Home / Lajme / Maqedoni / Familjarët kërkojnë autopsi të re

Familjarët kërkojnë autopsi të re

22 maj-“Nuk kemi parë ndonjë prapavijë, kemi parë procedura burokratike që zgjasin. Sa na përket neve, ne ju kemi përgjigjur gjitha kërkesave. Janë arsye teknike dhe janë ligje të vendit, të cilat nuk janë të thjeshta, bëhet fjalë për vdekje në rrethana të tjera”, u shpreh Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Shkup

Rreth orës 4 të mëngjesit mbërritën në Kosovë 9 trupat e pajetë që mbetën viktimë në incidentin e armatosur në Kumanovë. Në hyrje të territorit kosovar, te Hani i Elezit, qindra qytetarë prisnin me flamuj kombëtarë kolonën e veturave që bartnin kufomat.

Karvani me kufomat shoqërohej jo vetëm nga policia e Maqedonisë, por edhe nga përfaqësues të ministrisë kosovare të drejtësisë, ambasadorit Ylber Hysa dhe ekspertëve të mjekësisë ligjore të Kosovës të kryesuar nga drejtori Arsim Gërxhaliu. Me kërkesë të familjarëve, trupat e pajetë do t’i nënshtrohen edhe një ekzaminimi tjetër, nga Instituti i Mjekësisë ligjore në Kosovë, i cili pritet të zgjasë rreth 2-3 ditë të tjera.

“Në bisedë me familjarët, thuajse të gjithë kanë shprehur gatishmërinë, sepse ligjet tona lejojnë që dëshira e familjarëve të respektohet dhe ata kërkojnë rihapjen dhe ri-autopsi. Do të thotë të gjithë ishin njëzëri që të bëhet ri-autopsia edhe në Prishtinë”, deklaroi Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit për mjekësi ligjore.

Deri në marrjen e kufomave, familjarët në morgun e Butelit në Shkup u desh të prisnin për rreth 12 orë deri në kompletimin e dokumentacionit dhe nxjerrjen e certifikatave të vdekjes nga Kumanova. Ambasadori Ylber Hysa i cili shoqëronte dhe asistonte familjarët deri në momentet e fundit, tha se vonesat janë si pasojë e procedurave burokratike dhe ligjeve të Maqedonisë, por edhe ndjeshmërisë së rastit.

“Nuk kemi parë ndonjë prapavijë, kemi parë procedura burokratike që zgjasin. Sa na përket neve, ne ju kemi përgjigjur gjitha kërkesave. Janë arsye teknike dhe janë ligje të vendit, të cilat nuk janë të thjeshta, bëhet fjalë për vdekje në rrethana të tjera”, u shpreh Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Shkup.

Viktimat nga Kosova, të mbetura në incidentin e Kumanovës, janë identifikuar si Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj. Personi i dhjetë i vrarë ishte nga Shkupi. Në incidentin e armatosur në Kumanovë u arrestuan edhe 30 persona të tjerë. Nga pala tjetër, humbën jetën 8 policë, ndërsa 38 të tjerë u lënduan. Gazetar:

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *