Home / Lajme / Maqedoni / Banorët e traumatizuar në Kumanovë, thirrje për ndihmë

Banorët e traumatizuar në Kumanovë, thirrje për ndihmë

24 maj-Përjetimet e ngjajshme i shprehin edhe shumë familjarë të tjerë, duke theksuar se Qeveria dhe Ali Ahmeti po përmend se do të rregullohen shtëpitë, por kush na rikthen qetësinë dhe gjendjen tonë shpirtërore të rrënuar.

Derisa një ditë me ekipin e gazetarëve qëndruam në rrugën ku kishte ndodhur tmerri dhe terrori i ngjajshëm me “Vukovarin”, banorët reagonin me ndjenja traumatike.

“Jo nuk dua, ju lutem mos më fotografoni, se pastaj më kap policia. Nuk dua t`i bëj problem familjes”, është një nga kryefamiljarët në moshë që ka përjetuar tmerrin dhe që shtëpia e tij gati se është e rrafshuar me tokë.

Janë gati 128 familje në lagjen ku ndodhën përleshjet dhe terrori që po vuajnë në heshtje nga traumat dhe që askush nuk po kthen vëmendjen tek vuajtjet e tyre.

Gratë dhe fëmijët janë në gjendje më të rëndë dhe se ata çdo ditë e çdo natë nuk mund të shkëputen nga përjetimi i përleshjeve.

Artani, 10 vjeçari i lagjes ka përjetuar mëngjesin trishtues të 9 majit. Ai bashkë me familjen e tij 11 anëtarëshe ishin strukur në një nga dhomat më të thella të shtëpisë, dhe për 12 orë kishin qenë të ngujuar.

“Unë kam ndenjur aty i strukur. U frikësova shumë, as s`kisha ngrënë e pirë. Atë ditë s`jam frikësu, por tash natën po frikësohem. Por jo edhe shumë, por shokët e mi të lagjes po thonë se shumë po frikësohen”, rrëfen i humbur dhe traumatizuar Artani, nxënës i klasës së tretë.

Lagja kërkon ndihmë

Shaban Demiri, kryetar i Bashkësisë Lokale të Lagjes dhe këshillit emergjent i pyetur për këtë situatë kërkon ndihmë urgjente.

“Ju lutemi të na ndihmojnë, sepse spo kemi nga të drejtohemi. Apelojmë për ndihmë nga institucione përgjegjëse, avokatë, organizatat vendore, rajonale dhe të huaja që janë të specializuara në këtë fushë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të na ndihmojnë. Ka nevojë për këtë trajtim, sepse shëndeti është parësor”, thekson Shaban Demiri.

Shumë banorë të lagjes kërkojnë këtë ndihmë, por ata nuk kanë ku të drejtohen dhe janë të hutuar, duke mos ditur se ku duhet të trokasin.

Disa prej tyre kanë shkuar tek mjeku amë, por ai i ka sugjeruar që të shkojnë në klinikat e posaçme.

Rexhep Etemi, një mjek nga Kumanova në mënyrë vullnetare ka qëndruar tek Lagja e Trimave duke i dhënë ndihmë familjarëve.

Ai ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar shërbime dhe ndihmë mjekësore në mënyrë vullnetare dhe humane.

“Unë kam vizituar dhjetëra raste dhe se kam hasur në raste të rënda traumatike, dehidrime, stress, atak paniku. Pra bëhet fjalë për sindromin strespostraumatik. Për këtë duhet trajtim adekuat psikiatrik. Sidomos tek fëmijët, pleqtë dhe femrat që janë më të ndjeshme”, thotë mjeku Rexhepi, i cili gjithashtu alarmon për përkrahje dhe reagim.

Profesor Kodra: Duhet mobilizim, ose shteti, ose të vetëorganizohemi

Prof.dr. Skender Kodra, profesori i psikologjisë klinike që jeton në Nju Jork kërkon reagim dhe nevojën urgjente për të ndihmuar banorët e kësaj lagje.

“Duhet sa më shpejt trajtim psikologjik dhe shteti duhet të mbajë përgjegjësi dhe të kompensojë çdo familje për këtë vuajtje nga PTSD (Post Traumatic Stress Disorder). Duhet të sigurohen mjekë të specializuar dhe avokatë që të hapin dosjen sepse në gjithë ato pamje që kemi ndjekur, aty bëhet fjalë për tmerr të përjetuar, sepse bëhet fjalë për dëme të mëdha dhe sulme me armë të rënda. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi nga shteti për këtë vuajtje psiqike dhe shpirtërore që kanë pësuar këta banorë”, thotë profesori Kodra, i cili ka marrë pjesë në procesin e pasluftës në Kosovë për shërimin e rasteve me trauma të luftës, por është i dekoruar nga SHBA-të për kujdesin për ushtarët amerikan, që kanë përjetuar trauma nga luftërat e fundit.

Sipas tij, në operacionin për t`i dalur në ndihmë banorëve të Kumanovës duhen psikiatër, psikolog, punëtor social dhe staf mjekësor, që për këtë duhet të sigurojë shteti.

“Në rast se kjo nuk bëhet brenda një kohe të shkurtër nga institucionet përgjegjëse, atëherë duhet organizuar vetë. Apeloj që të ndërmarrim diçka dhe kërkojë që sado pak diaspora të lëviz dhe të përgadisim një staf profesional. Jam i gatshëm të jem në shërbim të këtij misioni”, deklaroi profesori Skender Kodra, duke apeluar që drejtuesit shqiptarë të institucioneve në Maqedoni të mos heshtin përballë këtij realiteti trishtues.
Sipas tij, dëmet materiale mund të kompensohen, por kush i kompenson dëmet shpirtërore.

Banorët dëshmojnë gjendjen e rëndë

Xhevrije Sh, një nga familjaret që i është djegur shtëpia thekson se ashtu siç i është bërë shkrumb shtëpia, shkrumb e ka edhe shpirtin e saj.

“Unë s`di, jam e tmerruar psikikisht dhe shpirti im është djegur e shkrumbuar ashtu siç po shikon këtë shtëpi të shkrumbuar dhe që se besoj se do të bëhet ashtu si ka qenë. Kemi investu 40 vjet në këtë shtëpi dhe sa e përfunduam para një kohe, na ndodhi kjo e zezë”, rrëfen Xhevrija, e cila jeton me bashkëshortin invalid dhe vajzën invalide dhe që me vështirësi thotë se përballonin jetën.

Përjetimet e ngjajshme i shprehin edhe shumë familjarë të tjerë, duke theksuar se Qeveria dhe Ali Ahmeti po përmend se do të rregullohen shtëpitë, por kush na rikthen qetësinë dhe gjendjen tonë shpirtërore të rrënuar.

“Ne i po shikojmë politikanët tanë si Ali Ahmeti që po mendon se me beton e qeramikë do të na rikthejë e do na kompensojë dëmin. Ata po mendojnë se këtu ka qenë një lojë fëmijësh dhe se hajt se do të rregullohen shtëpitë. Nuk e dijnë se 12 orët e tmerrit të përjetuar nuk i harrojmë kurrë. Na është thyer shpresa dhe vështirë po themi se do të na rikthehet. Unë po ju them të vërtetën se tani po e kemi problem me qëndru vetëm në shtëpi, sepse në një moment në qetësi po na rikthehen fotografitë e plumbave, zjarrit dhe krismave. Kërkojmë ndihmë dhe solidarizim shpirtëror”, thekson një banorë i lagjes së rrënuar, e cila vështirë dhe me ngadalësi po i rikthehet normalitetit.

Me traumat e banorëve të Lagjes së Trimave po jeton edhe gjithë Kumanova.

Gjithashtu lexo

A do ta hanë vallë shqiptarët edhe kësaj radhe sapunin për djathë?

Shpëtim Pollozhani për  gazetën Lajm është deklaruar për organizimin e zgjedhjeve lokale, që priten të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *