Home / Lajme / Maqedoni / Zhduket Uran Kupa nga Veleshta, komuna e Strugës apelon për ndihmë

Zhduket Uran Kupa nga Veleshta, komuna e Strugës apelon për ndihmë

Strugë, 08 Shkurt – Një ngjarje e rëndë e ka tronditur tërë Strugën bashkë me institucionet vendore të cilat kanë alarmuar gjitha institucionet shtetërore por edhe ato ndërkombëtare.

Fjala është për zhdukjen e 27 vjeçarit Uran Kupa, nga fshati Veleshtë, i punësuar në Komunën e Strugës, në shërbimin e sigurimit të Komunës së Strugës dhe si pjesë e eskortës së kryetarit Ziadin Sela.

Për këtë rast, në prani të prindit dhe familjarëve të afërm të Uran Kupës, kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka zhvilluar një takim me gazetarë, në të cilin ka informuar për rastin dhe masat që kanë ndërmarrë bashkërisht me familjen e Uran Kupës.

“Nga data 6 shkurt, rreth orës 19.00, është zhdukur pa gjurmë Uran Kupa, i punësuar në Komunën e Strugës, në shërbimin e sigurimit. Ka qënë edhe pjesë e sigurimit tim personal. Ai sipas familjarëve, ka dalë nga shtëpia rreth orës 18.30, me veturën e tij të markës “Audi A 4” me targa të Strugës, SU-7424 AB dhe është pritur që së shpejti të këthehet në shtëpi. Mirëpo nga ai moment, i zhduket çdo gjurmë atij dhe veturës së tij”-theksoi në fillim të takimit me gazetar kryetari i Komunës Ziadin Sela.

“Familjarët e shqetësuar, menjëherë atë natë, fill pas mesnatës rastin e kanë paraqitur në polici, pra e kanë njoftuar Stacionin e policisë në Strugë dhe është kërkuar informacion për vendndodhjen eventuale të tij dhe veturës së tij. Mirëpo, edhe tani kur po flasim, nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet Uran Kupa dhe çfarë ka ndodhë me te”-shtoi në vazhdim kryetari Ziadin Sela.

Nga familjarët është bërë e ditur se Urani nuk ka pasë ndonjë kërcënim ose ndonjë mosmarrëveshje me askend.

Ziadin Sela, në vazhdim të këtij takimi me gazetar tha se ka njoftuar edhe përfaqsitë ndërkombëtare dhe Misionin e OSBE-së në Maqedoni dhe shtoi: “ Kemi informata nga qytetarë se ata ditë, në Strugë janë vërejtur shumë inspector dhe polic civil që kanë ardhur nga qytetet tjera, që kanë lëvizur nëpër qytet dhe kanë kontrolluar qytetar, që na bën të dyshojmë se ai është arrestuar ose kidnapuar nga ata”.

Në fund të fjalës së tij, Ziadin Sela tha: “Uran Kupa, është i martuar dhe baba i një fëmije 7 muajshe, është qytetar i yni, është punëtor i Komunës së Strugës, ndaj apelojmë që të njoftohemi se ku ndodhet ai, që të mund të drejtohemi organeve përkatëse, sepse dyshimet tona janë se ai është arrestuar apo kidnapuar nga pjesëtarët e sigurimit të shtetit. Këtë në një mënyrë e vërteton se ai atë natë, i ka dërguar bashkëshortes së tij një mesazh (SMS) me përmbajtjen “Mos më kërkoni në telefon, se jam me njerëz”, gjë të cilën sipas familjarëve kurrë më parë nuk ka komunikuar në atë mënyrë. Po ashtu, ai ka pas me vete telefon të teknologjisë së lartë bashkëkohore, që policia shumë lehtë mund të përcakton lokacionin se ku gjendet…por ata nuk kanë njoftuar për asgjë, që na bën të shtojmë dyshimet në operacion të pjesëtarëve të sigurimit të shtetit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë rast banal”-përfundoi kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela.

Komuna e Strugës gjithashtu përmes një apeli publikon kërkon ndihmë nga qytetarët dhe përgjegjësi nga institucionet për gjetjen e qytetarit dhe nëpunësit komunal Uran Kupa, i cili nga 6 shkurti konsiderohet i zhdukur.

“Apelojmë deri te të githë qytetarët të cilët e lexojnë këtë mesazh që të na ndihmojnë në gjetjen e personit, Uran Kupa i moshës 27 vjeçare, me vendbanim nga Veleshta e Strugës, për vendndodhjen e të cilit nuk kemi asnjë informacion, që nga ora 19.00 e datës 6 Shkurt 2015. Për herë të fundit është parë në qytetin e Strugës. Personi në fjalë ka levizur me makinen Audi A4 me targa SU-7424-AB ngjyrë e zezë, për të cilën poashtu nuk ka asnjë informatë. Apelojme tek te gjithë ju që mund të keni informacione lidhur me personin në fjalë apo për makinën që të lajmëroheni në nr. tel. 072 747 400 ose në organet e MPB në tel. 192”, theksoi komuna e Strugës përmes një njoftimi.

Por,rastin e ka alarmuar edhe kryetari i komunës, Ziadin Sela, i cili ka mbajtur një konferencë me mediat. (M.Latifi/INA)

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *