Home / Lajme / Botë / Ushtria turke hyn në Siri

Ushtria turke hyn në Siri

22 Shkurt – Qindra trupa turke me automjete të blinduara kanë hyrë në Kobani të Sirisë dhe kanë evakuuar një varr historik osman dhe ushtarët që e ruanin atë.

Qindra trupa turke me automjete të blinduara kanë hyrë në Kobani të Sirisë dhe kanë evakuuar një varr historik osman dhe ushtarët që e ruanin atë.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se operacioni ka qenë i suksesshëm dhe se eshtrat e Suleyman Shahut, gjyshit të themeluesit të Perandorisë Osmane, do të zhvendosen diku tjetër në Siri.

“Trupat turke kanë hyrë në Siri me rreth 100 automjete – 39 tanke dhe 57 automjete të blinduara – dhe me 572 ushtarë. Rreth orës 3 të mëngjesit, trupat tona kanë arritur te varri i Sulejman Shahut. Ata kanë përfunduar misionin e tyre shpejt dhe, po ashtu, është mbajtur një ceremoni fetare për zhvendosjen e eshtrave”, ka thënë Davutoglu.

Ai, po ashtu, ka thënë se trupat e tij kanë shkatërruar varrin, me sa duket për të ndaluar përdorimin e tij nga militantët e Shtetit Islamik.

Davutoglu ka thënë se Turqia nuk ka kërkuar leje ose ndihmë për misionin, porse ka informuar aleatët e koalicionit ndërkombëtar kundër grupit të Shtetit Islamik, pasi ka nisur operacionin.

Turqia e konsideron vendin e shenjtë si territor sovran, por Siria e ka cilësuar ndërhyrjen si “agresion flagrant”.

Në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror, Siria ka thënë se Turqia ka informuar konsullatën e saj në Stamboll në lidhje me operacionin, porse nuk ka pritur për miratimin e Sirisë.

Varri i Suleyman Shahut ka qenë e vetmja enklavë turke jashtë vendit, në përputhje me një marrëveshje të nënshkruar në vitin 1921.

Turqia ka qenë vazhdimisht e shqetësuar me forcimin e militantëve të Shtetit Islamik në këtë zonë. Në mars të vitit 2014, Shteti Islamik ka kërcënuar se do të sulmojë varrin nëse trupat turke që e ruajnë atë, nuk tërhiqen brenda tre ditësh. Por, një sulm i tillë, megjithatë, nuk ka ndodhur.

Në gusht të vitit 2012, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në atë kohë kryeministër, kishte paralajmëruar se çdo akt kundër varrit do të konsiderohet si “sulm në territorin tonë dhe në tokën e NATO-s”.

Duke folur të dielën në televizion, Davutoglu ka thënë se operacioni është kryer “për të mbrojtur vlerat tona shpirtërore dhe sigurinë e forcave tona të armatosura”.

Ai ka thënë se eshtrat e Suleyman Shahut janë zhvendosur në Turqi, porse, së shpejti, do të rivarrosen në një zonë të Sirisë, më afër kufirit me Turqinë dhe nën kontrollin e ushtrisë turke.

Davutoglu ka thënë se nuk ka pasur përleshje me militantët e Shtetit Islamik gjatë operacionit, porse një ushtar ka vdekur në një aksident.

Kobani ka qenë në fokus të sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara, derisa forcat kurde kanë luftuar militantët e Shtetit Islamik, të cilët kontrollojnë një të tretën e Irakut dhe disa territore në Siri.

Gjithashtu lexo

Lind 10 vjeçarja indiane, viktimë e dhunimit

Një vajzë 10 vjeçare ka lindur foshnjën e saj sot në Indi, si shkak i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *