Home / Lajme / Maqedoni / Sllatina:Fshatit të cilit maqedonasit i këndojnë këngë

Sllatina:Fshatit të cilit maqedonasit i këndojnë këngë

janar-Sllatina sipas regjistrimit të fundit ka rreth 5000 banorë, me mbi 1000 shtëpi. Kryesisht popullata e këtij fshati merret me bujqësi, biznes privat kurse një pjesë bukur e mirë e tyre gjenden në mërgim. Pikërisht numri i lartë i mërgimtarëve nga ky fshat ka bërë që edhe ekonomia dhe mbijetesa të varet prej prurjeve të tyre në vendlindje

Urim HASIPI
Në kilometrin e nëntë kur nisesh nga Tetova për në vendkalimin kufitar Jazhincë të bie në sy tabela e fshatit Sllatinë. Menjëherë në hyrje të bien në sy varret dhe rruga që kalon përmes fshatit sikur e ndan atë në dy pjesë. Por, në realitet, gjithmonë fshati në momentet më të vështira ka qenë bashkë. Dhe pikërisht pasi hyn në këtë fshat dhe i kalon varret aty gjendet shkolla që mban emrin e gjuhëtarit më të madh shqiptarë “Eqrem Qabej”. Në pamje të parë shkolla të jep përshtypjen e një shkolle të zakonshme, por ajo mbart me vete fshehtësinë e kohëve të kaluara. Për të ndërtuar të njëjtën u deshtën shumë sakrificë mbase në kohën kur u hap u njëjta kishte edhe kundërshtarë. Disidentët e kohës pavarësisht kundërshtimeve, mospajtimeve arritën që të vendosin gurë-themelin e shkollës e cila u hap nga pishtarët e Arsimit, Sejdi Idrizi dhe Hysni Abdullahu. Por, gjurmët për mësim në këtë fshat të çojnë në vitin 1944 kur në mes të fshatit hapet shkolla e parë shqipe. Banorët e këtij fshati rikujtojnë shumë ngjarje të rëndësishme por ato gjithmonë kanë qenë kundër pushtuesve. Por, ajo që mund të mburret ky fshat nga e kaluara e tij gjithnjë mbështetet në luftërat për liri kundra pushtuesve turq, bullgar dhe sllavëve. Ajo që e karakterizon këtë fshat është se në të gjitha anët është i rrethuar me popullatë etnike maqedonase siç janë fshatrat Leshkë, Varvarë, Breznë dhe Tearcë. Banorët e Sllatinës kanë bartur brez pas brezi tregimin e hidhur dhe të lavdishëm të vitit 1905 kur në arat e këtij fshati do të vriten dy bashkëfshatarët e tyre ndërsa kjo ngjarje do të jetë frymëzim edhe për shumë gjenerata të ardhshme të cilët në asnjë përpjekje për liri dhe barazi nuk qëndruan duarkryq. Sllatina sipas regjistrimit të fundit ka rreth 5000 banorë, me mbi 1000 shtëpi. Kryesisht popullata e këtij fshati merret me bujqësi, biznes privat kurse një pjesë bukur e mirë e tyre gjenden në mërgim. Pikërisht numri i lartë i mërgimtarëve nga ky fshat ka bërë që edhe ekonomia dhe mbijetesa të varet prej prurjeve të tyre në vendlindje.
Sllatinës i këndohet për rrethimin e Manastirit të Leshkës
Natën e 27 gushtit të vitit 1905 komitët duke kaluar në atarin e fushave të fshatit Sllatinë, vrasin dy vëllezër të këtij fshati, edhe atë Pajazit dhe Jakup Pajazitin. Arsyet e vrasjes, sipas rrëfimeve, të fshatarëve të Sllatinës ka qenë “Pas kësaj ngjarje fshatarët e Sllatinës mobilizohen dhe rrethojnë Manastirin në fshatin Leshkë, ku dyshohej se janë strehuar vrasësit. Vetëm me ndërmjetësimin e ushtrisë turke fshatarët tërhiqen nga rrethimi i Manastirit. Ngjarja e rëndë ndonëse ka ndodhur para 110 vitesh, është bartur brez pas brezi në këtë fshat, ndërsa argument është edhe kënga të cilën e këndojnë maqedonasit”, thotë Lulzim Idrizi, profesor i gjuhës dhe letërsisë në shkollën e këtij fshati. Kjo këngë pothuajse gjendet në repertorin e çdo këngëtari të vjetër maqedonas të cilët ia kanë dedikuar këngën kësaj ngjarje. Kënga titullohet “Rrethohet Manastiri i Leshkës”. Rrethohet Manastiri i Leshkës, Rethohet Manstiri i Leshkës E kanë rrethuar Arnautët e Sllatinës. Prift ku gjenden Komitët … Kënga tregon se si prifti që ndodhej në Manastirin e Leshkës nuk kishte treguar se fsheh komitët, por e vërteta, sipas sllatinasve, është se komitët nuk kanë qenë në manastir, por janë fshehur diku në mes të fshatit Sllatinë dhe Leshkë. “Pas shkatërrimit të Republikës se Krushevës, ku morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre edhe shqiptarët, shumë çeta komitësh maqedonas u shpërndanë. Kështu që një grup i tyre në vigjilje të festës së “Shën Bogoridcës” do të niset për në manastirin në fshatin Leshkë, i cili mendohet të ketë qenë vendstrehim i tyre. Rruga do t’i çojë nëpër fushat e Sllatinës ku edhe do të takohen me vëllezërit Jakupi dhe Pajaziti, të cilët e ruanin shalqirin e vet. Kur i vërejnë komitët, mendojnë se ata janë ushtarë të rastit dhe si shqiptarë mendojnë t’i gostitin me shalqi dhe njëri prej tyre u del përpara dhe u ofron shalqi. Por, Pajaziti kur i vëren ata se ishin te armatosur nguron pak, por përsëri u afrohet atyre. Ata duke menduar se Pajaziti do t’i tregojë pushtetit të atëhershëm turk vendosin ta vrasin. Bisedën e zhvillojnë në gjuhën vllahe, të cilën e kuptonte Pajaziti, sepse e kishte mësuar gjatë qëndrimit te tij në mërgim, në Rumani. Duke e ndjerë rrezikun i cili u kanosej, ai kishte paralajmëruar vëllain e vet Jakupin që ishte aty dhe fillon beteja. Jakupi vritet në vend, kurse Pajaziti plagoset , por më vonë vdes në shtëpi. Komitet në fillim strehohen në manastirin e Leshkës. Me të kuptuar lajmin për vrasjen e Pajazitit dhe Jakupit, i tërë fshati ngrihet në këmbë dhe e rrethojnë manastirin e Leshkës, duke kërkuar nga eprorët e manastirit që t’ua dorëzojnë kryerësit e vrasjes. Por, fatkeqësisht komitët do të strehohen në atarin e fshatit Sllatinë”, tregon Lulzim Idrizi, duke u thirrur në rrëfimin e Elmaz Idrizit, një bashkëluftarë i Xhem Hasës. Sipas tij, e gjithë kjo do të kalojë pa asnjë pasojë për popullatën sllave dhe vetëm me ndërhyrjen e autoriteteve te larta turke sllatinasit do të tërhiqen.
Kultura dhe sporti drejt zhdukjes
Në të kaluarën ky fshat ishte më shumë i organizuar si në aspektin kulturor, poashtu edhe sportiv. Dikur në këtë fshat ekzistonte Shoqëria kulturo-artistike “Vëllazërimi” që kishte marrë shumë çmime në festivale brenda dhe jashtë Maqedonisë, por edhe ajo ka vite që ka ndërprerë aktivitetin për shkak se shumë rrethana kanë ndikuar që kjo shoqëri të ndodhet para një akti të kryer. Njëri ndër instrumentistët e këtij grupi, Hamdiarif Xhelili, përkujton kohërat kur kjo shoqëri merrte gjithandej çmime. “Ajo kohë mbante gjallë një traditë, një kulturë dhe folklorin shqiptar dhe kjo rezultonte me shumë suksese, sepse ishte një shoqëri profesionaliste dhe e bashkuar për një qëllim të afirmimit të vlerave të folklorit shqiptar. Ajo kishte shumë instrumentistë të përkryer, si Syrja Etemi, Hasan Memishi, që ishte edhe njëri ndër këngëtarët kryesorë, ishte i ndjeri Lulzim Salihi, Neset Neziri dhe shumë të tjerë që kanë kontribuar për afirmimin jo vetëm të muzikës, por edhe të fshatit në përgjithësi”, ai. Por, ka vite që kjo shoqëri është shuar dhe nuk ka marrë më pjesë në festivale të ndryshme që organizohen në Tetovë, siç është “Sharri Këndon” dhe “Burimet e Sharrit” dhe në festivale që organizohen në Kosovë dhe në Shqipëri. Hamdiarif Xhelili thotë se asnjëherë nuk është shuar dëshira për ta riaktivizuar këtë shoqëri dhe të nisë ajo më pastaj me sukseset dhe ritmet e dikurshme, por kjo kërkon një mbështetje financiare dhe një organizim të mirëfilltë. Nuk ka qenë vetëm organizimi kulturor në nivel, por edhe sporti ka qenë mjaft i zhvilluar. Kështu askush nuk do të mund të besonte se një skuadër fshati me gjithë lojtarë që janë produkt i shkollës së futbollit të arrinte të bëhet kampion i Maqedonisë në futboll të vogël fitues i Kupës së Maqedonisë dhe superkupës së këtij vendi dhe pjesëmarrës në ligën e kampionëve, duke fituar edhe një skuadër angleze në kualifikime dhe këtë ta bënte për pak vite formimi. Shumë lojtarë tashmë nuk janë në këtë skuadër të cilët kanë migruar jashtë, siç është Harun Latifi në Danimarkë, njëri ndër golashënuesit më të mirë të Maqedonisë, Nazmi Jakupi që ndodhet në Gjermani, Daut Zaimi në Norvegji. Por, edhe ky klub tashmë nuk ekziston dhe nuk garon në asnjë ligë. Shkaktarë për mosfunksionimin e tij kanë qenë financat. Rrëfim në vete është funksionimi i ekipit të futbollit me të njëjtin emër i cili pas më shumë tre dekadash funksionimi është shuar. Klubi i futbollit të madh “Vëllazërimi” që njihej gjithkund në Maqedoni, tashmë ka pushuar së ekzistuari po për shkak të këtyre problemeve. Por, ekzistojnë ekipet-zinxhir të klubit të madh me grup-moshat e reja që udhëhiqen nga Sejdi dhe Zemri Idrizi. Por, probleme ka edhe me infrastrukturën e terreneve që nuk janë të përshtatshme dhe fshatit i mungon një fushë futbolli e rregulluar mirë dhe një sallë për futbollin e vogël. Krahas kësaj, disa rinistë të fshatit brenda xhamisë kanë rregulluar një bibliotekë e cila shfrytëzohet për mësime fetare. Biblioteka ka filluar funksionimin në vitin 2007, ndërsa Forumi Rinor Islam-dega në këtë fshat, merret me shumë aktivitete të ndryshme te të rinjtë, kryesisht ato aktivitete janë kuize të ndryshme diturie, aktivitete sportive, shënimi i datave të rëndësishme islame.
Të mobilizuar edhe në vitin 2001
Lufta e vitit 2001 që u zhvillua në Maqedoninë Perëndimore Sllatinën do ta gjejë më të përgatitur se kush do qoftë fshat apo vendbanim tjetër. Banorët e këtij fshati do t`i përgjigjen thirrjes për kushtrim pa hezituar aspak, që të ndihmojnë luftën në Kalanë e Tetovës dhe në fshatrat tjerë të Malësisë së Tetovës. Ndërkaq, pas rënies së Kalasë së Tetovës, pjesëtarët e UÇK-së do të kthehen në fshat për të organizuar mbrojtjen e të njëjtit, për shkak të pozitës gjeografike që gjendet ky fshat i njëjti rrezikohej nga disa anë, pasi që rrethohet me fshatra maqedonas. Kësisoj me qindra të rinj dhe të rritur do të bashkohen rreth kësaj lufte e cila në fund do të rezultojë edhe me viktima në njerëz, njëkohësisht duke i dhënë kësaj lufte edhe dëshmorët e kombit. Në luftën e 2001 në Sllatinë, në përballje me forcat ushtarako-policore heroikisht do të bie Murtezan Etemi, ndërsa më pas edhe Burim Huseini student. Ndërkaq, granatimet e njëpasnjëshme që i bëheshin fshatit do të rezultojnë edhe me një viktimë në popullatën civile edhe atë në këto granatime do të vritet 11 vjeçarja Adelina Arifi. Kjo luftë krahas viktimave po ashtu shkatërroi edhe shumë shtëpi të cilët pas luftës u rinovuan. Muaji korrik çdo vit në varrezat e fshatit grumbullon me qindra njerëz të cilët shkojnë dhe bëjnë homazhe në nderim të dëshmorëve të luftës së 2001. Për nder të tyre, në qendër të fshatit është ngritur edhe pllaka përkujtimore për nder të dëshmorëve dhe viktimave nga lufta e 2001. Ish-komandanti i fshatit Sllatinë Mujdin Abazi-Muja, 13 vite pas konfliktit thekson se 23 korriku i vitit 2001, shënon një datë të rëndësishme në kalendarin e përpjekjeve kombëtare, shënon frymën liridashëse të shqiptarëve të këtyre anëve që mishërohen në figurën e përndritur të dëshmorëve të kombit, që mishërohen në figurën e atyre që i dhuruan kësaj përpjekje gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre. “Aspirata e shqiptarëve për të gëzuar lirinë e plotë kombëtare në Maqedoni, ka qenë ëndërr e kamotshme e shumë brezave, e shumë personaliteteve të cilët pandërprerë kanë rrezatuar dinjitet kombëtar. Ky gjakim i përvuajtur merr vulën e vet nga shumë atdhetarë, nga shumë mësues dhe intelektual të profileve të ndryshme, të cilët duke njohur paraprakisht këtë mungesë lirie dhe barazie, tërë jetën e tyre do të vënë në funksion të kombit, në funksion të vlerave kombëtare dhe njerëzore. Pikërisht me këto vlera ishin gatuar idealet e dëshmorëve të kombit të cilët në momentin e duhur, iu përgjigjen ftesës për të sakrifikuar jetën e tyre për të mirën e këtij populli. Të tillë ishin Murtezani, Shabani, Burimi, ushtarët e devotshëm, që iu përgjigjen me plot përkushtim ftesës për të përçuar nëpër kohëra idealet e lirisë. Sllatina mburret me atë periudhë sepse dha edhe dëshmorë që ne të tjetër të jetojmë më mirë”, kujton Abazi. Sllatina me shumë karakteristikat meriton një vëmendje më të madhe nga pushteti qendror dhe ai lokal për të rregulluar infrastrukturën rrugore pasi që shumë rrugë janë të dëmtuara. Problem akoma mbetet për t’u rregulluar çështja e ujit të pijshëm pasi që gjatë kohës së verës ndihet më shumë mungesa e ujit.

Shkrimi eshte botuar me 31 dhjetor ne gazeten Koha.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *