Home / Lajme / Maqedoni / Poposki-Kocias: Para ’emrit’ duhet të ndërtohet mirëbesimi

Poposki-Kocias: Para ’emrit’ duhet të ndërtohet mirëbesimi

24 qershor- Ky është synimi i masave të mirëbesimit. Kur njerëzit i besojnë njëri-tjetrit, për të zgjidhur problemet, mund të lëvizin edhe malet. Ekziston një dallim rreth çështjes së emrit, por për çdo problem ka zgjidhje”, deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Pas 20 vite negociatash dhe propozimesh se si të zgjidhet emri më në fund autoritet e Shkupit dhe Athinës kanë kuptuar se është e kotë të vazhdojnë negociatat pa ndërtuar më parë mirëbesimin mes dy vendeve. Ministrat e Jashtëm Poposki dhe Kocias e pranuan këtë në takimin e sotëm në Shkup, teksa ranë dakord për zbatimin e një plani prej 11 masash që do të forcojë mirëbesimin e ndërsjellë mes dy vendeve. Mirëbesimi, sipas këtij plani synohet të ndërtohet falë bashkëpunimit në fusha të tjera themeltare sikurse, arsimi, ekonomia, kultura, konsultimeve të rregullta politike mes dy ministrive të jashtme, lidhja infrastrukturore, energjetika etj. Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, vizita e të cilët vjen për herë të parë pas një periudhe një dekade ngrirje komunikimi, theksoi se Greqia nuk ka problem me ekzistimin e shtetit tonë.

“Ne kemi nevojë për një ndërlidhje të ndërsjellë dhe bashkëpunim i cila nuk do të jetë vetëm në nivel të projektit por lidhje gjithëpërfshirëse. Kemi nevojë për besim, në një epokë globalizimi. Në kohën kur BE-ja ballafaqohet me vështirësi, duhet t’i stabilizojmë lidhjet tona sepse jemi vende fqinje dhe duhet të bashkëpunojmë. Ky është synimi i masave të mirëbesimit. Kur njerëzit i besojnë njëri-tjetrit, për të zgjidhur problemet, mund të lëvizin edhe malet. Ekziston një dallim rreth çështjes së emrit, por për çdo problem ka zgjidhje”, deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

“Sot nuk kemi zgjidhje për këtë çështje, kjo është e sigurt, por kemi një qasje e cila do të na ndihmojë që në një kohë të caktuar të ndërtojmë klimë afrimi mes dy vendesh. Problemi ynë më i madh është mungesa e mirëbesimit, veçanërisht në nivel politik, dhe kjo mungesë pamundëson zgjidhjen e një problemi të vështirë dhe ndërlikuar i cili prek emocionet dhe ndjenjat e thella të qytetarëve këtu dhe atje” , tha Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë

Ministri i Jashtëm grek gjithashtu hodhi poshtë akuzat e Shkupit Zyrtar për shkeljen e aktvendimit të Hagës, duke theksuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në verdiktin e saj është shprehur jo-kompetente rreth çështjes së emrit. Nga ana tjetër Kocias theksoi se çdo popull ka të drejtë për identitetin e vet, por gjithashtu tërhoqi vërejtjen se këto çështje nuk duhet të keqpërdoren, duke aluduar te ish ministri i Jashtëm Antonio Milloshoski i cili valëviti flamurin e 16 rreze.

“Kur një ish politikan nga vendi i dashur ku gjendem, nxjerr flamur të paligjshëm më Olimp, kjo përbën irredentizëm. Gjithashtu, kur nga disa palë të treta bëhen harta shtetesh ku përfshihen pjesët e një shteti tjetër, gjithashtu është irredentizëm. Nuk është puna ime të ofroj një katalog me raste të tilla. Ju jeni gazetarë të mirë, mund të bëni reportazhe për të gjitha ato çështje që e rëndojnë bashkëpunimin mes dy vendeve”, u shpreh Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Megjithëse bisedimet e sotme siç deklaruan të dy ministrat u zhvilluan në atmosferë të relaksuar dhe me diskutime të hapura, në konferencën e organizuar pas takimeve kokë më kokë, u vërejtën një sërë mangësish serioze protokollare. Jo vetëm gazetarët që nuk kishin përkthim adekuat, por edhe vet ministrat herë pas here, kishin vështirësi të kuptonin njëri-tjetrin. Ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias, u prit edhe nga presidenti Ivanov, kryeministri Gruevski, zv/kryeministri Fatmir Besimi, ndërkohë që zhvilloi takime të ndara edhe me Ahmetin, Zaevin dhe Thaçin.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *