Home / Lajme / Maqedoni / Intensifikohet bashkëpunimi mes rajonit të Pollogut dhe atij të Korçës (VIDEO)

Intensifikohet bashkëpunimi mes rajonit të Pollogut dhe atij të Korçës (VIDEO)

Tetovë 14 dhjetor – Ky aktivitet u realizua me përkrahjen e Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë, në kuadër të projektit “Përmirësimi i bashkëpunimit të biznesit në rajonin kufitar” të implementuar nga Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë, ndërsa në të morrën pjesë kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Jegunovcës, Bogovinës, si dhe komunës Mavrovë-Rostushë.

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri sot mori pjesë në ‘Mëngjesin e biznesit’ të organizuar nga Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë me temë “Përmirësimi i bashkëpunimit të biznesit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë”, ku morrën pjesë më shumë se 150 kompani nga dy vendet.
Qëllimi i mbajtjes së mëngjesit të biznesit ishte përmirësimi i bashkëpunimit dhe komunikimit në mes sektorit të biznesit me pushtetin qëndrorë dhe lokal, me qëllim që së bashku të krijohen dhe të përmirësohen kushtet për të bërë biznes, njofton Televizioni Koha.

Ministri Neziri para biznesmenëve tha se potenciali i biznesit në rajonin e Pollogut është i madh, që është një tjetër impuls për të punuar së bashku në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, që është një interes i përbashkët i dy vendeve.

“Sidomos për faktin se themelet e këtij bashkëpunimi, janë të vendosura në nivel të shteteve dhe qeverive, dhe ajo që duhet në mënyrë më aktive ta bëhet në të ardhmen, është pikërisht komunikimi mes bizneseve të të dy vendeve. Prandaj, në veçanti e përshëndes iniciativën e Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë, si dhe mbështetjen nga IPA Programi për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë, për projektin “Përmirësimi i bashkëpunimit të biznesit në rajonin ndërkufitar”, tha ministri Neziri, duke shtuar se baza e marrëdhënieve ekonomike mes Maqedonisë dhe Shqipërisë është vendosur me Marrëveshjen e CEFTA-s, e cili siguron zhvillimin e marrëdhënieve tregtare në afat të gjatë dhe në baza të qëndrueshme, transmeton Televizioni Koha.

“Vendet e rajonit, gjithsej 7 shtete nënshkruese të Marrëveshjes së CEFTA-s, e orientojnë lidhjen e drejtpërdrejtë të ekonomive të rajonit, në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik, sepse ky bashkëpunim është pjesë e aspiratave të rajonit për anëtarësim në BE’, tha ministri Neziri, transmeton Televizioni Koha.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se bashkëpunimi në mes të Pollogut dhe rajonit të Korçës është i një rëndësie të madhe për Tetovën, duke pasur parasysh faktin se në komunën që drejton ajo, funksionon edhe zona e lirë ekonomike.

“Zona e lirë ekonomike në Tetovë, ofron privilegje për investitorët, dhe ky bashkëpunim mes kompanive të pollogut dhe Korçës për ne do të thotë promovim dhe mundësi për investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Programi është i dytë për ne, që rrjedh nga komponenta e dytë, pas programit për bashkëpunim ndërkufitar me qytetin e Elbasanit”, tha Arifi, transmeton Televizioni Koha.

Kryetarja e Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë Daniella Arsovska tha se masat që rrjedhin nga nevojat reale të sektorit të biznesit janë: përmirësimi i shkëmbimit të informacioneve mbi aktivitetet ekonomike e tregtare në të dy vendet, forcimi i aktiviteteve për promovimin e eksportit të prodhimeve të Maqedonisë në tregun shqiptar, oferta e përbashkët turistike në zonën ndërkufitare, forcimi i kontrollit të cilësisë dhe testimit laboratorik, mbështetja për të rritur shkëmbimin e informacioneve ndërmjet enteve statistikore, si dhe mbështetje për inovacionet në sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Maqedoni dhe Shqipëri, transmeton Televizioni Koha.

Robert Lidëll, ministër-këshilltar në Delegacionin e BE-së në Shkup, vuri në dukje se bashkëpunimi ndërkufitar është një nga mënyrat për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë e Pollogut. “Unë kam besim se ajo do të arrihet, dhe për këtë qëllim neve financuam këtë projekt, dhe do të vazhdojmë të mbështesim të tjerë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Unë sinqerisht uroj që kompanitë nga të dy vendet të hapin sa më shumë biznese të reja, dhe me këtë edhe vende të reja pune”, tha Lidëll, transmeton Televizioni Koha.

Ky aktivitet u realizua me përkrahjen e Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë, në kuadër të projektit “Përmirësimi i bashkëpunimit të biznesit në rajonin kufitar” të implementuar nga Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë, ndërsa në të morrën pjesë kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Jegunovcës, Bogovinës, si dhe komunës Mavrovë-Rostushë. /Tv Koha/

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *