Home / Lajme / Rajon / Aleksandar Vuçiç sot në Tiranë, masa të forta sigurie

Aleksandar Vuçiç sot në Tiranë, masa të forta sigurie

27 maj-Në 11:30 është parashikuar mbërritja e delegacionit në Pallatin e Brigadave, ku dhe do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes.
Më pas, për rreth 60 minuta, do të zhvillohet një takim mes dy kryeministrave, të cilët në orën 12:50 do të jenë para mediave në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Aleksandar Vuçiç do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila është e para pas 7 dekadash e një kryeministri serb.
Zoti Vuçiç do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit rreth orës 11:00. Në 11:30 është parashikuar mbërritja e delegacionit në Pallatin e Brigadave, ku dhe do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes.
Më pas, për rreth 60 minuta, do të zhvillohet një takim mes dy kryeministrave, të cilët në orën 12:50 do të jenë para mediave në një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas kryeministri i Serbisë do të takohet me kryetarin e Parlamentit, Presidentin e Republikës dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kreu i opozitës, takime këto që priten të përfundojnë rreth orës 17:15 minuta.
Vizita e Vuçiç në Tiranë, do të bllokojë pjesën më të madhe të segmenteve kryesore të kryeqytetit, ndaj policia këshillon drejtuesit e mjeteve, që të qarkullojnë në mënyrë të kufizuar gjatë ditës së sotme, por edhe nesër.
Gjatë orëve të mbrëmjes së të martës nisi marrja e masave nga Policia e Tiranës. Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se ka shpërndarë 30 karrotrecë që kanë filluar heqjen e makinave në disa akse. Konkretisht ka nisur heqja e makinave nga “Rruga e Elbasanit” deri te “Pallati me Shigjeta”. Policia i bën thirrje qytetarëve të lëvizin automjetet në akset ku nuk do lejohet parkimi.
Më herët gjatë së martës, policia bëri të ditur edhe rrugët ku do të bllokohet qarkullimi dhe ato ku nuk do të lejohet parkimi. Bllokimi i një pjese të madhe të rrugëve do të nisë pas orës 10 e 40 minuta, kohë në të cilën Vuçiç mbërrin në kryeqytetin shqiptar. Fiks në këtë ore do të ketë kufizim deri në bllokim të lëvizjeve në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës.
Policia ka këshilluar gjithashtu që drejt Durrësit në këtë orë të përdoret rruga e vjetër e Ndroqit. Dy rrugët që do të bllokohen totalisht përgjatë dy ditëve në vazhdim janë ato “Ismail Qemali” dhe “Donika Kastrioti”.
Ndërsa do të ndalohet parkimi në më shumë se 15 rrugë, duke filluar nga ora 12 e mesnatës së të martës. Nga rruga e Rinasit, në Qafë Kashar, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), rruga e Durrësit, sheshi “Skëndërbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”(nga radiotelevizioni në drejtim të liceut), rruga e Elbasanit deri te Pallati i Brigadave.
Ndërkohë që policia e kryeqytetit ka marrë të gjitha masat që vizita e kryeministrit serb në Tiranë të mos ketë asnjë incident. Pothuajse të gjithë agjentët e antiterrorit do të jenë në terren, përfshirë këtu edhe ata të shërbimeve të inteligjencës.
Një numër i madh punonjësish të rendit, si edhe të qarkullimit rrugor do të jenë në rrugë për mbarëvajtjen e kësaj vizite. Shërbimet inteligjente në vend nuk kanë dhënë asnjë informacion për ndonjë incident të mundshëm. /Top Channel/

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *