Home / Sport / Zyrtare: Rikthehet Ardian Cuculi te Shkëndija (FOTO – VIDEO)

Zyrtare: Rikthehet Ardian Cuculi te Shkëndija (FOTO – VIDEO)

Ardian Cuculi firmos kontratë dy vjeçare me klubin Shkëndija, duke u rikthyer në skuadër vetëm 12-të muaj pasi u largua drejt Partizanit të Tiranës.

Vetëm 12-të muaj pas largimit, mbrojtësi i majtë Ardian Cuculi rikthehet në taborin ‘kuqezi’. Kryesia e klubit dhe kërçovari kanë arritur akordin për bashkëpunim 2 vjeçar dhe pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm është zyrtarizuar kalimi i tij në Shkëndijë. Cuculi vitin e kaluar ishte ndër më të mirët kur ekipi arriti të sigurojë pjesëmarje në eliminatoret e Liga Evropës, ndërsa më pas kaloi në Shqipëri të Partizani i Tiranës. Edhe atje ai konfirmoi kualitetin duke u bërë ndër pikat kyçe në formacionin që deri në fund kërkoi titullin dhe në fund siguroi Evropën, ndërkohë që zhvilloi edhe disa paraqitje me përfaqësuesen më të mirë të Maqedonisë, përfshi këtu edhe duelin me Spanjën në Valencia. Pikërisht rendimenti shumë i mirë i shfaqur këtë periudhë bëri që Shkëndija të vendosë të rikthejë kërçovarin në skuadër, me të cilin pos që ngritet kualiteti i repartit defanziv, njëkohësisht angazhohet futbollist që njeh mirë ambientin dhe nuk do të ketë nevojë për adaptim.

“Normal duke parasysh se për çfarë klubi bëhet fjalë çdo rikthim i imi sjell një emocion më të madh. Unë vij në një ambient të njohur, kthehem në shtëpinë time dhe shpresoj që së bashku me bashkëlojtarët tjerë, me gjithë drejtuesit do të arrijmë qëllimin që Shkëndija të arrijë atje ku i ka objektivat“, deklaroi Ardian Cuculi në prezantimin e tij si futbollist i Shkëndijës.

Për kërçovarin kjo është hera e tretë që i bashkohet Shkëndijës, pasi paraprakisht në dy raste mbajti fanellën ‘kuqezi’. Duke qenë një periudhë të gjatë në Tetovë, ai është konvertuar në një futbollist që mbase mund të llogaritet si vendas. Cuculi rrjedh nga shkolla e futbollit të Vëllazërimit të Kërçovës për të cilët debutoi në Ligën e Parë në moshë shumë të re, ndërsa në vitin 2007 për herë të parë bëhet pjesë e Shkëndijës. Më vonë luajti për Pobedën e Prilepit dhe Milanon e Kumanovës, që më pas të kthehet te Shkëndija. Partizani i Tiranës e ndajti edhe një herë me fanellën ‘kuqezi’, por jo më shumë se një vit. Ardian Cuculi ishte pjesë e ekipit historik që në sezonin 2010/2011 fitoi titullin e kampionit dhe Super Kupën e Maqedonisë, ndërsa është futbollisti që ka shënuar golin e parë të Shkëndijës në Kupat Evropiane. 27 vjeçari Cuculi është përforcimi i parë i Shkëndijës në këtë merkato, kur ekipi bëhet gati për pjesëmarje në liminatoret e Liga Evropës.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *