Home / Lajme / Maqedoni / Edhe një përmendore e gjallë në projektin “Shkupi 2014”

Edhe një përmendore e gjallë në projektin “Shkupi 2014”

7 janar-Në temperatura që këtyre ditëve shkojnë thellë në minus, ky fëmijë kërkon lëmoshë nga njerëzit humanë për të mbijetuar, përderisa qeveria e njërit prej shteteve më të varfra në Evropë është kapluar nga një histeri megalomane, të cilën mediumet ndërkombëtare e vlerësojnë si tentim për krijim të historisë artificiale

Vetëm 30 metra nga vendi ku fillon projekti qindramilionësh “Shkupi 2014”, një fëmijë i moshës 7-8 vjeçare, është shtrirë mbi disa kartonë të vendosur mbi akull, raporton gazeta “Lajm”.

Këtë skenë, që ngjason me skenat e përshkruara në romanet e periudhës së mesjetës, objektivi i gazetës “Lajm” e ka kapur të hënën (05.01.2015) në qendër të Shkupit, ose më saktësisht në Çarshi, në pllatonë para Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL).

Në temperatura që këtyre ditëve shkojnë thellë në minus, ky fëmijë kërkon lëmoshë nga njerëzit humanë për të mbijetuar, përderisa qeveria e njërit prej shteteve më të varfra në Evropë është kapluar nga një histeri megalomane, të cilën mediumet ndërkombëtare e vlerësojnë si tentim për krijim të historisë artificiale.

Ai qëndron pa lëvizshëm dhe prej së largu është vështirë të dallohet nëse është i gjallë, apo është edhe një “përmendore” në projektin monetnik dhe monofetar, që po e realizon me tempo ta pazvogëluar qeveria e udhëhequr nga VMRO-BDI. Vetëm kur i afroheni dhe vëreni dridhjet e pandërprera të trupit nga i ftohti, prej të cilit nuk e mbrojnë dot disa batanije leckosura me të cilat është mbuluar, mund të konstatoni se bëhet fjalë për fëmijë të gjallë.

“Më jepni pesë denarë për bukë”, është fjala e vetme që e thotë, pasi ngriti pak kokën, kur iu afruam t’i themi të largohet prej aty, sepse do të ngrijë në këtë të ftohtë. Pasi i hedhim 10 denarë, mbuloi prapë kokën dhe vazhdoi të flejë mbi akullin e Çarshisë. Fati i këtij fëmiu, më së miri pasqyron gjendjen e përgjithshme ekonomike në Maqedoni, ku Qeveria në vend se të investojë paratë e buxhetit në projekte për hapjen e vendeve të punës, qindra miliona euro ka investuar në përmendore dhe fasada të stilit barok.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) në Maqedoni janë mbi 70 mijë familje që janë raste sociale dhe që presin ndihmat financiare nga shteti.

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS) për familjet sociale ndan për çdo muaj ndihma që duken absurde.

Sipas shifrave zyrtare mbi 30 për qind e qytetarëve në Maqedoni janë të papunë. Deri tani masat qeveritare për punësim nuk kanë ndikuar aspak nuk uljen e e papunësisë dhe varfërisë.

Ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se hendeku mes qyetareve të varfër dhe atyre qe janë të pasur, gjithnjë e më shumë thellohet.

“Politikat tatimore, politikat sociale skajshmërisht janë të gabuara meqë favorizojnë një pjesë të vogël të shoqërisë, duke rritur nga dita në ditë numrin e atyre të cilët mezi arrijnë të mbijetojnë, përkatësisht nuk arijnë të sigurojnë as gjërat më elementare për ekzistencë”, ka deklaruar për REL, ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë Petar Goshev. Sipas tij, Maqedoni është në rritje numri i atyre që të ardhmen e shohin jashtë vendit ose shëndrrohen në lypës aktiv.

Ndërkohë Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, konsideron se shkalla e varfërisë mund të ulet vetëm përmes investimeve në rajone të caktuara të vendit, konform specifikave që kanë dhe jo koncentrimit të investimeve jokapitale vetëm në kryeqendër.

“Dhe më e rëndësishmja është të subvencionohen jo ata sektorë të cilët kanë qënë para bankrotit, duke i kyçur në realizimin e projektit “Shkupi 2014″, por duhet të subvencionohen ata sektorë të cilët janë të orientuar kah eksporti”, thekson Ademi./Lajmpress/

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *