Home / Lajme / Rajon / Fjalimi i jashtëzakonshëm i Edi Ramës në varrimin e policit të vrarë

Fjalimi i jashtëzakonshëm i Edi Ramës në varrimin e policit të vrarë

26 qershor-Jeta që Ibrahimi mund të kishte më tutje, gëzimet që ai mund t’u falte më tej prindërve, dashuria që mund të vazhdonte t’u jepte motrave e vëllezërve, kanë ikur të gjitha. E ardhmja dhe ëndrrat e tij kanë mbaruar, sepse jeta e tij ndaloi për shkak të detyrës, tha Rama.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim lamtumirës me rastin e varrimit të policit të vrarë dje gjatë luftimeve në Lazarat, Ibrahim Basha.

Polici Basha para se të bëhej pjesë e njësisë elite të forcave të rendit shqiptar, kishte shërbyer edhe në ushtri duke qenë pjesë edhe e misioneve ushtarake në Afganistan.

Ja fjalimi i plotë i kryeministrit Rama:

FJALA E LAMTUMIRËS PËR DËSHMORIN E POLICISË SË SHTETIT

Mbi dymijë vjet më parë, Herodoti, shkruajti, “Në paqe djemtë varrosin baballarët; në luftë, baballarët varrosin djemtë.”

Të dashur prindër, vëllezër e motra, të afërm e miq të Ibrahim Bashës,

të nderuar autoritete të larta të shtetit dhe klerit shqiptar,

shkëlqesi ambasadorë,

zonja e zotërinj ministra, deputetë e të gjithë ju të pranishëm në këtë ceremoni lamtumire,

Ibrahimi, siç na e kujtoi xhaxhai i tij mbrëmë, mund të ishte varrosur si dëshmor i rënë në luftë, sepse, dy herë me radhë, kishte qenë në misionet luftarake të NATO-s. Por ai sot, do të varroset si dëshmor i rënë në krye të detyrës, në kohë paqeje.

Egërsia në paqe, shfaqet përgjithësisht në forma më pak ekstreme se sa në luftë. Por nganjëherë ajo merr formën e një ekstremizmi vrastar që vetëm lufta mund ta bëjë të pranueshëm, si pjesë të natyrshme të saj. E kur kështu ndodh, ne të gjithë ngremë kokën të pafuqishëm, për të kuptuar lojën tekanjoze të fatit apo vullnetin e Zotit, dhe në pamundësinë më të skajshme përpiqemi megjithatë të marrim vesh diçka që i tejkalon fuqitë tona për të kuptuar.Eshtë një stërmundim po aq ekstrem sa vetë loja e fatit, që ne të tjerëve na bën të kërkojmë fjalën shëruese, e cila asnjëherë nuk na vjen dot për familjen e mbledhur grusht nga befasia e një humbjeje të pakuptimptë; ndërsa familjarët e prindërit sidomos, ky stërmundim i transformon në mishërimin e një dhimbjeje që s’ka Zot, e jo më fjalë ta bëjë të durueshme.

Unë s’e kam njohur Ibrahimin.

As të gjithë ju, që keni ardhur ta përcillni sot me nderime jo për kush ishte personalisht për ju, nuk e keni njohur.

Ne nuk dimë asgjë për oborrin ku ka hedhur hapat e parë, rrugicën ku ka gjuajtur topin e parë, shkollën ku ka lënë mësimin për herë të parë, vajzën ku ka hedhur shikimin e parë; nuk dimë çfarë i pëlqente të hante, të bisedonte, të bënte në kohën e lirë; as çfarë muzike e tërhiqte më shumë dhe cilës skuadër futbolli i ishte besnik; nuk dimë as si u ndje kur iku për të luftuar jashtë atdheut, e as çfarë tregonte kur u kthye.

Ne nuk e njihnim Ibrahimin dhe as do ta njohim ndonjëherë. Por ne erdhëm sot këtu ta nderojmë atë, edhe pse nderimi ynë nuk mund t’ia kthejë atij të ardhmen që u vra bashkë me të; edhe pse prania jonë pranë tij sot, nuk mund të jetë një kujtim tjetër në rrugën e jetës së tij të re; edhe pse përulja, dhimbja e fjalët tona, nuk mund të zbusin zemrën e bërë gur të familjarëve dhe, sidomos, të prindërve të tij.

Jeta që Ibrahimi mund të kishte më tutje, gëzimet që ai mund t’u falte më tej prindërve, dashuria që mund të vazhdonte t’u jepte motrave e vëllezërve, kanë ikur të gjitha. E ardhmja dhe ëndrrat e tij kanë mbaruar, sepse jeta e tij ndaloi për shkak të detyrës. Por, pikërisht kjo e vërtetë e papranueshme na solli ne të gjithëve këtu, për të përcjellë me nderime jo njeriun që nuk njihnim, po të gjithë ata që janë gati të vdesin bashkë me të ardhmen e ëndrrat e tyre, për paqen e sigurinë e të gjitha familjeve tona.

Ibrahim Basha është sot të gjithë ata së bashku.

Duke nderuar këtë njeri, me të cilin neve nuk na lidhte personalisht asgjë, ne nuk përulemi përpara një personi të vdekur po përpara një simboli të sakrificës. Trupi që na ka mbledhur sot këtu, është trupi i një dëshmori dhe njëkohësisht shembëlltyra e një ideali. Ai qëndron përpara nesh, si dëshmi e gjallë e vlerës së paçmueshme të paqes e të sigurisë për të gjithë dhe e nevojës, për t’u kujtuar gjithnjë, se paqja e siguria e familjeve tona, nuk është dhuratë e Zotit, po përkushtim e sakrificë e njerëzve që nuk i njohim dhe s’do t’i njohim kurrë. Por pikërisht këtyre të panjohurve që ndodh, ja kështu si sot, t’ua dëgjojmë emrin kur s’janë më, u detyrohemi gjënë më të rëndësishme për familjen e secilit prej nesh; vazhdimësinë normale të jetës sonë, gëzimet që na falin fëmijët tanë, dashurinë që japim e marrim nga njëri-tjetri.

U detyrohemi sigurinë e të ardhmes dhe të ëndrrave tona.

Askush nga ne nuk e di sa të gjatë e kemi mbi këtë tokë. Ne nuk e dimë se kur dhe si, pse jo e jo, fati ynë do të përmbysë përgjithnjë planet tona. Por me të njëjtën siguri që ne dime, se nuk kemi asnjë fuqi ta zmbrapsim ndërhyrjen e mistershme që do të ndërpresë jetën tonë, ne dimë gjithashtu se mund të zgjedhim vetë si ta jetojmë, kohën që na është dhënë.

Ne mund të japim dashuri, jo urrejtje.

Mund të ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, jo të mendojmë vetëm për veten.

Mund t’u mësojmë fëmijëve tanë të jetuarit me gjërat që vlejnë me të vërtetë, jo me arritjet e kollajshme që squllin trurin e shkretojnë shpirtin.

Ne mund të zgjedhim respektin për tjetrin, në vend të përçmimit; respektin për ligjin, në vend të shkeljes së ligjit; anën e duhur të historisë së vendit tonë, në vend të anës së gabuar.

Por, në të gjitha rastet, në zgjedhjen që ne bëjmë, ne s’jemi asnjëherë të pandikuar nga shembujt me të cilët rritemi, nga modelet në të cilët besojmë, nga njerëzit të cilët admirojmë.

E unë dua t’u përulem sot me ndjenjën më të sinqertë të respektit, prindërve të Ibrahim Bashës dhe t’u them:

Djali juaj jetoi me gatishmërinë për të dhënë gjithçka, sepse ju i dhatë gjithçka.

Ai ishte në anën e çdo familjeje shqiptare që kërkon siguri e qetësi, sepse ju i mësuat atij vlerën e nderit, të respektit e të detyrës.

Sado e pamundur qoftë për ju sot, kur ju duket e kotë çdo frymëmarrje teksa djali juaj ka pushuar së marri frymë, ju përgjërohem të mos mendoni vetëm për atë që ai ishte, apo për atë që mund të bëhej; të mos e torturoni veten vetëm me kujtimet që ju la, apo me parafytyrimet e nipave ose mbesave që nuk ju dha dot. Por ju lutem të mendoni edhe se sa shumë fëmijë apo të rritur, se sa shumë familje shqiptare janë mirë, edhe falë përkushtimit e sakrificave të djalit tuaj e të shokëve të tij të armëve.

Ai sot do të prehet në varrezat e dëshmorëve të atdheut dhe është bërë përgjithnjë pjesë e gjakut të të gjithë atyre, që po kryejnë e do të kryejnë në gjenerata të tjera, misionin e punonjësit të Policisë së Shtetit.

Një fjalë e vjetër thotë: E vetmja gjë që mund të shpresojmë, është që fëmijët tanë do të na bëjnë krenarë duke bërë dallimin në këtë botë.

Ibrahimi e bëri dallimin edhe kur u kthye krenar në shtëpi pas misioneve të vështira jashtë vendit apo në operacionet policore brenda vendit, po edhe kur nuk u kthye dot më, për shkak të detyrës.

Unë nuk e njihja.

Po për mua ai është bërë një tjetër shembull i gjallë nga ata që ndikojnë zgjedhjen e njeriut, në mënyrën se si vendos ta jetojë qëndrimin e vet të përkohshëm mbi këtë dhè dhe ta bëjë detyrën që i takon. Ashtu siç është bërë padyshim një shembull frymëzues, jo vetëm për të gjithë ata që do të vazhdojnë të kryejnë detyrën e punonjësit të Policisë së Shtetit edhe për të, po për këdo tjetër që kërkon frymëzim për ta jetuar jetën duke bërë krenarë prindërit e vet.

Ju, prindër, vëllezër e motra të Ibrahim Bashës, jeni sot një familje dëshmori që në breza do të krenohet me gjakun që dha për popullin e Shqipërisë gjaku juaj.

Ju, punonjës të Policisë së Shtetit, keni nga dje një detyrim më shumë për ta mbajtur të panjollosur uniformën e trupës suaj jetike për sigurinë e qetësinë e këtij populli, dhe një motiv të fortë më shumë për ta luftuar me kurajo e sukses krimin.

Ne, që të gjithë, kemi nga dje një arsye më shumë, për të ecur më shpejt përpara, në drejtimin e duhur, që t’u japim fëmijëve të Shqipërisë një atdhe të denjë për gjakun e të rënëve në krye të detyrës.

Lamtumirë mik i panjohur dhe të qoftë i lehtë dheu!

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *