Home / Lajme / Maqedoni / Nesimi: Mangësitë në Myftininë e Tetovës do t`i rikuperojmë

Nesimi: Mangësitë në Myftininë e Tetovës do t`i rikuperojmë

12 prillQani Nesimi flet për programin e tij në zgjidhjen e problemeve në këtë myftinj.

Në një intervistë për revistën Hëna e Re, revistë e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, myftiu i ri i Myftinisë së Tetovës, dr.Qani Nesimi flet për programin e tij në zgjidhjen e problemeve në këtë myftinj.

Hëna e Re: Myfti efendi, pa dyshim që, në këtë post të ri, vini nga bota akademike shumë aktive. Sido qoftë, angazhimet e reja fetaro-administrative, falë kapacitetit tuaj akademik, do të rrjedhin më lehtë! Ju urojmë suksese!

Myftiu Prof. Dr. Qani ef. Nesimi: Inshallah. Faleminderit.

Hëna e Re: Pa dyshim, do të mbuloni një territor, siç është ai i Myftinisë së Tetovës, ku jeta fetare islame ka qenë gjithnjë në nivelin e duhur, ku keni trashëguar një post nga paraardhësi i juaj me një përvojë rreth katër dekada në të njëjtin organ, me një komunitet teologësh që janë më në unison.

Myftiu Nesimi: Po, është e vërtetë që trashëgoj një post myftiu në Myftininë e Tetovës, e cila është ndër më të sistemuarat dhe më të rregulluarat në mesin e myftinive në RM. Tetova me rrethinë ka një potencial të mjaftueshëm teologjik dhe të besimtarëve që të jetë i tillë dhe të ketë organizim shembullor edhe për më gjerë. Në çdo vendbanim në Tetovë dhe në çdo fshat në rrethinë ka xhami aktive, madje në disa fshatra ka edhe nga dy dhe tri xhamia. Prezenca e objektve dhe jetës aktive fetare në çdo vend tregon se jemi në kontakt të drejtëpërdrejtë me të gjithë popullatën e Tetovës me rrethinë.
Tetova, gjithashtu, tash më është një vend me dy universitete. Për këtë ne si myftini duhet të kemi diskursin teologjik të avancuar dhe ta risim nivelin e komunikimit, ligjërimit, vazit, duhet ta sofistikojmë, ashtu si është fjala e Allahut, fjalorin e interpretimit të fesë. Por, para së gjithash duhet të kemi parasysh si veprojmë, sa jemi të organizuar, sa jemi përqafues me popullsinë, para se të flasim për këto vlera, pasi ajo që duket gjithnjë është më e fortë se sa ajo që thuhet. Edhe Kurani Famëlartë kur flet për Muhmaedin a.s. theksin e vë mbi etikën, moralin, edukatën e tij, dhe personalitetin shoqëror dhe identitetin metafizik pejgamberik e përfaqëson nëpërmjet sjelljes së përkryer shembëlluroe të tij.

Hëna e Re: Cili është programi i juaj i cili ju cyti që të pranoni propozimin e kolegëve që të futeni në garë për postin e myftiut?

Myftiu Nesimi: T’ua them të drejtën dhe shkurtë, dashuria ndaj fesë dhe ndjenja e përgjegjësisë për të kontribuar në trajtë edhe më aktive për avancimin e jetës fetare dhe të qenurit më në afërsi me bashkësinë myslimane. Kjo e tërë vetëm për t’u përpjekur të prezantojmë drejtësinë, të mirën dhe bukurinë e Islamit në këto periudha të krizës së identitetit human. Natyrisht që para se të pranoj gjatë kam menduar edhe për sillabusin e veprimtarisë që do ta kem në bashkësi me të gjithë myftinitë tjera dhe gjithsesi me Rijasetin e BFI- së.
Ky program është i përqëndruar në disa dimensione: Harmonia dhe bashkëveprimi i myftinisë me Rijasetin dhe ndërtimi i aktiviteteve edhe më të sofistikuara fetare, intelektuale të Myftinisë me hoxhallarët e punësuar si dhe hoxhallarë që janë të papunësuar, raporti Myftini-xhemat, raporti Myftini-biznismenë, raporti Myftini-intelektual, raporti Myftini- institucione arsimore, kulturor dhe edukative etj. Kështu që planifikoj që Myftinia e Tetovës të ketë një PR (marrëdhënie me publikun) të zhvilluar, një zhvillim dhe avancim të dimensionit ekonomik, kulturor dhe arsimor. Poashtu planifikoj që, të filloj nismën për senzibilizimin e hoxhallarëve, xhemateve, biznismenëve, intelektualëve të fushave të ndryshme, që të gjithë ata myftininë ta ndjejnë si të tyren. Pra nëse myftinia nuk llogaritet si një shtëpi ku strehohen të gjithë, atëherë kuptohet nuk është bërë sa duhet. Çdo njëri duhet të investojë në Myftini: dikush me ide, dikush me para, dikush me angazhim fizik e dikush, nëse nuk mund ta bëjë asnjërën, duhet të kontribuojë duke mos qenë kundër myftinisë.

Hëna e Re: Na i thuani disa projekte realizimin e të cilëve e ëndërroni dhe që jeni të bindur se do të ndikonin kualitativisht në jetën fetare islame te xhemati i Myftinisë së Tetovës.

Myftiu Nesimi: Nga shumë projekte që kemi në plan për realizim mund të numërojmë me sa vijon: Ëeb faqe të myftinisë-ku do të përfshihen të dhëna për Myftininë si organ, për xhamitë e tashme dhe të vjetra, për hoxhallarët aktualë dhe të vjetrit, aktivitetet kulturore dhe asrimore, hytbe, ligjërata, shkrime me interes të përgjithshëm-, vizita në çdo xhuma në xhami të ndryshme, krijimin e relacioneve ashtu si na ngjanë neve që momentalisht e udhëheqim jetën fetare brenda Myftinisë, interesimi për angazhimin e hoxhallarëve që janë pa punë, interesimi për kuadrin e ri që janë në studime apo që duan të studiojnë në të ardhmen, pastrimin e varrezave të qytetit, rifillimin e botimit të Buletinit të Myftinisë, kampe edukative arsimore, ligjërata, seminare me imamët, rritjen e standardit të jetës fetare, rritjen e nivelit të komunikimit me palët dhe me xhematin, kthimin e pronave të vakëfit, organizimin e manifestimeve qendrore, organizimin e Ramazanit dhe të Haxhit në formën më të mirë të mundshme…etj.

Hëna e Re: Cilët janë problemet të cilat i keni dedektuar e që e rëndojnë punën e hoxhallarëve në Tetovë.

Myftiu Nesimi: Në mesin e problemeve që janë evidente mund të numërojmë: rritja e autoritetit të imamit dhe nëpunësve fetarë, vetëdija e plotë se të gjithë hoxhallarët janë një tërësi, si ata në xhami, si ata në myftini, mangësitë në përgatitjet profesionale, sidomos në atë të ligjërimit, mangësi në përgjegjësinë e detyrës që e kryen, grumbullimi i mjeteve për organizimin e jetës fetare si: zeqati, sadkatu’l-fitri, kurbanët, lëkurat dhe ndihmat e tjera të ndryshme.

Hëna e Re: Një prej problemeve me të cilat ballafaqohet Bashkësia Fetare Islame në RM është edhe problem i denacionalizimit të pronës së këtij Institucioni. Aktivitetet fetare gjithnjë e më shumë po shtohen. Ky shtim nënkupton edhe shtim të nevojës për rritje të buxhetit. Një formë e ngritjes së buxhetit është edhe shtimi i vakëfit nga donator të ndryshëm. Sa është vullneti dhe gatishmëria e muslimanëve të vendit për dhënie të pronës në të mirë të shtimit të vakëfit.

Myftiu Nesimi: Çështja e denacionalizimit të pronave në BFI-Myftini të Tetovës vazhdon të jetë në kontinuitet një çështje serioze dhe e pazgjidhur. Kjo sipas mendimit tim është rezultat i mungesës së vullnetit politik në kthimin e tyre. Në Tetovë edhe nëse është kthyer diçka, ajo është shumë pak në krahasim me atë që duhet të kthehet. Kemi prona që me dokumente janë pronë e BFI, kurse me decenie janë procedurë gjyqsore, si që është Harabati Baba Teqe dhe mendoj që në bashkëpunim të ngushtë me Rijasetin dhe në veçanti me Reisu’l-Ulemanë, Haxhi Sulejman ef. Rexhepin ta intensifikojmë këtë çështje në Myftininë e Tetovës.
Kurse sa i takon donimit të vullnetshëm për të shtuar buxhetin e BFI, unë kam bindjen se popullata jonë gjithmonë ka treguar gadishmëri në këtë drejtim. Të gjitha objektet fetare në Myftininë e Tetovës, sikur që janë xhamitë, mektebet, si dhe objekte të tjera janë rezultat i dimensionit bamirës të popullatës tonë muslimane në këto troje. Ndërkaq sa i takon donimit të tokave, kjo është një çështje pak më e komplikuar. Unë këtë çështje e shoh në disa dimensione. Në njërën anë në si përfaqësues të muslimanëve duhet të kemi kujdes në rikthimin dhe rritjen e autoritetit në popullatë, pasi pa një autoritet nuk të mbjellim besim tek popullata qe ata të marrin një hap të këtillë. Në anën tjetër, duhet punuar në rritjen e vetëdijes së popullatës në drejtim të vakëfit. Poashtu duhet patur parasysh edhe atë se ne jemi duke jetuar në një kohë kur kemi përjetuar kriza të sferave të ndryshme si dhe kemi një shoqëri e cila po formësohet në bazë të interesave vetjake dhe egoiste, ku para çdo gjëje e ka nxjerrur interesin e tij personal. Por unë personalisht kam bindjen se popullatën e kemi shumë të mirë dhe se në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që të kemi edhe donime të llojit të tillë.

Hëna e Re: Intelektualizimi i jetës fetare kërkon një tjetër qasje, një tjetër angazhim në tërë atë që nënkupton zhvillim dhe hapërim drejt bashkëkohësisë! Për një nevojë të tillë immediate a kemi kuadër adekuat?

Myftiu Nesimi: Ska dyshim se intelektualizimi i jetës fetare është një domosdoshmëri e kohës. Ajo i kërkon disa elemente që të jenë prezentë: aftësinë, etikën, arsyen dhe njohjen e gjërave ashtu si duhet. Ne i kemi të gjitha potencialet intelektuale dhe resurset njerëzore për këtë çështje, por vetëm duhet edhe pak më tepër aktivitet dhe ndjeshmëri për t’i funkcionalizuar. Një shoqëri vuan kur në shprehje, sjellje, veprime, në marrjen e vendimeve i mungon etika, përdorimi i fortë i arsyes së shëndoshë (mençurisë) si dhe njohja e gjërave në esencë ashtu si ato janë. Për këtë Pejgamberi a.s. lutet që Allahu Fuqiplotë tia mundësojë që gjërat ti kuptojë ashtu sikur ata janë realisht. A problemi thellohet ende më tepër kur gjërat shpjegohen vetëm pse i ka lexuar në një vepër ( që për fat të keq disa herë edhe nuk korespondon me kontekstin shoqëror tonin), kurse nuk i ka kuptuar dhe vet nuk i realizon ato. Pra nuk jepet mendim, ose nuk ligjërohet se pse e ke dëgjuar prej dikujt ose e ke lexuar në një libër apo në internet një të dhënë. Pra kohët e fundit dituria shitet sikur është një informatë. Secili që ka filluar të lexojë fillon të “shes dije”. Në realitet dija fetare është e përqëndruar në ndërtimin e identitetit fetar dhe njerëzor dhe jo vetëm bisedë dhe fjalë.
Poashtu është mjaftë problematike ekzistimi i kompleksit për tu treguar i ditur vetëm përmes disa informatave. Ndërkaq etika në këtë rast njeriut i ofron modestinë dhe turpin për tu treguar ai që nuk është. Analizonie Kuranin, pra fjalën hyjnore të Allahut xh.sh, kur flet për Pejgamberin a.s., se cilin dimension të tij e vë në spikamë, gjegjësisht Ai rregullisht e potencon aspektin etik të tij (usvetun haseneh, hulukun adhim, rahmeten lilalemin etj.)

Hëna e Re: Hapërimi avangard nuk nënkupton ikje nga autenticiteti, nga jeta autoktone, por, mishërim i tij me bashkëkohoren. Sa është i mundur ky mishërim në zhvillim dhe avansim të jetës fetare islame te ne.

Myftiu Nesimi: Shikoni ne jetojmë midis dy sfidave shumë të forta: Traditës dhe Modernitetit. Tradita përpiqet të normativizojë përditshmërinë njerëzore, duke u bazuar në forcën e marrë nga e kaluara dhe pranueshmëria historike. Moderniteti si antitezë e traditës paraqitet me përmasën joshëse të idesë së re dhe në të shumtën e rasteve “të re’në” e imponon si “të drejtë”.
Në anën tjetër feja bazohet në normat hyjnore dhe del me idenë se ato janë absolute në çdo lëmi dhe mbi çdo autoritet. Feja assesi nuk mund të pajtohet me traditën ose me modernitetin si konkurrente të saj. Autoriteti hyjnor assesi nuk e pranon ligjshmërinë e çështjeve në bazë të vjetërsisë së tyre historike ose botëvështrimin e përzier të “së mirës” dhe “së drejtës”. Pikërisht për këtë feja e refuzon edhe traditën, edhe modernitetin që ndeshet me të.
Mirëpo nuk ka asnjë shkak që feja të refuzojë traditën dhe modernitetin që nuk ndeshet me parimet e saj. Kur’ani për çështjet që nuk janë të sqaruara në të thotë që janë “të falura”. Atëherë duhet të pranohet se këto të falurat i janë lënë në dorëzim iniciativës së njeriut. Esenca e çështjes qëndron në atë që me një metodologji të drejtë të ndahen çështjet e traditës prej fesë dhe duke e bërë këtë ndarje, të kihet kujdes që të mos shkelen vlerat universale botërore. Burimi kryesor i problemit qëndron në tendencën që të gjitha çështjet e përditshmërisë njerëzore, duke filluar prej veshjeve e deri te mënyra e gjumit, të justifikohen me referenca fetare. Pasojat e një iniciative të tillë kanë qenë regresive për fenë e shpallur dhe, për pasojë, në të kanë depërtuar mendimet njerëzore të periudhave të ndryshme. Për rrjedhojë feja është fryrë me koncepte që në realitet nuk e kanë pasur vulën e shpalljes, por gjeneratë pas gjenerate janë praktikuar si të tilla.
Metodologjia bashkëkohore e mendimit islamik gjithsesi duhet të ketë parasysh kategoritë kur’anore dhe të haditheve të Pejgamberit a.s. dhe assesi nuk duhet të jetë e kufizuar me mendësinë e periudhës së komenteve, pasi ajo do t’ia ngushtonte në masë të madhe fushëveprimin. Për mua një gjë e tillë është e mundshme, porse për këtë duhet nxjerrë në vijë të parë shpalljen hyjnore dhe arsyen e fortë. Kjo gjë nuk bëhet me secilin që do ta bëjë, por me secilin që mundet ta bëjë atë.

Hëna e Re: Si i vlerësoni ngjarjet e fundit në botën arabe? Cili është mendimi i juaj për aktivitetet e rënda, destruktive, antinjerëzore, por që po zhvillohen në emër të islamit?

Myftiu Nesimi: Ngjarjet në botën arabe, ose mund të themi edhe në mbarë botën, pasi unë mendoj se më nuk kemi shumë arsye që ta ndajmë botën në kuadër të klisheve klasike ( daru’l-harb dhe daru’l-islam) gjegjësisht lufta që zhvillohet është rezultat i interesave rajonale dhe globale dhe aspak nuk ka të bëjë me ndonjë luftë islame. Për mendimin tim në botë dominojnë dy mentalitet në lidhje me fenë islame dhe muslimanët. Në njërën anë kemi të bëjmë me ata të cilët qëllimisht e përdorin islamin, kurse në anën tjetër kemi të bëjmë me ata të cilët nga naiviteti mendojnë se i bëjnë mirë Islamit. Realisht në Islam ka plotë porosi kundër dhunës kurse nuk asnjë regull për dhunë. Në jetën dhe fjalët e Pejgamberit a.s. ka plotë shembuj të mirëqenies, bashkëjetesës, tolerancës, mirëkuptimit dhe të respektimit të tjetrit, e assesi te ketë ndonjë veprim apo fjalë (thënie) për dhunë, shkatërrim, destruktivitet etj. Pra Islami ka qenë, është dhe do të jetë kundër çfarëdo lloji të dhunës, shkatërrimit dhe të padrejtësisë.
Por njëkohësisht duhet ta kemi parasysh edhe problemin e Islamofobisë që nga disa qarqe me qëllim është duke u theksuar shumë. Njerëzimi ka nevojë për frymë dhe qytetërim që do të bazohet në parimet etike dhe estetike dhe assesi në dogma të krijuara nga njerëzit me mendësi incidentale.

Hëna e Re: Periferia gjithmonë lakmon qendrën, apo, qendra gjithnjë ndikon tek periferia. A mundet që këto ngjarje, këto zhvillime, një ditë të prekin edhe muslimanin e periferisë, atë mysliman i cili me shekuj ka klutivuar dhe ka trasuar urtinë e shenjtë islame. Cilat janë metodat më të preferuara për ta ruajtur trungun fetar nga ndikimet antifetare.

Myftiu Nesimi: Unë shpresoj në eliminimin apo së paku në reduktimin e këtyre ngjarjeve. Por kjo është e lidhur ngusht me interesat rajonale dhe globale. Një gjë e tillë tek nuk mund të ndodhë përveç nëse na imponohet. Ruajtja e trungut fetar tradicional në këto troje i cili me shekuj ka kultivuar dhe ka trasuar urtinë e shenjtë islame, mund ta ruajmë vetëm duke u mobilizuar si BFI në tërësi, e si xhemat, imam, vaiz, profesor në Medrese apo në Fakultetin e Shkecave Islame në veçanti. Këtë mobilizim e kuptoj vetëm si mbushje e vakumeve në jetën fetare dhe shoqërore ne këto troje, duke mos ju lënë hapsirë grupacioneve të ndryshme që ata të na përfaqësojnë për shkak të neglizhencës tonë.

Hëna e Re: Traditat kombëtare shqiptare dhe trinia fetare shqiptare! Janë këta faktorë që kanë ruajtur trungun e identitetit kombëtar apo janë element që e ngadalësojnë integrimin tonë si rrjedhojë e proceseve shekullore globalizuese.

Myftiu Nesimi: Tradita kombëtare shqiptare në njërën anë, dhe trinia fetare shqiptare në anën tjetër, nuk janë gjë tjetër vetëm se elemente që e përbëjnë trungun e identietit tonë kombëtar. Populli shqiptar edhe pse është disa milionësh, ai përsëri me këtë strukturë të identitetit të tij që ngërthen në vete trininë fetare, për botën në tërësi është një model i bashkëjetesës dhe i mirëkuptimit. Këtu nuk duhet haruar rolin e Islamit si një fe që ka luajtur rol shumë të madh gjatë historisë në mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe të gjuhës shqipe nga asimilimi sllav dhe helen. Ndërkaq sot për fat të keq disa individë duke u përdorur nga propaganda të ndryshme misionerike, mundohen që shqiptarët ti ndajnë në të “vërtetë” dhe “jo të vërtetë”. Ne jemi të detyruar që popillin tonë shqiptarë ta shohim si një tërësi pa marrë parsysh se cilës fe i takon. Në të kundërtën, ai që shqiptarët i shikon si të pjesshëm apo parcialisht, është dëmtori më i madh i popullit shqiptar. Proceset globalizuese, si çdo kujt ashtu edhe neve, misionarët na i ka sjellurur deri në dhomë, me anë të internetit. Po ne në asnjë mënyrë nuk duhet të biem pre e këtyre propagandave të ndryshme që na sjellin vetëm se dëm.
Urdhëri i Kur’anit është që të jemi të përkushtuar në parimet e fesë Islame dhe të kemi respekt maksimal ndaj feve tjera.

Hëna e Re: Myfti efendi, t’i kthehemi bisedës sonë në fillim! Rijasesi unanimisht ju emëroi Myfti i Myftinisë së Tetovës! Si u pritët ju, si Myfti, nga xhemati i juaj në Tetovë?

Myftiu Nesimi: Një falenderim i veçant i takon rijasetit me në krye Reis Ul-Ulemanë Haxhi Sulejman ef. Rexhepin, i cili ma dha këtë detyrë të shenjtë, si dhe myftinisë së Tetovës me në krye Myftiun Alifekri ef. Esatin, e cila më propozoi që të jem në listën e të propozuarve për myfti të Tetovës. I jam shumë falenderues xhematit të Tetovës, i cili me lutjet, uratat e tij më ka mbështetur. Kjo shihet nga mesazhet, telefonatat, emailat, vizitat që ata më bëjnë në myftini e në shtëpi. U jam faleminderues kolegëve të mi që nuk më kanë lënë vetëm asnjë moment, shokëve të mi në Maqedoni dhe më gjërë në Ballkan si dhe në diasporën shqiptare. Poashtu një falenderim u takon edhe kolegëve të mi në Universitetin Shtetëror të Tetovës që më kanë motivuar dhe përkrahur në çdo rast se jam duke u angazhuar për një segment të shenjtë të jetës për të cilin kemi nevojë të gjithë. Nuk mund ta anashkaloj pa e përmendur edhe rektorin tim të nderuar të USHT-së Prof. Dr. Vullnet Ametin, i cili bashkë me stafin e tij, më ka përkrahur pa rezervë, gjë kjo e cila më ka bërë edhe më të fortë dhe të jem edhe më i përkushtuar në këtë drejtim.

Hëna e Re: Ju mungon jeta akedemike, proceset mësimore, studentët…

Myftiu Nesimi: Jeta akademike është e këndshme. Por në esencë edhe ajo ekziston për të bërë diçka të mirë. Edhe këtu ku jam-në Myftini- mendoj se do të bëjë diçka të mirë. Prandaj këto të dyja e plotësojnë njëra tjetrën. Ska dyshim se do ta ndjejë mungesën e studentëve, pasi ata janë shumë të mirë. Unë nuk pajtohem me mendimin se studentët nuk bëjnë. Ata formohen sipas kushteve dhe dijes që ne ua japim atyre. Me një fjalë ata janë rezultat i kulturës, dijes, edukatës dhe sjelljes tonë. Nëse ata janë të këqinjë, kjo do të thotë se ne nuk bëjmë. Pra, unë edhe në Universitet edhe në Myftini i shërbej popullit tim të nderuar, për këtë jam shumë i lumtur.

Gjithashtu lexo

Kallëzim penal deri te PSP nga Mehmeti, Llatas dhe Talevska kundër biznesmenit Palevski

Ashtu siç u informua dje nga Telegrafi, biznesmeni Ljupço Palevski është marrë në pyetje informative …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *