Home / Lajme / Maqedoni / Disa shkolla të pakënaqura nga marrëveshja

Disa shkolla të pakënaqura nga marrëveshja

4 shkurt-Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Jakim Nedellkov thotë se është herët të flitet se sa përqind do të rriten rrogat e mësimdhënësve, por premton se pas një rishikimi nga ana e Ministrisë së Financave, rrogat e mësuesve do të barazohen me ato të sektorëve të tjerë publikë.

Marrëveshja për ndërprerjen e grevës në arsim ka nxitur reagime tek shumë mësues, anëtarë të SASHK-ut. Disa nga ta thonë se ndihen të zhgënjyer nga neglizhenca e krerëve të sindikatës që të informojnë saktë dhe qartë se çka në fakt përmban marrëveshja e arritur dhe sa do të respektohen afatet e realizimit të saj. Mësuesit thonë gjithashtu se mënyra e tillë e arritjes së marrëveshjes mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit ka rënduar edhe më tepër situatën, pasi që në këtë mënyrë ka humbur besimi ndaj sindikatës dhe se tani çdo mësimdhënës është i detyruar të kujdeset dhe të ruaj vendin e tij të punës.
Rishikimi i rrogave të mësuesve, lehtësimi i punës administrative, përkatësisht heqja e ditarit tradicional nga përdorimi dhe shfuqizimi i gjobave për mësuesit si rezultat i suksesit të dobët nga testimi i vitit të kaluar ekstern, janë premtimet që e kanë bërë Sindikatën të ndërpresë grevën, e cila zhvillohej prej 11 ditësh. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Jakim Nedellkov thotë se është herët të flitet se sa përqind do të rriten rrogat e mësimdhënësve, por premton se pas një rishikimi nga ana e Ministrisë së Financave, rrogat e mësuesve do të barazohen me ato të sektorëve të tjerë publikë.

“Sa i përket rritjes së rrogave të mësuesve që është një çështje e rëndësishme për ne, jemi marrë vesh që gjatë periudhës së ardhshme MASH-i, SASHK-u dhe Ministria e Financave të analizojnë në mënyrë reale rrogat në arsim duke i krahasuar ato me rrogat e tjera të veprimtarisë nëpër sektorët publikë d.m.th do të kërkojmë pasi jemi të bindur se rrogat tona janë më të ulëta krahasuar me sektorët e tjerë publikë. Jemi të bindur në mundësinë e realizimit të një korrigjimi dhe rrogat tona të rriten; të kemi një rrogë reale sikur gjithë të tjerët në sektorin publik”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Nedellkov tha gjithashtu se MASH-i do të respektojë Marrëveshjen Kolektive dhe për 11 ditët e grevës; pra mësuesve do t’ua lëshojë rrogën ashtu edhe siç parashikon ligji për arsim fillor dhe të mesëm.

“Zgjidhja është e tillë dhe ne në bazë të ligjit e kishim patjetër të arrinin një marrëveshje ‘solomone’ ku gjobat dhe shpërblimet, që rrodhën nga testimi ekstern të shtyhen, që d.m.th se nuk do të ketë gjoba dhe shpërblime për kolegët tanë që ishin në listat publike për aq kohë sa MASH-i dhe SASHK-u nuk merren vesh për modelin e ri të testimit ekstern dhe mënyrës së re të vlerësimit të mësuesve”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi thotë se do të respektojë marrëveshjen e arritur me SASHK-un. Sipas tij mënyra e vetme e realizimit të kërkesave të mësimdhënësve është dialogu social.

“Janë precizuar disa aktivitete, në radhë të parë ka të bëjë me ngrirjen e dënimeve dhe shpërblimeve për mësimdhënësit në bazë të notimit ekstern për vitin e kaluar shkollor. Gjithashtu jemi marrë vesh që të vazhdojnë bisedimet për uljen e të gjitha dënimeve në arsim për të cilat ne kemi rënë dakord që janë të larta dhe të njëjtat duhet të ulen dhe të modifikohen. Jemi marrë vesh që të vazhdojnë bisedimet në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave rreth shikimit të mundësisë për rritjen e rrogave në sferën e arsimit. Në një periudhë të afërt njëri nga ditarët të eliminohet nga procesi, dhe në bazë të të gjitha gjasave do të hiqet ditari në letër”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkohë, megjithë ndërprerjen zyrtarisht të grevës në disa shkolla fillore dhe të mesme të Shkupit bojkoti ka vazhduar. Mësuesit e këtyre shkollave thonë se janë të pakënaqur nga mënyra e realizimit të marrëveshjes mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë nga Ministria e Arsimit thonë se prej momentit të ndërprerjes së grevës, ata mësues që nuk do të paraqiten në punë 3 ditë apo do të vazhdojnë me grevën, ekziston mundësia të përjashtohen nga puna.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *