Home / Lajme / Maqedoni / Shqiptarët dhe Linjat e Kuqe

Shqiptarët dhe Linjat e Kuqe

Tetovë, 19 maj-Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës urgjentisht të emrojnë të deleguarit e tyre të posaçëm vetëm për shqiptarët, ambasadori le të kryejë punën e tij protokollare shtetërore.
Dy qeveritarë të kenë përfaqësi (zyrë) të tyre në Tetovë dhe të monitorojnë se si implementohet në praktikë marrëveshja mbarëshqiptare me qeverinë e Shkupit dhe në kohë, me saktësi të informojnë qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë. Asnjë parti Politike të mos marrë pjesë në qeveri pa u pranuar marrëveshja nga pala maqedonase.

Nga Urim Hasipi
Ngjarjet e fundit në Kumanovë dhe në përgjithësi në Maqedoni pa asnjë pikë dyshimi tregojnë realitetin në të cilët ndodhet ky vend, më shumë i trazuar dhe i brishtë se sa stabil dhe normal. Por në këtë kontekst shqiptarët e Maqedonisë në përgjithësi janë ata që i përjetojnë më rëndë këto zhvillime. Ngjarjet ndër vite na japin kahje për të gjykuar më drejtë se shqiptarët nuk kanë qëndrim të unifikuar në nivel më të lartë dhe më të zgjeruar në kontekstin gjeografik dhe gjeopolitik. Së këndejmi, pikërisht ky mos unifikim ka bërë që shqiptarët e Maqedonisë në shumë raste të jenë “vegël” e pushteteve, të jenë pa qëndrim, pa vizion dhe pa artikulim të qartë të interesave vitale. Nuk duhet shumë përshkrim për të vërtetuar këtë që e them, por sa për të mos ngelur borxh do të përmend, ngjarjet e Gostivarit në vitin 1997, konfliktin e armatosur të vitit 2001, ngjarjet e Kondovës disa vite pas këtij konflikti, gjykimi i shqiptarëve në rastin e Sopotit, ngjarjet në Brodec, gjykimi i shqiptarëve të pafajshëm në rastin Monstra e së fundmi edhe zhvillimet në Kumanovës. Në të gjitha këto raste ku viktimë ishin shqiptarët, të njëjtat u shfrytëzuan për përfitime politike si nga partitë shqiptare në pushtet poashtu edhe atyre në opozitë. Këto zhvillime saktësisht ku edhe është përdorur forcë, dhunë, armatim i rëndë, sa më shumë bëhen të turbullta dhe të pa ndriçuara. Por në tërë këto rrethana vërehet qartë se shqiptarët nuk kanë qëndrim të qartë dhe të unifikuar. Daljet e fundit për një kafe bashkë mes Ahmetit dhe Thaçit para medieve në klubin e deputetëve, nuk janë asgjë tjetër përveçse një mesazh se ata janë duke ndërtuar qëndrime të përbashkëta politike por jo ndonjë qëndrim unifikues.Ky është një hap i guximshëm deri më tani në skenën politike shqiptare por a mjafton?. Natyrisht, se jo.Në këto “tensione” psikike dhe terrori në kokën e çdo shqiptari, ata të dy, pra Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, duhet që të veprojnë bashkërisht me shumë faktorë të tjerë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Fillimisht dy liderët duhet që të hartojnë këtë strategji kombëtare me liderët e partive politike në Kosovë edhe në Shqipëri. Jo vetëm kaq, ata duhet që të thirrin një takim më të zgjeruar për të vendosur linjat e kuqe për shqiptarët e Maqedonisë.Në këtë koordinim dhe marrje të qëndrimit të përfshihen kryeministrat e Shqipërisë dhe të Ksoovës, të gjithë shoqatat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, drejtuesit më të lartë të këtyre ushtrive, drejtues të shërbimeve informative të Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësuesit e spektrit fetarë, ish presidentët e Shqipërisë dhe njerëz me qëndrime të kristalta kombëtare. Në këtë koordinim të artikulohen qartë kërkesat e popullit shqiptarë në Maqedoni, qëndrimet politike të dy shteteve amë, dhe qëndrimet e ish luftarëve që në të ardhmen të njëjtit të mos keqpërdoren për qëllime politike sepse një pjesë dukshëm e ish luftarëve tashmë dëshmorë janë vrarë në rrethana misterioze në disa aksione të policisë maqedonase. Në këtë koordinim të qartësohet njëherë e përgjithmonë se shqiptarët e Maqedonisë do të jenë në ombrellën e këtij shteti, apo do të kërkojnë alternative tjera. Linjat e kuqe duhet të jenë të qarta edhe për palën tjetër e cila nënshtron shqiptarët dhe këta linja duhet të jenë të miratuara edhe në parlamentin e Maqedonisë dhe të jenë pjesë e kushtetutës:
Kështu, shqiptarët e koordinuar duhet që të kërkojnë :Policia e Maqedonisë të ndëpresë aksionet në viset shqiptare me arsyetime se kërkojnë terroristë.Për aksione ajo duhet që të informojë fillimisht:Popullatën civile, komunën, bashkësinë lokale, policinë lokale, mediat dhe deputetët e zonës. Policia gjatë intervenimeve detyrimisht të ketë përbërje multietnike.
Në rast alarmi për rrezik në shtet, gjendje e mobilizuar e ushtrisë dhe Policisë të jetë në nivel të shtetit dhe jo vetëm në qytetet me shumicë shqiptare por edhe në ato qytetet me shumicë maqedonase.(rastet në të kaluarën kanë treguar se policia mobilizohet vetëm në rajonet ku jetojnë shqiptarët).
Në parlamentin e Maqedonisë 30 vende të jenë të garantuara për shqiptarët.
Komunat me shumicë shqiptare të kenë të drejtë të bashkohen mes veti në asociacionin e komunave shqiptare dhe vendimet ti marrin për të mbrojtur interesat e popullatës shqiptare.
Përfaqësuesit legjitim shqiptarë të përfaqësojnë dhe të marrin pjesë në qeveri vetëm me dokumentin e hartuar nga koordinimi mbarëshqiptarë.
Shqiptarët të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze interesat edhe të popullatës shqiptare në Manastir dhe Prilep.
Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në nivel nacional. (këtë të drejtë e kanë sërbët në Kosovë).
Shteti në mënyrë të barabartë të kthejë në investime mjetet nga tatimet e taksapaguesit shqiptarë, në zonat ku jetojnë shqiptarët.
Shqiptarët e Maqedonisë përmes partive politike në pozitë edhe në opozitë të kenë të deleguar dy përfaqësues në kuvendin e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës urgjentisht të emrojnë të deleguarit e tyre të posaçëm vetëm për shqiptarët, ambasadori le të kryejë punën e tij protokollare shtetërore.
Dy qeveritarë të kenë përfaqësi (zyrë) të tyre në Tetovë dhe të monitorojnë se si implementohet në praktikë marrëveshja mbarëshqiptare me qeverinë e Shkupit dhe në kohë, me saktësi të informojnë qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë.
Asnjë parti Politike të mos marrë pjesë në qeveri pa u pranuar marrëveshja nga pala maqedonase.
Linjat e kuqe i ka të vendosura Greqia në kontestin e emrit me Maqedoninë, njejtë edhe Maqedonia i ka të vendosura ndaj Greqisë duke mos biseduar për identitetin. Pse edhe ne shqiptarët të mos kemi linja të kuqe ndaj shtetit dhe pushtetit deri më tani ekskluziv të maqedonasve.
(Qëndrimet janë individuale dhe nuk paraqesin qëndrimet e redaksiveku punoj)

(Autori është gazetarë në Televizionin Koha dhe Gazetën Koha)

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *