Home / Lajme / Maqedoni / “Shqiptarët ortodoks në Maqedoni” – vepra kolosale që u promovua në Çikago

“Shqiptarët ortodoks në Maqedoni” – vepra kolosale që u promovua në Çikago

9 prill-“Aktualisht po shohim se si Qeveria e Maqedonisë e ka humbur busullën dhe në këtë moment shqiptarët duhet të luajnë rolin vendimtar në sendërtimin e shtetit si në politikën e brendshme, ashtu edhe ate të jashtme”, deklaroi Sinadinovski.

Në Qendrën Kulturore Shqiptaro – Amerikane në Çikago mbrëmë u promovua vepra “Shqiptarët ortodoks në Maqedoni, e autorit Branislav Sinadinovski.

Në këtë aktivitet gjithashtu u promovua edhe libri “Rilindasit shqiptarë” të autores Gordana Sinadinovska. Ky aktivitet ishte madhështor me praninë e shumë mërgimtarëve të diasporës në shtetin e Illionisit dhe më gjerë.

Në këtë ceremoni përveç fjalës së hapjes dhe prezantimit të dy dokumentareve për shqiptarët ortodoks dhe Rekën e Epërme, që nxitën emocione në mesin e publikut.

Lidhur me veprën e profesorit Sinadinovski një përshkrim të saj bëri Ilaz Kadriu, duke theksuar se kjo është një vepër kolosale për kohën dhe momentin në të cilin ndodhen shqiptarët ortodoks në Maqedoni.

“Të jesh shqiptar në Maqedoni dhe në vendet tjera ballkanike jashtë Shqipërisë, do të thotë që njeriu vazhdimisht, me këmbëngulësi dhe në mënyrë të shkathtë të luftojë për respektimin e të drejtave dhe lirive te tij themelore dhe kjo është një porosi e shkruar e Joakim Sinadinovskit pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore, të atit të autorit, i cili vazhdimisht kishte këmbëngulur se familja Sinadinovski ka qenë dhe duhet të mbetet shqiptare ortodokse nga Reka e Epërme. Kjo është e shkruar në ditarin e tij që së shpejti do të publikohet”, ka theksuar Kadriu.

Sipas tij, vepra “Shqiptarët ortodoks në Maqedoni” e autorit Sinadinovski shkencërisht tronditi qarqet kuazi shkencore maqedone dhe serbe, duke dërguar një mesazh të fortë dhe të vërtetë se askush nuk duhet të harrojë se në Maqedoni pranë shqiptarëve mysliman e katolikë jetojnë edhe mbi 70 mijë shqiptarë ortodoks dhe ata paraqesin një tërësi të pandarë të popullit shqiptar.

Lidhur me promovimin e librit “Rilindasit Shqiptare” të autores Sinadinovska, Kadriu theksoi është kënaqësi të lexosh një autore me origjine joshqiptare e cila është e inspiruar të shkruaj për patriotët më të mëdhenj të një kohe historike siç është Rilindja Kombëtare Shqiptare.

Por fjalimi i autorit Branisllav Sinadinovski ka nxitur emocione të veçanta në mesin e të pranishmëve, i cili përshkroi një histori të shkurtër të familjes së tij duke përcjellë amanetin e të parëve, por ai faleminderoi edhe për përkujdesjen për këtë promovim shumë madhështor.

Profesori Sinadinovski edhe në gjuhën angleze para të pranishmëve solli argumente për të vërtetën historike për shqiptarët ortodoks në Maqedoni.

“Ky është një proces shumë i qëlluar dhe në momentin e duhur, ku një xixë e vëllaut tonë Branko Manojlovski dogji tërë malin. Jemi në rrugë të mbarë dhe se po ju sjellë edhe emocionet nga promovimi dinjitoz i veprës time në Shkup, ku shpresa e madhe ishte prania e mbi 150 të rinjve që mburreshin se janë shqiptarë ortodoks”, deklaroi Sinadinovski.

Ai kërkoi një vëmendje më të veçantë ndaj këtij komuniteti dhe bashkëveprim për të arritur ndriçimin e së vërtetës historike dhe realitetit.

Sipas tij, shqiptarët në përgjithësi kanë qenë dhe do të jenë faktor i rëndësishëm politik dhe ekonomik, pa të cilët Maqedonia nuk mundet dhe nuk duhet të ekzistojë.

“Aktualisht po shohim se si Qeveria e Maqedonisë e ka humbur busullën dhe në këtë moment shqiptarët duhet të luajnë rolin vendimtar në sendërtimin e shtetit si në politikën e brendshme, ashtu edhe ate të jashtme”, deklaroi Sinadinovski.

Në kuadër të promovimit u zhvillua edhe një debat midis pjesëmarrësve, ku doli idea për ndërtimin e një kishe për shqiptarët ortodoks në Shkup, e cila do të mbështetej dhe financohej nga vëllezërit shqiptarë mysliman. Me këtë u mbyll edhe promovimi i veprës së profesorit Sinadinovski në Çikago, i cili pas kësaj do të qëndrojë në Nju Jork, ku të shtunën do të bëjë promovimin e veprës së tij para komunitetit shqiptarë. (INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *