Home / Lajme / Rajon / Digjet shtëpia monumentale e Xhafer Devës në Mitrovicë (Foto)

Digjet shtëpia monumentale e Xhafer Devës në Mitrovicë (Foto)

Mitrovicë, 28 Mars – Sot rreth orës 13:00ka marrë flakë shtëpia monumentale e Xhafer Devës në Mitrovicë. Ajo i takon shekullit XIX.

Policia e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i ka thënë portalit Koha.net se ende janë në mbledhjen e informatave, ndërsa më vonë do të dalin me detaje rreth kësaj ngjarje.

“Zjarrfikësit kanë intervenuar, dhe prej tyre presim që të dalin me konkludime”, ka thënë Zahiti për Koha.net, derisa nuk ka dashur të lëshohet më shumë nëse kjo zjarrvënie është e qëllimshme.

Djegia e monumenteve të mbrojtura me Ligjin për Trashëgimi Kulturore tashmë është bërë praktikë e shumë pronarëve, për t’i lënë vend ndërtimeve të reja. Vetëm në Prishtinë, kësisoj kishte ndodhur me ish-hotelin Union, me ish-konsulatën ruse, e të tjera.

Pajazit Hjazeri nga Mitrovica, njohës i Trashëgimisë Kulturore ka thënë se është e tmerrshme ta shikosh një monument kulture të digjet në mes të ditës e mos të ketë në përkujdesje institucionale.

“Është jashtëzakonisht shqetësues ky fakt. Njëherësh MKRS-ja formon Këshillin Kombëtar me njerëz të profileve të ndryshme që nuk e njohin as në vija të trash gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Me këtë rast i bëjë thirrje MKRS-së që të jetë shumë e kujdesshme në fushën e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Hajzeri.

E kontaktuar nga Koha.net, Rrezarta Loxha, drejtoresh e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e ka quajt tronditëse këtë ngjarje. Ajo ka thënë se është nisur për në vend të ngjarjes, për të parë nga afër se çfarë po ndodh atje.

Portali ka provuar të kontaktojë edhe Ministrinë e Kulturës, por të shtunën kjo ka qenë e pamundur.

Shtëpia e Xhafer Devës është e ndërtuar në bërthamën e vjetër të qytetit, dhe bazuar në Databazën elektronike për Trashëgimi Kulturore të Ministrisë së Kulturës, kjo ndërtesë i takon shekullit XIX.

Shtëpia fillimisht kishte karakter banimi. Ky objekt kryesisht e ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit. Shtëpia e lartpërmendur, është ndërtuar nga Xhafer Deva, njëri prej personaliteteve më të shquara të këtij rajoni.

Xhafer Deva, luajti rol kyç në periudhën kohore 1941–1944, në organizimin dhe mbrojtjen e popullatës shqiptare. Gjatë një periudhe kohore Xhafer Deva ka mbajtur poste kyçe – ishte prefekt i Mitrovicës si dhe Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Shqiptare (1943/44).

Pas lufte si i përndjekur nga pushteti, emigron në SHBA, ku edhe vdes (1978). Shtëpia me etazhitet P+1 i takon tipit të shtëpive me doksat dhe qoshk. Karakteristikë e shtëpisë është se në mesin e fasadës veriore është i paraqitur qoshku (çardaku i mbyllur) ndërsa në fasadën jugore, pamje kjo nga rruga, paraqitet doksati. Në fasadën jugore janë ruajtur elementet dekorative të kohës. Përdhesa funksiononte si hapësirë afariste, ndërsa kati, shfrytëzohet si etazh banimi duke e ruajtur kështu, funksionin për të cilën edhe është ndërtuar.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *