Home / Lajme / Maqedoni / Qeveria e Gruevskit po sulmon shqiptarët si Milosheviqi në Kosovë

Qeveria e Gruevskit po sulmon shqiptarët si Milosheviqi në Kosovë

Prishtinë, 09 Maj – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj incidenteve të fundit në Maqedoni, duke thënë se Qeveria e Gruevskit ka mobilizuar artilerinë e rëndë ushtarake për ta sulmuar Kumanovën.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se lagjet shqiptare në Kumanovë janë duke u sulmuar me autoblinda e helikopterë, ngjashëm si Slobodan Milosheviqi në Kosovë.

“Qeveria e Gruevskit ka mobilizuar artilerinë më të rëndë ushtarake për ta sulmuar Kumanovën. Janë sulmuar vetëm lagjet e shqiptarëve me autoblinda e helikopterë, tamam siç sulmohej Kosova nga Milosheviqi gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Konjufca.

“Arsyetimi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë për këtë sulm është supozimi se po i ndjekin grupet e armatosura në Kumanovë. Kjo është një alibi e papranueshme për ta maskuar një fushatë të armatosur për terrorizimin e shqiptarëve”, ka shtuar ai.

“Gruevski e ka shndërruar Maqedoninë në një shtet shtypës i cili shqiptarëve iu qaset vetëm përmes dhunës policore dhe represionit ushtarak. Qeveria Gruevski është në krizë të thellë të legjitimitetit politik.”

Konjufca kritikoi ashpër mënyrën e reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës duke qenë se ky reagim i shkon përshtati jashtëzakonisht shumë Gruevskit, i cili, sikurse Hashim Thaçi, po e justifikon sulmin e tij ndaj shqiptarëve me gjoja luftimin e grupeve të armatosura.

“Mënyra e reagimit të Qeverisë sonë është plotësisht e gabueshme. Nuk e shohim asnjë fjali në reagimin e MPJ-së së Kosovës që e dënon sulmin mbi popullatën shqiptare atje”, ka theksuar Konjufca.

Gjithashtu lexo

“Çështja mes Shkupit dhe Beogradit shkakton shqetësime në Athinë”

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se diplomatët grek me shqetësime i ndjekin ngjarjet në Ballkan, pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *