Home / Lajme / Rajon / Deklarata kushtetuese e 1990-së, pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës

Deklarata kushtetuese e 1990-së, pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës

2 korrik-Ndryshe, Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht, para Kuvendit të Kosovës, Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti një seancë solemne për shënimin e 25-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, në të cilën u tha se kjo Deklaratë përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.

Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe deputetët e asaj kohe si dhe miku i Kosovës, Eliot Engel.

Kongresmeni, Eliot Engel në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës tha se kur vjen në Kosovë ndihet si në shtëpinë e tij dhe kosovarët janë shumë mikpritës.

“Sa më shumë që kam dëgjuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, aq më shumë kam dashur ta luftojë këtë padrejtësi”, tha ai.

Engel përmendi një ngjarje të viteve 90-ta kur kishte dashur të vinte si vëzhgues zgjedhjesh, por që regjimi i Millosheviqit nuk e kishte lënë të hynte në Kosovë, duke e quajtur njeri problematik. Ai me këtë rast tha se pati mbajtur konferencë për media në kufi me Maqedoninë.

Kongresmeni Engel duke folur për proceset në Kosovë përgjatë 20 viteve të kaluara tha se ishte koha që Kosova të lëvizte para, të bëhej shtet i pavarur e sovran.

Ka shumë gjëra për të cilat tha se duhet të bëhen në Kosovë, si sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi i ekonomisë. “Dua të shoh demokraci, sundim ligji”, u shpreh Engel. “Prej zemre e dua Kosovën dhe do ta keni mbështetjen time gjithmonë”, tha Engel.

Kongresmeni foli edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën tha se duhet të formohet nga institucionet e Kosovës. Ai tha se nëse nuk do të formohet nga institucionet e Kosovës, ka frikën se do të formohet nga Kombet e Bashkuara, e kjo tha se do të ishte problematike për Kosovën pasi ka vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës.

“Kjo do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, tha Engel. Ai tha se dëshiron të shoh Kosovën në BE dhe të bëhet liberalizimi i vizave.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Deklarata kushtetuese e 2 Korrikut përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.

“Ishte një përballje e madhe me nacionalizimin e egër serb”, tha Veseli.

Kryeparlamentari tha se delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullnet i qytetarëve të Kosovës të asaj kohe.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës u shfaqën sekuenca të asaj kohe, ku bëheshin përgatitjet për miratimin e Deklaratës kushtetuese, 1990.

Ndryshe, Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht, para Kuvendit të Kosovës, Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Ky ishte një akt historik që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Miratimi i kësaj deklarate paraqet padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar.

Shënohet 25-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990

Sot bëhen 25 vite nga shpallja e Deklaratës së Kushtetuese e Kosovës më 2 korrik 1990 e cila llogaritet të jetë, hapi i parë historik e institucional drejt pavarësimit të Kosovës.

Me këtë rast Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë solemne në orën 11:00.

Më poshtë keni deklaratën e plotë të lexuar me 2 korrik 1990

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)
Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të
Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *