Home / Lajme / Rajon / “Süddeutsche Zeitung”: Kosova po shpërngulet

“Süddeutsche Zeitung”: Kosova po shpërngulet

14 Shkurt – “Kosova po shpërngulet. Është një vend shumë i vogël me papunësi shumë të madhe. Mjerimi ekonomik në Kosovë është më i madh se dashuria për atdhe e njerëzve.

“Kosova po shpërngulet. Është një vend shumë i vogël me papunësi shumë të madhe. Mjerimi ekonomik në Kosovë është më i madh se dashuria për atdhe e njerëzve. Dashurinë për atdhe ata nuk mund ta hanë. Ajo nuk krijon vende pune. Andaj njerëzit po nisen drejt një vendi ku gjoja ka mjaft punë: në Gjermani”, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.

Ikja masive e njerëzve nga Kosova për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, keqqeverisjes shumëvjeçare dhe korrupsionit të pushtetarëve po përcillet me vëmendje të madhe nga mediet gjermane.

Gazeta me renome e Münchenit “Süddeutsche Zeitung” (SZ) shkruan në numrin e së shtunës se deri të enjten autoritetet gjermane kanë regjistruar 18 mijë njerëz nga Kosova, të cilët kërkojnë azil. Sipas “SZ” kosovarët përbëjnë momentalisht grupin më të madh në mesin e azilkërkuesve: “Ky është një zhvillim dramatik. Gjatë tërë vitit 2010 kanë ardhur më pak kosovarë, gjithsej 2200. Më parë shpesh kanë qenë pjesëtarët e pakicave të diskriminuara, romët për shembull, por ndërkohë po largohet me sa duket edhe shtresa e mesme prej njërit nga vendet më të varfra të Ballkanit. Ata po përpiqen që përmes kërkesës për azil të gjejnë strehë në Gjermani, një vend ku shpresojnë të gjejnë punë, mirëqenie, ardhmëri personale – dhe me këtë synim ata dështojnë, me pak përjashtime. Varfëria dhe pashpresa nuk janë arsye për azil”.

Në vazhdim të artikullit “Süddeutsche Zeitung” e krahason ikjen e kosovarëve me arratisjen e gjermanëve nga Republika Demokratike e Gjermanisë, një shtet diktatorial nën kontrollin e sovjetikëve, përcjell koha.net. “Kur ka ekzistuar Republika Demokratike e Gjermanisë kjo quhej votim me këmbë: me mijëra njerëz braktisnin vendin, ata dëshironin të shkëputeshin nga mungesa e perspektivës, duke besuar se nën këta sundimtarë nuk do të ndryshojë asgjë. Kjo tani po ndodh edhe në Kosovë. Pas një pati disamujor në fillim të dhjetorit – më në fund – u formua një qeveri e re në Prishtinë, por kjo është një qeveri e vendnumërimit. Nën presionin edhe të shteteve të BE-së dy parti të armiqësuara u bashkuan në një koalicion. Reforma të thella, luftë e domosdoshme kundër korrupsionit dhe një sistem i pastër i drejtësisë nuk mund të priten nga kjo qeveri. Kështu kanë shkruar edhe gazetat e mëdha të vendit. Pas pak filloi shpërngulja masive. Kosovarët e kanë humbur shpresën”.

Gazeta njofton se shumë politikanë gjermanë janë të habitur dhe zemëruar me ardhjen kaq masive të kosovarëve. Ministri i Brendshëm i Landit Niedersachsen Boris Pistorius ka deklaruar se kjo masë e njerëzve është pothuaj e papërballueshme. Kryeministri i Landit Baden-Württemberg Winfried Kretschmann i ka shkruar një letër kancelares Angela Merkel ku ankohet se kjo ardhje masive e kosovarëve e rrezikon edhe vetë “akceptimin e të drejtës për azil” nga shoqëria gjermane. Sipas “SZ” autoritetet po bëjnë përpjekje që kërkesat për azil të kosovarëve të trajtohen brenda dy javësh, në mënyrë që sa më shpejtë të fillojë procedura e kthimit të tyre në atdhe.

Në një koment të po kësaj gazete, mes tjerash, theksohet: “Ky vend (Kosova) po shpërngulet. Është një vend shumë i vogël me papunësi shumë të madhe. Mjerimi ekonomik në Kosovë është më i madh se dashuria për atdhe e njerëzve. Dashurinë për atdhe ata nuk mund ta hanë. Ajo nuk krijon vende pune. Andaj njerëzit po nisen drejt një vendi ku gjoja ka mjaft punë: në Gjermani. (…) Shteti i vockël i quajtur Kosovë ka nevojë për struktura të cilat janë të durueshme për njerëzit. Europa Perëndimore duhet të ndihmojë. Kosovës i duhen fabrika. Ky vend duhet të bëhet vend ku njerëzit kanë dëshirë të rrinë”.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *