Home / Lajme / Maqedoni / Rezoluta e kongresit të BDI-së

Rezoluta e kongresit të BDI-së

30 mars-Konstatojnë që Presidenti jolegjitim është përjashtues dhe që i mungon legjitimiteti i komunitetit të dytë shumicë në vend, nuk përfaqëson shqiptarët dhe nuk mund të jetë figurë unifikuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë

Duke respektuar vendimin unanim të delegatëve pjesëmarrës të Kongresit të III zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim të mbajtur më 5 qershor të vitit 2014 në Tetovë për organizimin e kongresit tematik ku do të diskutohet mbi programin dhe përcaktimet tona politike të ardhme,

Në frymën e deklaratës themeluese të Bashkimit Demokratik për Integrim nga 5 qershori i vitit 2002,

Duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë,

Të udhëhequr nga përcaktimet rilindase shqiptare dhe ideali kombëtar shqiptar,

Të angazhuar për paqë, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në vend dhe rajon, marrëdhënie të shëndosha ndëretnike dhe ndërfqinjësore, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore,

Duke konstatuar të arriturat që nga themelimi i Bashkimit Demokratik për Integrim në drejtim të ndryshimit të Kushtetutës, zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, ndarjes teritoriale dhe decentralizimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe gjuhës zyrtare shqipe, zyrtarizimin e arsimit sipëror në gjuhën shqipe, marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e vizave si dhe proekteve të shumta infrastrukturore, kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale, bujqësore bashkë me fitoret e një pas njëshme zgjedhore,

Të vetëdishëm që në vazhdimësi mund të bëhet akoma më shumë dhe të punohet edhe më mirë si dhe më me përkushtim në të gjitha nivelet,

Të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian,

Të udhëhequr nga normat e përcaktuara në Rregulloret e mbrendshme dhe Statutin e Bashkimit Demokratik për Integrim të miratuar më 5 qershor 2014,

Në përputhje me vullnetin e shumicës absolute të popullit shqiptar të shprehur në zgjedhje të lira dhe demokratike më 27 prill 2014,

Në harmoni me programin zgjedhor dhe platformën politike të Bashkimit Demokratik për Integrim,

Delegatët e Kongresit Tematik të Bashkimit Demokratik për Integrim të mbajtur më 28 dhe 29 mars 2015 në Shkup njëzëri miratuan:

Rezolutë

Delegatët pjesëmarrës të punimeve të Kongresit Tematik të Bashkimit Demokratik për Integrim:

Konfirmojnë përcaktimet politike si dhe vlerat demokratike të theksuara në Deklaratën Politike të themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim,

Obligojnë të gjitha organet e Bashkimit Demokratik për Integrim që të veprojnë në përputhje me detyrimet e paracaktuara në dokumentet themeluese të partisë dhe në programin politik të përkrahur nga qytetarët në zgjedhje të lira dhe demokratike,

Udhëzojnë organet e partisë që të vijojnë kursin EuroAtlantik si alternativë të vetme për të ardhmën e përbashkët të Maqedonisë dhe të angazhohen për zbatim të plotë të normave dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, marrëdhënie të mira me fqinjët nëpërmjet të dialogut konstruktiv, kompromisit, mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare, nënshkrimit të marrëveshjeve për fqinjësi të mirë dhe mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura,

Kërkojnë vijimin dhe thellimin e marrëdhënieve institucionale vëllazërore më autoritetet e Prishtinës dhe të Tiranës dhe avancimin e lidhjeve politike dhe infrastrukturore me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë,

Apelojnë që dialogu politik midis partive politike të nis pa vonesë dhe me agjendë të qartë dhe të paracaktuar nga pala e tretë ndërmjetësuese e përfaqësuar nga Komisioni Evropian,

Konsiderojnë që përfshirja e Bashkimit Demokratik për Integrim në dialogun e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar është e patjetërsueshme dhe paraqet garancë për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike,

Kundërshtojnë çdo përgjim të paligjshëm të qytetarëve dhe e konsiderojnë si të papranueshëm një veprim të tillë,

Kërkojnë nga gykatat vendore, të ndihmuara nga ekspert ndërkombëtar, të hetojnë në mënyrë të paanëshme, transparente dhe sa më të shpejtë përgjegjësinë për përgjimet e paligjshme si dhe njëkohësisht të adresojnë pretendimet e të gjitha palëve të përfshira,

Synojnë sundim të drejtë dhe të barabartë të ligjit, shkarkim nga ngarkesat etniko-fetare nga gjykatës dhe prokuror të caktuar si dhe transparencë dhe paanshmëri absolute të gjyqësorit,
Vlerësojnë që organet më të larta të drejtësisë duhet të reflektojnë me përgjegjësi mbi ndjeshmërinë e situatës dhe të veprojnë në mënyrë që të hapet rruga e zgjidhjes institucionale të krizës politike në vend,
Dakordohen që çdo zgjidhje e arritur midis partive politike pjesëmarrëse në dialogun e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar duhet që të përfshijë edhe konsensus kombëtar mbi nevojën për zgjidhje të çështjes së emrit si dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve për fqinjësi të mirë,

Promovojnë vlerën e zhvillimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë,

Demokracia e mirëfilltë konsensuale duhet të përcaktohet me zgjidhje sistemore si e vetmja formë për ushtrim funksional dhe efektiv të pushtetit në vendin tonë,

Konfirmojnë që partnerët koalicionues duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, që mundëson konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje,

Gjykojnë që konsensualiteti nuk u arrit në zgjedhjet presidenciale dhe rrjedhimisht, si pasojë e mungesës së konsensusit midis dy komuniteteve më të mëdha mbi një pozitë kaq të rëndësishme,

Konstatojnë që Presidenti jolegjitim është përjashtues dhe që i mungon legjitimiteti i komunitetit të dytë shumicë në vend, nuk përfaqëson shqiptarët dhe nuk mund të jetë figurë unifikuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë,

Dënojnë pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në konfliktet e huaja nga motive të ndryshme që bien në kundërshtim me përcaktimet tona strategjike kombëtare dhe me ligjet vendore,

Gjykojnë që ideologjitë dhe proektet e huaja të zbatuara nga eksponent vendor dëmtojnë rëndë indin kombëtar dhe të ardhmën EuroAtlantike të vendit,

Vlerësojnë se vota e shqiptarëve kapitalizohet vetëm nëse është e përqëndruar, ndërsa ndarja e potencialit votues shqiptar në më shumë parti dobëson pozitat shqiptare në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv si dhe rrezikon pushtetin vendor në komuna të caktuara,

Kërkojnë vijimin dhe përshpejtimin e procesit të resocializimit të ish Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në frymën e Marrëveshjes së Ohrit,

Konsiderojnë që vazhdimësia e resocializimit duhet ti prij procesit të pajtimit përfundimtar, të rris mirëbesimin dhe ti hap rrugë vendimmarrjes konsensuale,

Gjithashtu gjykojnë që ish të burgosurit politik shqiptar duhet të kanë trajtim të barabartë në shtet si dhe të rregullohet statusi i tyre shoqëror,

Respektojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave që duhet të përcillet me vetëdije të lartë të përgjegjësisë shoqërore edhe nga bartësit e këtij procesi,

Promovojnë zhvillimin ekonomik dhe shanse të barabarta si modeli më i drejtë i mirëqenies në një shoqërie multietnike, e cila do të arrihet nëpërmjet të rritjes ekonomike të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse. Integrimi ekonomik, rritja e zgjuar e bazuar në dije, zhvillimi i qëndrueshme, kohezioni dhe përfshirja, si dhe qeverisja e mirë janë pesë shtyllat e rritjes së shpejtë dhe gjithëpërfshirëse,

Frymëzojnë integrimin e diasporës në ekonominë e vendit sepse ajo paraqet një potencial të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, ndërsa integrimi ekonomik rajonal, evropian dhe global do të ndihmojnë krijimin e tregjeve të reja duke krijuar politika të liberalizimit ekonomik dhe ndërtimit të projekteve strategjike të infrastrukturës së transportit, energjetikës dhe komunikimit informatik në korridorin tetë dhe dhjetë, si dhe lidhjes me vendet fqinje,

Vlerësojnë nevojën për përfshirje dhe kohezion nëpërmjet të qasjes së barabartë në financat publike, zhvillimit lokal dhe rajonal të balancuar, si dhe barazisë sociale, duke mundësuar arsim dhe shëndetësi cilësore për të gjithë, por edhe zhvillim të sportit dhe kulturës që do të mundësojë kohezion ekonomik, social dhe territorial. Gjithashtu, zvogëlimi i papunësisë, duke hapur vende të reja të punës sidomos për rininë dhe lufta kundër varfërisë do të mundësojë rritje përfshirëse ashtu që benefitet e zhvillimit ekonomik t’i ndiejnë të gjithë,

Përkrahin përpjekjet për fuqizimin dhe mbështetjen e arsimit, shkencës, inovacionit dhe standardit të studentëve si dhe reformat në arsim në drejtim të ngritjes së cilësisë si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë, promovimin e ekselencës dhe sistematizimin e kuadrove,

Ftojnë në partneritet të gjitha forcat progresive shoqërore që ndajnë vlerat e njejta me ne që të na bashkangjiten në përpjekjet tona për një shoqëri tolerante, demokratike, me siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, me marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe për tejkalim të çështjeve të hapura, për integrim të plotë në NATO dhe fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie shoqërore,

Fuqimisht ju rekomandojmë organeve partiake dhe çdo anëtari të Bashkimit Demokratik për Integrim që të lartësojnë unitetin mbrendapartiak, të vijojnë ndërtimin e partneritet me komunitetin ndërkombëtar drejt anëtarësimit në NATO dhe BE si dhe të vijojnë zbatimin e plotë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe realizimit të babarësisë së plotë,
Këshillojnë vazhdimin e parimit të llogaridhënies së rregullt para qytetarëve nga të gjitha organet e partisë nëpërmjet të organizimit të takimeve të rregullta me qytetarët si dhe përfundimin e zgjedhjeve mbrendapartiake,
Duke njohur kontributin e çdo anëtari dhe aktivisti të BDI-së që nga themelimi i saj, mbetemi të angazhuar në vlerat tona të përbashkëta partiake të cilat janë baza e progresit dhe zhvillimit tonë të përbashkët,
Sigurojnë qytetarët që Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të rresht së punuari në drejtim të realizimit të zotimeve zgjedhore, programore dhe kombëtare në përputhje me besimin dhe interesat e popullit shqiptar në Maqedoni.

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *