Home / Lajme / Maqedoni / Letër e hapur nga Eco Guerilla:MBROHU ose HELMOHU, zgjidhje tjetër s’ka!

Letër e hapur nga Eco Guerilla:MBROHU ose HELMOHU, zgjidhje tjetër s’ka!

4 shkurt-Duke qenë se kjo protestë nuk ka agjendë tjetër përpos asaj civile dhe ekologjike, ne si organizatorë do distancohemi nga çfarëdo tendencë eventuale e dikujt për t’i dhënë kësaj proteste një ngjyrim tjetër.

Të nderuar banorë të komunave Tetovë, Jegunovcë, Tearcë, Zhelinë, Bërvenicë, Bogovinë,
Në emër të lëvizjes qytetare Eco Guerilla, po ju drejtohem për t’ju bërë një ftesë publike për protestën me moto “Mbrohu ose Helmohu, zgjidhje tjetër s’ka!” që do mbahet me 6 Shkurt 2015 (e premte) me fillim në ora 13:00 në sheshin “Iliria” në Tetovë.
Problemi është i qartë. Qytetarët e këtij rajoni thithin ajër të helmuar. 310 nga 365 ditët e 2014 kanë qenë me ajër të ndotur deri 20 herë mbi masën e lejuar. 35 ditët e para të vitit 2015 (deri në momentin kur është shkruar kjo letër) janë me ajër të ndotur, shumë herë mbi masën e lejuar. Prania e grimcave kancerogjene PM10 në ajrin tonë është shkaktari i kancerit në mushkërri, sëmundje kjo që për 3 vite ka shënuar ngritje prej 80%.
Shkaktari kryesor i kësaj ndotje (54% e problemit) mbetet fabrika Jugohrom e cila vazhdon të punojë pa vendosjen e filtrave ekologjikë. Shkaktarët tjerë janë lëndët djegëse që përdorin amvisëritë dhe institucionet për ngrohje, komunikacioni, djegia e mbeturinave dhe lënd0ëve të ndryshme nëpër deponi apo në pronat e bizneseve të ndryshme.
Si organizatorë të shumë protestave kundër ndotjes së ajrit, por edhe të kësaj proteste, NE – lëvizja qytetare Eco Guerilla i kemi bërë thirrje disa herë autoriteteve përgjegjëse të zgjidhin këtë problem, por Qeveria e Republikë së Maqedonisë është treguar e shurdhër ndaj kërkesave tona legjitime dhe është bërë avokat i fabrikës që punon në kundërshtim me ligjet e këtij vendi, duke lënë të helmohen mbi 300,000 banorë të rajonit të Pollogut. Në këtë kontekst dua të përmend se kemi gjetur mirëkuptim dhe mbështetje tek autoritetet lokale të cilët kanë premtuar që do angazhohen për të zgjidhur problemet që i kanë në dorë (transportin publik, mungesën e vendparkimeve, mungesën e hapësirave të gjelbërta dhe sidomos menaxhimin e deponive të mbeturinave), të cilëve do vazhdojmë t’ju kërkojmë që planet në letër t’i realizojnë në terren.
Duke qenë se ABSOLUTISHT ÇDOKUSH është në rrezik nga thithja e ajrit të helmuar, kjo ftesë vlen për çdo frymor që jeton në këtë territor. Çdo qenie e gjallë helmohet, pavarësisht nga bindjet politike apo fetare, përkatësia nacionale apo gjinore, pavarësisht moshës apo shkallës së edukimit, pavarësisht profesionit apo pozitës në shoqëri…
Eco Guerilla ju fton që ditën e premte, me datë 6 Shkurt 2015, me fillim në ora 13:00, sa më masovikisht të grumbullohemi në sheshin “Iliria” në Tetovë, për t’i treguar qeverisë se s’jemi minj eksperimental, se s’jemi dakord të na helmojnë neve, familjet tona, fëmijët tonë. T’ua themi qartë e troç se ajri jonë, toka jonë dhe uji jonë janë burimi i jetës sonë, dhe nuk do lejojmë që të bëhen mjete përfitimi për pangopësinë e disa korporatave që s’pranojnë të vëndosin filtrat ekologjikë.
Ftojmë drejtorët dhe mësuesit e shkollave të Tetovës që së bashku me nxënësit e tyre të jenë në protestë. Ftojmë rektorët, dekanët, profesorët dhe sidomos studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore që me pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë, të marrin rolin që ju takon në shoqëri. Ftojmë bizneset në Tetovë që për një orë (sa do zgjasë protesta) të mbyllin dyqanet, kafenetë, restoranet, marketet, zyrat, bizneset e tyre dhe të gjejnë kohë për t’u bashkuar në këtë protestë. Ftojmë udhëheqësit e institucioneve të ndryshme publike në Tetovë që bashkë me të gjithë të punësuarit e tyre të marrin pjesë në këtë protestë. Ftojmë gjithë organizatat e sektorit civil të rreshtohen në një front të përbashkët me ne në këtë luftë për të drejtën tonë për të marrë frymë. Ftojmë poashtu organizatat e huaja që kanë përfaqësi në Tetovë që të harrojnë për një ditë rolin e vëzhguesit dhe të bëhen pjesë e kësaj proteste për ajrin që edhe ata e thithin bashkë me ne.
Duam të paralajmërojmë organizatat, lëvizjet si dhe partitë politike që pjesëmarrja e tyre në këtë protestë është e mirëseardhur, por roli i tyre në të do ngelet thjeshtë roli i një qytetari që proteston për ajër. Çdo tendencë e kujtdoqoftë për të shfrytëzuar gjenocidin ekologjik dhe vuajtjet e qytetarëve të Tetovës për interesa partiake apo politike do dënohet me termat më të ashpër në mënyrë publike, dhe aty – në vendin e protestës. Çdo tendencë e kujtdoqoftë që të politizojë këtë protestë përmes deklaratave, flamujve apo simboleve partiake, është dhe do mbetet tendencë për të dëmtuar qytetarët e Tetovës në luftën e tyre të shenjtë për të marrë frymë. Çdo tendencë e tillë do konsiderohet si mbështetje e gjenocidit nga ana e personave në fjalë, dhe organizatori i protestës nuk do ju garantojë siguri nga revolta e qytetarëve në shesh apo gjatë marshimit.
Duke qenë se kjo protestë nuk ka agjendë tjetër përpos asaj civile dhe ekologjike, ne si organizatorë do distancohemi nga çfarëdo tendencë eventuale e dikujt për t’i dhënë kësaj proteste një ngjyrim tjetër. Ne jemi thjeshtë të interesuar për të zgjidhur problemin, dhe e dimë që kjo s’do jetë diçka e lehtë prandaj jemi përgatitur për një betejë të gjatë që t’i sigurojmë qytetit tonë një të drejtë elementare dhe kushtetuese.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *