Home / Lajme / Rajon / Si u rekrutua piloti Sokol Feka nga trafikantët?

Si u rekrutua piloti Sokol Feka nga trafikantët?

31 Janar – Nga të dhënat paraprake, mësohet se piloti Feka në dhjetor të vitit të kaluar ishte kthyer nga Anglia ku ishte trajnuar për pilotimin e helikopterëve me instrumente

Shërbimi Informativ i Ushtrisë nis hetimin administrativ për pilotin Sokol Feka, që gjeti vdekjen nga përplasja e helikopterit të mbushur me hashash me telat e tensionit të lartë në Spanjë.

Burimet pranë Ministrisë së Mbrojtjes thonë se është urdhëruar nisja e hetimit për veprimtarine e majorit Feka, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se piloti Feka në dhjetor të vitit të kaluar ishte kthyer nga Anglia ku ishte trajnuar për pilotimin e helikopterëve me instrumente.

Por, para se të kthehej në Shqipëri, mësohet se piloti ishte ndalur në Spanjë ku kishte qëndruar disa ditë.

Ky qëndrim, sipas burimeve të ABC News, mendohet se ka qenë për t’u njohur me personat që kryenin aktivitetin kriminal të transportimit të lëndës narkotike nga Maroku në Spanjë.

Me kthimin në Shqipëri, mësohet se majori Feka kishte kërkuar lejen vjetore, të cilën e kishte marrë nga data 12 janar deri më 31 janar, kur pritej të kthehej në detyrë.

Sipas verifikimeve të sistemit TIMS, rezulton se me datë 20 janar majori Feka ka udhëtuar drejt Spanjës, me arsyetimin se do kryente një trajnim disaditor, ndërsa pranë Ministrisë së Mbrojtjes nuk kishte marrë lejën për të dalë jashtë territorit shqiptar.

Ajo që ngre disa pikëpyetje, është fakti se si ka mundësi qe Shërbimi Informativ i Ushtrisë nuk kishte informacione për ndalesën e tij në Spanjë dhe takimet e mundshme, pasi ishte pjesë e një delegacioni zyrtar.

Ndërkohë, sipas mediave spanjolle, majori Feka po transportonte rreth 1 ton hashash për llogari të një rrjeti kriminal që kryen trafik ndërkombëtar të lëndës narkotike nga Maroku drejt BE-së. Në media thuhet se helikopteri me pilot Sokol Feken dhe një shtetas tjetër ishte nisur mbrëmjen e së dielës nga një aeroport civil në Marok dhe kishte udhetuar drejt Malagës, ku gjatë fluturimit është pikasur nga Garda Civile Spanjolle, e cila i është vënë në ndjekje.

Por, duke qenë errësirë, piloti Feka ka arritur të shmangë ndjekjen duke u përplasur me telat e një shtylle të tensionit të lartë, që ka shkaktuar edhe përplasjen në tokë.

Vetëm të nesërmen, ditën e hënë, policia spanjolle ka arritur të gjejë helikopterin e rrëzuar në afërsi të qytezës Gauçi të Malagës, pilotët e vdekur dhe sasinë e lëndës narkotike. Referuar mediave në Spanjë, autoritetet e drejtësisë spanjolle po vazhdojnë hetimet për të zbardhur lidhjet e pilotit shqiptar me trafikantët e drogës./MAPO

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *