Home / Lajme / Maqedoni / Jankullovska nuk komenton nëse telefonatat e përgjuara janë autentike apo të montuara

Jankullovska nuk komenton nëse telefonatat e përgjuara janë autentike apo të montuara

4 mars-Përkrah Jankullovskës ishte edhe kryetari i qytetit të Shkupit Koce Trajanovski. Ai tentoi të dëshmojë se nuk ndihet i ofenduar nga fjalët e kryepolices Jankullovska dhe Stavrevski, të përdorura në telefonatën e tyre.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, pas një heshtje të gjatë u paraqit në opinion gjatë fillimit të punimeve në stacionin e ri policor në Gjorçe Petrov. Ajo nuk e sheh të arsyeshme të japë dorëheqjen, por përsëriti akuzat ndaj liderit të opozitës Zoran Zaev, edhe pse ishte konfuze nëse bisedat janë të montuara apo autentike.

“Nuk do të komentoja materiale të krijuara të cilat publikohen në mënyrë joligjore dhe që siç ka pranuar ai që i publikon (Zaevi), janë marrë gjithashtu në mënyrë joligjore. Ai po ballafaqohet me një procedurë shumë serioze para institucioneve të Republikës së Maqedonisë”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Mund të precizoni, a janë materiale të montuara apo të incizuara ilegalisht?

“U përgjigja një herë në këtë pyetje”, tha shkurt Jankullovska.

A flenë policët ende me batanijet e Ushtrisë Popullore Jugosllave?

“Konstatimin tuaj keqdashës nuk do të doja ta komentoja, por do të komentoj gjendjen në ministrinë e Brendshme, ku asnjëherë si deri tani nuk është investuar kaq shumë në sigurimin e pajisjeve dhe mjeteve për punën e policisë”, tha Jankullovska.

Për incidentin para komunës Qendër, i pa zbardhur ende, dhe i përmendur gjatë telefonatës së përgjuar, Jankullovska thotë se zgjedhjet e fundit parlamentare mjaftojnë për mbylljen e këtij rasti. Ajo nuk e sheh të arsyeshme të ketë proces gjyqësor, pasi vota e shumicës sipas saj, mjafton për mbylljen e incidenteve të kësaj natyre.

“Kryetari i Komunës Qendër shihet qartë se ka mungesë të ideve dhe projekteve dhe kërkon dorëheqje për një ngjarje që në distancë kohore, mund të them se, është një ngjarje pas së cilës, ne dolëm në zgjedhje, përsëri e fituam besimin, ndërsa unë personalisht si ministre, e fitova edhe besimin e Parlamentit dhe fitova mandat të ri si ministre e Brendshme, që do të thotë se në një shtet demokratik, vota e shumicës është ajo që vendos”, deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Përkrah Jankullovskës ishte edhe kryetari i qytetit të Shkupit Koce Trajanovski. Ai tentoi të dëshmojë se nuk ndihet i ofenduar nga fjalët e kryepolices Jankullovska dhe Stavrevski, të përdorura në telefonatën e tyre.

“Pra, ne duhet të punojmë në realizimin e projekteve. Ajo çfarë mendojmë për njëri tjetrin ka shumë pak rëndësi. Rëndësi ka se kur ti punon në projekte, do të thotë që ti e kryen funksionin tënd”, u shpreh Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Në materialin audio të publikuar nga Zaevi ku dëgjohen zërat e ministrave Jankullovska dhe Stavrevski, Trajanovski etiketohet si njeriu që mbulon gjithë aktivitetet e pista të partisë.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *