” shtoi mes tjerash Prof.Dr.Vullnet Ameti Rektori i USHT-së.

Vlen të theksohet se në shënimin e 20 vjetorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, janë ftuar një numër i konsiderueshëm personalitetesh të dëshmuar në lëmin e arsimit, shkencës, kulturës, drejtues institucionesh, në nivel qendror dhe lokal, si dhe krerët e spektrit politik në vendin tonë, Kosovë dhe Shqipëri.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *