Home / Lajme / Maqedoni / Nesër protesta kundër ndotjes fillon ora 13.00 në sheshin në Tetovë

Nesër protesta kundër ndotjes fillon ora 13.00 në sheshin në Tetovë

5 shkurt-“Po ashtu do kisha dashur të iu bëj thirrje edhe institucioneve të ndryshme, shkollave, universiteteve bizneseve të ndryshme, që gjatë ditës së premte nga ora 1 deri në orën 2 apo dy e gjysmë sa do të zgjasë protesta që ti lënë të lirë të gjithë punëtorët, të gjithë studentët dhe nxënësit që të dalin sa më tepër sepse është shumë me rëndësi”, tha Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”.

Më shumë se 25 shoqata të ndryshme nga Tetova dhe rrethina kanë paralajmëruar përkrahje të protestës së nesërme kundër ndotjes së ajrit me slogane “Mbrohu ose helmohu – zgjidhje tjetër nuk ka”, të organizuar nga lëvizja qytetare Eco Guerilla. Drejtuesi i lëvizjes Arianit Xhaferi ka porositur të gjithë banorët e Pollogut që nesër, nga orën 13:00 të dalin në mënyrë masive në sheshin “Iliria” në Tetovë për të shprehur pakënaqësinë e tyre, kundër ndotjes së ajrit.

“I ftoj të gjithë qytetarët çfarëdo moshe apo gjinie kanë apo profesionit, pavarësisht bindjeve partiake apo politike fetare e kombëtare, me një fjalë kushdo që merr frymë, duhet të dalë dhe të ngrejë zërin. Është e domosdoshme, sepse nëse presim që dikush tjetër do e bëj – nuk do e bëj askush tjetër. Fatkeqësisht ata që kanë fuqinë të vendosin për këtë gjë – ata shpesh na shohin si vota jo si njerëz, prandaj sa më shumë vota të shohin që u rrezikohet kolltuku i tyre aq më shpejtë do reagojnë, prandaj i lus të gjithë qytetarët që mos ta lënë për një herë tjetër, pra të gjejnë kohën ku do që ta gjejnë dhe të dalin ditën e premte në orën një”, deklaroi Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”.

Xhaferi iu bëri apel edhe institucioneve për solidarizim, në mënyrë që jehona e protestës të jetë sa më e madhe, dhe autoritetet të marrin masa më urgjente.

“Po ashtu do kisha dashur të iu bëj thirrje edhe institucioneve të ndryshme, shkollave, universiteteve bizneseve të ndryshme, që gjatë ditës së premte nga ora 1 deri në orën 2 apo dy e gjysmë sa do të zgjasë protesta që ti lënë të lirë të gjithë punëtorët, të gjithë studentët dhe nxënësit që të dalin sa më tepër sepse është shumë me rëndësi”, tha Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”.

Sipas informatave nga “Eco Guerilla” për protestën e nesërme në të cilën pritet të marrin pjesë një numër i madh qytetarësh, janë bërë të gjitha parapërgatitjet. Protesta do fillojë në sheshin “Iliria” në orën 13:00 ndërsa do marshohet deri tek unaza në hyrje të Tetovës prej Shkupi, ku edhe do bllokohet rruga për disa minuta.

Letër e hapur nga nënat tetovaretë organizuara në grupin Nena dhe Fëmija në rrjetin social Facebook.
Tetova e ndotur nuk hesht më!

Grupi i formuar nga Nënat e fëmijëve tetovarë, të cilët muajve të fundit po helmohen në mënyrë masive nga tymi toksik i Jugohromit, në nismën tonë ngremë zërin dhe i themi STOP kësaj çmendurie dhe katastrofe ekologjike që u bëhet kryesisht më të vegjëlve tanë pasi edhe janë pjesa më e ndjeshme e popullatës.
Thërrasim të gjitha nënat, gjyshet e vajzat të përkrahin kërkesën tonë dhe të fëmijëve tanë duke na u bashkangjitur në protestën e së premtes,06 shkurt, në 13:00 në sheshin e qytetit.
I drejtohemi secilit institucion me përgjegjësi ndaj këtij ecocidi duke filluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me të gjitha organet në përbërje të saj në veçanti Inspektoratit shtetëror në kuadër të saj. I drejtohemi Qeverisë së Maqedonisë të dëgjojë zërin tonë të fortë, reagimin tonë me vend dhe apolitik. Porosinë tonëia dërgojmë deputetëve të kësaj zone, Kryetarëve të komunave të Tetovës dhe Jegunovcës dhe të gjithë deputetëve në Kuvend që të gjejnë mekanizma të ndërpresin sa më parë fenomenin vdekjeprurës që i bëhet jo vetëm kësaj gjenerate por edhe atyre në vijim.
Nuk do t’u kishim lodhur me statistikat që qindra herë i keni dëgjuar nga reagime të ndryshme të qytetarëve me përgjegjësi morale nga profesione të ndryshme por kryesisht mjekë, dhe nga lëvizje qytetare që punojnë në rritjen e vetëdijes së qytetarëve, por këtë nuk e lëmë pa përmend : Sipas Qendrës së Shëndetit Publik në 2014 në krahasim me 2013 ka rritje të madhe te numri i fëmijëve të sëmurë nga sëmundjet e traktit respiratorë të grup moshës 0-6 ka një rritje për 7903 pacientë ose 46 % më tepër se 2013 kurse të grup moshës 7-24 një rritje prej 30 % ose 5743 pacientë. Këto numra janë më tepër se alarmante.
Tetova në vitin 2010 kishte vetëm 1319 të sëmurë prej tipave të ndryshme të kancerit, kurse 2013 kjo shifër ishte gati se e dyfishuar, respektivisht në 2013 në Tetovë u regjistruan 2375 të sëmurë nga tipa të ndryshme të kancerit.
Ndikimi i ndotjes së mjedisit çon në rritjen e numrit të aborteve, gjë që është dëshmuar në mjekësi , por edhe shumë e logjikshme, sepse shumë substanca të dëmshme depërtojnë deri në placentën e një gruaje shtatzënë duke dëmtuar fetusin dhe shkaktuar abortin. Së bashku me fëmijët dhe të rriturit, gratë dhe shtatzëna janë grupi më i ndjeshëm në komunitet. Analiza e kohëve të fundit që është bërë në Veles nga ana e BE-së, ka treguar se ka pasur një rritje të numrit të aborteve dhe keq formime kongjenitale tek gratë që shtatzëninë e tyre kanë regjistruar në spitalin e Velesit, pikërisht për shkak të ndotjes nga shkritorja. Këtë e thotë Dr.Kociq për DeutscheWelle. I referohemi rasteve të qytetit te Velesit nga shkaku që konsekuencat e shkritores janë të dokumentuara dhe pasi ai qytet pas një lufte të gjatë arriti të ndërpres punën dëmprurëse të shkritores.
Sipas analizës, në Tetovë në rritje janë sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes gjë që ndikon negativisht edhe në paraqitjen e fetusit të pazhvilluar apo të vdekur.
Prof. Dr Fatmir Ferati, Kardiolog thotë që ndotja e ajrit me PM10 bën ndryshime në ritëm, ndikon në tensionin e gjakut dhe ndryshimeakute që çon në rritje të infarkteve dhe arteriosklerozës.
Është krejtësisht absurde të mendohet qe përfaqësuesit politik ketë nuk e dinë. Gjithkush që lejon këtë situatë për shkak të përfitimeve politike dhe bizneseve të pandershme nesër do ndeshet me akuzë nga vet fëmijët e vet. Ta dimë dhe të heshtim është mëkati më i madh që mund t’i bëhet ardhmërisë tonë – fëmijëve.
Atë që institucionet e dinë është se Tetova dhe qytetarët e saj të urtë, prindërit e qytetit me natalitet më të lartë në shtet, kure nuk kanë kërkuar “të pamundurën“. Nuk kemi kërkuar as parqe të gjelbërta, as kopshte moderne, reparte të pediatrisë të standardeve Evropiane, por jemi pajtuar me atë që na keni dhëne ju, hapësirat dhe mbeturinat nga komunizmi! Mos të flasim për sallë sportive e pishina fëmijësh, që gati çdo qytet tjetër në shtet i ka. Ua kemi kuptuar hallin. Nuk ju kuptojmë dot më pasi jeni të pakuptueshëm me indiferencën tuaj me të cilën bëheni pjesë e krimit ndaj popullatës duke mbyllur veshët tuaj.
Ne si nëna kemi vendosur që brengën tonë ta shprehim përmes komunikimit me gjitha strukturat përgjegjëse, me kontakte dhe përmes mediumeve. Aktiviteti jonë vazhdon duke përkrahur protestat e organizuara nga EcoGuerilla dhe organizata tjera civile që merren me këtë çështje, dhe duke qëndruar të përgatitura për aktivitete tjera në kuadër të grupit tonë që në fakt lindi nga rrjetet sociale.
Një nga aktivitetet është peticioni online në Avaaz i cili dita ditës nënshkruhet dhe përkrahet nga të gjithë që duan një jetë në ajër të pastër, një ardhmëri për më të dashurit tonë.
Me pjesëmarrjen tonë në protestën e radhës, duam të dërgojmë edhe mesazhin që vjen direkt nga Fëmijët tanë që ata janë të gatshëm të shesin lodrat e tyre që të ju ndihmojnë ndotësve të blejnë filtra dhe t’ua kthejnë ajrin e pastër, e drejtë kjo fundamentale e garantuar me Kushtetutë dhe Konventa ndërkombëtare.
Nga takimi i realizuar me kryetaren e komunës së Tetovës humbëm shpresat që ky institucion do të jetë në gjendje të ndërmerr diçka në lidhje me ndotësin Jugohrom nga shkaku që i njëjti i takon komunës së Jegunovcës por që komuna punon dhe prodhon rezultate në frontet tjera të ndotësve si që është komunikacioni. Ne apelojmë që komuna të vazhdon përpjekjet e saj në kuadër të kompetencave ligjore që ka.
Me respekt,
Iniciativa qytetare Nëna dhe fëmija

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *