Home / Lajme / Rajon / Vritet në Siri edhe një shqiptar, familja kërkon kthimin e fëmijëve

Vritet në Siri edhe një shqiptar, familja kërkon kthimin e fëmijëve

23 dhjetor-Të njëjtat burime saktësojnë se shqiptari i vrarë, pasi ka ikur në Siri, ka marrë atje edhe tre fëmijët dhe gruan e tij. Familjarët e të ndjerit janë paraqitur në polici dhe kanë kërkuar që të kthehen në atdhe fëmijët dhe bashkëshortja e Arturit.

Vritet një tjetër shqiptar në Siri. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale brenda dikasterit të rendit, të cilat saktësojnë se rreth një javë më parë ka mbetur i vrarë gjatë luftimeve në Siri, Artur Koçollari. Ky i fundit prej afro një viti ishte larguar në drejtim të vendit ku pretendohet se luftohet për Xhihad dhe që prej asaj kohe komunikimet e tij me familjen e tij që ndodhet e vendosur në zonën e Kërrabës kanë qenë shumë të pakta. Të njëjtat burime saktësojnë se shqiptari i vrarë, pasi ka ikur në Siri, ka marrë atje edhe tre fëmijët dhe gruan e tij. Familjarët e të ndjerit janë paraqitur në polici dhe kanë kërkuar që të kthehen në atdhe fëmijët dhe bashkëshortja e Arturit.

Artur Koçollari rreth një vit më parë është larguar nga Shqipëria dhe familjes së tij nuk i ka treguar se ishte nisur për të luftuar në Siri. Burime pranë strukturave të rendit sqarojnë se pasi ka kaluar disa kohë, babai i dy vajzave dhe një djali ka telefonuar familjen e tij dhe u ka thënë se ishte në Siri dhe po luftonte për Xhihad. Më pas, Artur Koçollari ka marrë edhe tre fëmijët e tij në Siri dhe bashkëshorten. Por, vetëm një javë më parë familja Koçollari që banon në Kërrabë ka marrë një telefonatë nga Siria, gjatë së cilës e kanë lajmëruar se i afërmi i tyre kishte rënë shehit gjatë luftimeve për Xhihad.

Pas kësaj, vëllai i shqiptarit të vrarë në Siri është paraqitur pranë strukturave të policisë dhe ka shpjeguar me detaje atë që persona të panjohur kishin thënë në telefon. Mësohet se gjatë deklaratave në polici, vëllai i Arturit ka thënë se një javë më parë e kanë marrë në telefon në orën 07:00 të mëngjesit dhe i kanë thënë se vëllai i tij është qëlluar me snajper në kokë në momentin që ka qenë shofer i një automjeti që përdorej gjatë luftimeve në Siri. Por, familja Koçollari ka kërkuar ndihmën e policisë që të hetojë lidhur me këtë ngjarje, pasi ata nuk e dinë nëse lajmi për vdekjen e të afërmit të tyre është i vërtetë. Përveç kësaj, familjarët e Arturit duan që tre fëmijët e tij të kthehen në Shqipëri bashkë me nënën e tyre, edhe pse kjo e fundit gjatë telefonatave të pakta që ka bërë me familjen në Shqipëri ka deklaruar se nuk do kthehet në Shqipëri.

Por, shqetësimi për familjen e Arturit është edhe fakti se bashkëshortja e të afërmit të tyre mund të ndihen të kërcënuar në Siri dhe për këtë arsye, ajo bën deklarata të tilla. Burime pranë policisë sqarojnë se një nga arsyet që e ka shtyrë Arturin për të shkuar në Siri për të luftuar ka qenë besimi i tij, pasi pak kohë para se të ikte në Siri, babait të tre fëmijëve i ishte mbushur mendja se shpëtimi mund të arrihej vetëm nëse luftohej për Xhihad. Edhe në zonat e tjera periferike të kryeqytetit ka persona të cilët kanë shkuar për të luftuar në Siri, në shumë raste bashkë me fëmijët dhe gratë e tyre dhe nuk janë kthyer më. /Gazeta Shqiptare/Telegrafi/

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *