Home / Lajme / Maqedoni / Kryetari i PDSH-së z. Menduh Thaçi në takim me Nishanin dhe Metën (VIDEO)‏

Kryetari i PDSH-së z. Menduh Thaçi në takim me Nishanin dhe Metën (VIDEO)‏

Tiranë, 17 Shkurt – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi sot realizoi vizitë zyrtare në Tiranë, me ç’rast takoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani, si dhe Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi ka realizuar takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani. Gjatë takimit është biseduar për çështjet aktuale politike në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe për proceset integruese rajonale. Kryetari Thaçi në takim shprehu shqetësimet e Partisë Demokratike Shqiptare për bllokimin e procesit integrues të Maqedonisë dhe të realizimit e të drejtave kolektive të shqiptarëve, pa të cilat nuk garantohet mbijetesa e Maqedonisë. Kryetari Thaçi gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë si shumë të vlefshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe theksoi se Shqipëria përbën një faktor të rëndësishëm për stabilitetin rajonal e më gjerë. Në këtë takim, Presidenti Nishani përgëzoi Partinë Demokratike Shqiptare dhe Kryetarin Thaçi për kontributin në zhvillimin e demokracisë dhe të proceseve integruese të Maqedonisë, si dhe për realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon.

Gjatë vizitës së sotme në Tiranë Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi realizoi takim edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta. Në takim është biseduar për çështje aktuale politike, për rëndësinë e integrimeve euro-atlantike të vendit dhe rajonit, për shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe tema të tjera politike.

Pas këtij takimi, Kryetari i PDSH-së, z.Menduh Thaçi dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta dhanë një prononcim për shtyp:

Ilir Meta: “Sot pata takim me liderin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, me z.Menduh Thaçi dhe shkëmbyem mendime rreth zhvillimeve në Maqedoni, në Shqipëri dhe në rajon. Natyrisht që do të shfrytëzoj nga rasti që të uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës festën e pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, pasi sot është një ditë e çmuar. Së dyti dua të shpreh vlerësimin tim për angazhimet e z.Thaçi dhe të partisë së tij dhe të gjithë faktorit shqiptar, për të shtyrë Maqedoninë drejt proceseve integruese dhe drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, si dhe të ecet më shpejtë drejt realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, po edhe njëkohësisht të përmirësimit të situatës ekonomiko-sociale të shqiptarëve, në mënyrë të veçantë të gjithë qytetarëve në Maqedoninë perëndimore. Besoj se këto takime janë gjithmonë të dobishme për të ndjekur në mënyrë hap pas hapi, por njëkohësisht edhe tregojnë se marrëdhëniet midis Kuvendit të Shqipërisë dhe faktorit të rëndësishëm parlamentar në rajon dhe konkretisht në Maqedoni janë gjithnjë dinamike”.

Menduh Thaçi: “Jo vetëm kënaqësi, por është edhe obligim, unë mendoj se është mirë që krijohet një praktikë normale të komunikimit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë me drejtuesit e institucioneve në Shqipëri. Me z.Ilir Meta biseduam për shumë çështje. Për ne shqiptarët e Maqedonisë është tejet e rëndësishme që në rend të parë të jemi mirë të informuar për situatat rajonale dhe ndërkombëtare, që të mos bëhet ndonjë gabim nga mungesa e informacioneve. E informova z.Meta për shqetësimin tonë kryesorë që kemi si shqiptarë, për bllokimin e procesit integrues drejt UE dhe NATO-s, që na shqetëson tepër shumë dhe nga ana tjetër na e komplikon çështjen e të drejtave tona, qofshin politike apo ekonomike. Bashkërisht ramë dakord që të vazhdojmë me këto komunikime dhe bashkërisht të mirë informohemi dhe të vazhdojmë të veprojmë drejt rrugës tonë të përbashkët, të perëndimit, integrimeve dhe kështu me radhë”.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *