Home / Lajme / Maqedoni / LSDM paralajmëron vazhdimin e ‘bombave’

LSDM paralajmëron vazhdimin e ‘bombave’

21 maj-Zaevi komentoi edhe bisedimet në Strasburg duke u shprehur optimist për shkak të angazhimit serioz të funksionarëve më të lartë të Bashkimit Evropian.

LSDM-ja do të vendosë deri në fund të javës, për vazhdimin eventual të publikimit të bisedave të përgjuara. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev theksoi se rreth 70 dosje të tjera mbeten ende për t’u publikuar, dhe se deri tani, janë shpalosur vetëm 1/3 e tyre. Zaevi tha se nga pakoja e parë e parashikuar, për shkak të incidenteve në Kumanovë, nuk kanë arritur të publikojnë të vërtetën për rastin e Smillkovës dhe për televizionin A1, por paralajmëroi zbardhjen edhe të shumë rasteve të tjera të interesit të veçantë për opinionin.

“Para fillimit të procesit formuam 102 dosje ose raste. Vetëm 33 janë publikuar. Pse 33? Sepse deshëm të përfshijmë të gjitha sferat nga përditshmëria e qytetarëve, dhe qëllimi ishte të publikojmë 35 deri në protestat. Këtu është rasti i Smillkovës dhe televizioni A1. Njërin e humbëm sepse i ndaluam të gjitha aktivitetet tona gjatë ditëve kritike në Kumanovë, ndërsa për të dytën, Kumanova ndikoi që rastin e Smillkovës ta shtyjmë për një periudhë. Por unë e kam premtuar të vërtetën para qytetarëve dhe atë do ta publikoj të plotë. Besoj se qytetarët duan të dinë se çfarë ndodh me detajet e projektit “Shkupi 2014”, me procesin “Spiunazhi”, “Detonator” dhe procese të tjera të rëndësishme”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaevi komentoi edhe bisedimet në Strasburg duke u shprehur optimist për shkak të angazhimit serioz të funksionarëve më të lartë të Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian, në mënyrë konstruktive, në përputhje me trajtimin miqësor ndaj Maqedonisë, është i përkushtuar maksimalisht në udhëheqjen e bisedimeve, sepse përveç 3 euro-deputetëve, në bisedime janë kyçur edhe komisari Han bashkë me ekipin e tij. Ata i dinë të gjitha detajet për Maqedoninë, që do të thotë se fillimin e bisedimeve e bazuan në parime dhe shpresoj se këto bisedime do të kanalizohen në segmente konkrete negociatash, nëse plotësohen kushtet për trajtim korrekt dhe pozicionim të barabartë. U morëm vesh që edhe partitë shqiptare të përfshihen në bisedime. Ata tashmë janë prezent në bisedimet në Klubin e Deputetëve, kështu që në një moment konkret do të përfshihen në tërësi”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *