Home / Lajme / Maqedoni / Veteranët e UÇK-së sërish do të bllokojnë selinë e BDI-së

Veteranët e UÇK-së sërish do të bllokojnë selinë e BDI-së

11 qershor-Organizatat e veteranëve të UÇK-së mbështesin revoltën e ish ushtarëve që kërkojnë punësime, por theksojnë se qëllimi final është zgjidhja ligjore e statusit të UÇK-së.

Burime të gazetës “Lajm” thonë se veteranët tjerë që nuk janë të sistematizuar do të bllokojnë sërish selinë e BDI-së duke shprehur revoltën e tyre dhe duke shpallur kërkesat e tyre

Sistematizimi i ish ushtarëve të UÇK-së në institucionet shtetërore për të siguruar të ardhmen e tyre është problematikë e madhe edhe sot e kësaj dite, 14 vite pas përfundimit të luftës së vitit 2001. Në konkursin e fundit janë pranuar rreth 100 veteranë por ato nuk përbëjnë as 10 për qind të numrit të përgjithshëm të veteranëve që nuk janë ende të sistemuar. Burime të gazetës “Lajm” thonë se veteranët tjerë që nuk janë punësuar, do të bllokojnë sërish selinë e BDI-së, për të kërkuar zgjidhje për statusin e tyre. Ata janë inkurajuar nga rezultatet të cilat i dha bllokada e paradokohshme dhe janë optimistë se nëse bllokojnë edhe njëherë selinë e partisë në pushtet, do të ketë edhe më tepër punësime. Tani për tani nuk është caktuar data për protestën e radhës te selia e BDI-së, por thonë se një gjë të tillë do të bëjnë së shpejti.

“BDI na harroi 13 vite dhe po të mos kishim bllokuar selinë e kësaj partie, kurrë nuk do të kujtoheshin të zgjidhin statusin tonë duke na punësuar. Jemi të kënaqur që në konkursin e fundit u pranuan rreth 100 ish pjesëtarë të UÇK-së, por kjo nuk mjafton. Meqë BDI nuk po e mban premtimin për zgjidhje ligjore të statusit tonë, ne do të vazhdojmë me bllokadën e selisë së kësaj partie, deri sa të punësohet edhe ish pjesëtari i fundit i UÇK-së”, thotë për “Lajm” një ish ushtar nga rrethina e Shkupit.

Organizatat e veteranëve të UÇK-së mbështesin revoltën e ish ushtarëve që kërkojnë punësime, por theksojnë se qëllimi final është zgjidhja ligjore e statusit të UÇK-së. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Besim Hoda, thotë se bllokada e selisë së BDI-së ka qenë aktivitet me angazhim personal nga zona e Likovës, dhe se organizata që drejton ai ka dhënë vetëm mbështetje të formës deklarative. duke qenë kundër zgjidhjes së problemit në mënyrë parciale dhe të pa organizuar. Hoda thotë se synimi i tyre mbetet zgjidhja ligjore e statusit të UÇK-së. “Pra në parim jemi për punësimin e ushtarëve të UÇK-së, mirëpo assesi që kjo të bëhet në mënyrë individuale apo grupore, për shkak se sigurisht kjo do të partizonte vetë ushtarët e UÇK së, do të thotë që OVL, që nga ekzistenca e saj, nga viti 2005, qëllimi për të cilin angazhohet është de – politizimi i luftës së UÇK-së” deklaroi Hoda.

Më tej ai thotë se asnjë parti nuk guxon të thirrët dhe ta mbajë ekskluzivitetin e trashëgimisë të luftës. Hoda nuk mendon se lufta e tyre duhet të shpërblehet me një rrogë apo me një punësim, por vetëm me një ligj të veçantë që do të zgjidhte këtë çështje.

“Qëllimi primar për të cilën angazhohet OVL-ja është realizimi i idealit të luftëtarëve sepse nuk do kishte kuptim që të shpërblehet mundimi për angazhim në emër të kombit me një rrogë, ose me një punësim, pra ky është obligim moral që e kanë të gjithë subjektet politike. Ndërsa barazia me ligj të veçantë ose në kuadër të ligjeve ekzistuese, konform MO-së, dhe konform atyre që kanë përfituar të ashtuquajturit “branitella”, duhet të ishte e drejtë për shkak se çdo tentim tjetër e kthen idealin e ushtarëve, luftën e shqiptarëve të 2001-shit në luftë interesash personale apo grupore” deklaron kështu Hoda.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës shtoi se vetëm zgjidhja e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, që sipas tij ishte qëllimi i luftës, dhe barazia totale e pjesëtarëve të UÇK-së, duke përfshirë dëshmorët dhe invalidët, dhe zgjidhja e statusit të familjarëve, me kushtetutë të barazuar, me të ashtuquajturit “branitella”, dhe barazia në formë institucionale e statusit të dëshmorëve, dhe institucionalizimi i ushtarëve të UÇK-së, në përgjithësi e jo në formë parciale, ose partiake, sipas tij, është zgjidhje e drejtë dhe reale konform qëllimit të luftës dhe nënshkrimit të MO-së./Lajm/

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *