Home / Lajme / Rajon / Frikë në arrati: Historia e një të mbijetuare të Srebrenicës

Frikë në arrati: Historia e një të mbijetuare të Srebrenicës

7 korrik-“Them gjithmonë, nëse ata pyje do të mund të flisnin… Vdiqën shumë njerëz. Edhe në pusinë e parë. Ne ia mbathnim, mbijetonim, shkelnim mbi të vdekur pa parë fare,” rikujton Fatima. Ajo thotë se mbante një granatë me vete për të vrarë veten, në rast se kapej nga forcat serbe të Bosnjës.

Ulur në një zyrë në kryeqytetin boshnjak të Sarajevës, shumë kilometra larg Srebrenicës, 61-vjeçarja Fatima Ahmic mbledh veten për të folur për ditët më të këqija në jetën e saj – largimin e dëshpëruar nga trupat serbe të Bosnjës të cilat qytetin e saj të vjetër të lindjes në korrik 1995 dhe humbjen e djalit të saj.

Pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll Srebrenicën, Fatima iu bashkua një grupi prej mijëra njerëzish të cilët kishin vendosur t’ia mbathnin nëpër pyll në drejtim të qytetit të Tuzlës, rreth 70 kilometra më larg, e cila ishte në territorin e kontrolluar nga ushtria boshnjake.

Burri Fatimas dhe të dy djemtë e saj ishin gjithashtu në atë grup. Ata kishin vendosur: “Nëse vdesim, do të vdesim së bashku.”

“Mendova se nëse ndonjëri prej tyre plagosej, do t’i ulesha pranë dhe do të rrija me të, por asgjë nuk shkon siç e planifikon,” thotë ajo.

Rreshti i burrave, rreth dhjetë kilometra i gjatë, doli nga fshatrat pranë Srebrenicës rreth mesnatës së 11 korrikut. Ata ishin rreth 10,000 dhe 15,000 vetë, kryesisht të moshës midis 16 dhe 65 vjeç. Në krye ishte Divizioni i 28-të i Ushtrisë Boshnjake .

Ndërkohë, pjesa tjetër e grave, fëmijëve dhe të moshuarve shkuan në bazën e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara pranë Potoçarit, ku besonin se do të jetë e sigurt.

Rreshti i gjatë i njerëzve që largoheshin ra nën zjarr të vazhdueshëm dhe shumë njerëz vdiqën gjatë marshimit, kujton Fatima. Kur filluan të shtënat, ajo u nda nga familja e saj.

Kudo kishte trupa të vdekurish. Me frikën se mos njerëzit e saj të dashur mund të ishin mes tyre, ajo filloi të rrotullonte disa nga trupat e vdekur.

“Nuk kisha frikë. Mendoj se Allahu më dha forcë në atë çast. Shkova te një fëmijë. Ai i ngjante shumë djalit tim Seadit. Ndenja ulur pranë tij për katër ditë me radhë,” thotë ajo.
Pasi kaluan katër ditët, ajo vuri re se djali kishte veshur këpucë ndryshe nga ato që kishte djali i saj. Kështu që ajo u ngrit dhe vazhdoi e vetme.

Në ato çaste, ajo ishte konfuze dhe e çorientuar: “Nuk e di cila është e majta apo e djathta. Nuk di asgjë,” rikujton ajo.

Ajo kaloi më shumë se dy ditë në pyll, pastaj takoi një burrë, i cili i kërkoi të thoshte një lutje në arabisht për të vërtetuar se ajo ishte myslimane. Fatima thotë se ajo mezi mbante mend emrin e saj, jo më një lutje, por ia doli mbanë ta thoshte.

“I tregova që po udhëtoja me fëmijët e mi, por që i kisha humbur. Ai tha: ‘Zbrit poshtë, atje është një grup.’ Shkova dhe pashë 12 burra. Njëri prej tyre tha: ‘Grua, ne do të shkojmë në fshatin Suceska. Mund të vish me ne, nëse dëshiron, dhe të na ndihmosh me ushqimin. Do të duhet një muaj të arrijmë në Tuzla,” risjell në mendje ajo.

Ajo pranoi të udhëtonte me grupin, por i detyroi ata t’i premtonin se s’do të kujdeseshin në mënyrë speciale për të, por se do të siguroheshin të mbijetonin vetë. Problemi është se asnjë s’e dinte rrugën. Ata hasën një pritë serbo-boshnjake, ia mbathën dhe përfunduan në të njëjtat pyje.

“Vendosëm të fillonim përsëri gjatë natës, por ecën pyjeve, nuk gjen asgjë. Nuk arrija ta shikoja dot qiellin. Dola që atje gjithë gjak dhe e shqyer,” thotë ajo.

Që kur ishte larguar nga Srebrenica, ajo thotë se mezi kishte pirë një gllënjkë ujë ose kishte ngrënë një kafshatë ushqim, dhe njerëzit e grupit po fillonin të çmendeshin për këtë arsye. “Njëri prej tyre bërtiti: ‘Pashë ëndërr një copë të madhe buke si ajo që bënte mamaja ime…’ Ishin të gjithë të uritur,” thotë ajo.

Një tjetër djalë i ri në grupin e saj ishte plagosur gjatë pusisë dhe kishte hemorragji.

“Një bombë i kishte copëtuar bërrylin. Më erdhi keq për të. Kur u ulëm, atë e zuri gjumi. Rrija dhe e zgjoja çdo gjysmë ore. Një herë ai më bërtiti: ‘Më lër të qetë! Pse më bie më qafë?” thotë ajo.

“Kur ndaluam pranë lumenjve, grisa një pjesë nga xhaketa ime dhe i pastrova plagën, sepse po i vinin mizat. Ai kishte të njëjtën moshë me djemtë e mi.”

I riu mbijetoi, thotë ajo, por gjatë marshimit të gjatë, shumë të tjerë iu dorëzuan lodhjes dhe të tjerë u vranë nga bombardimet. Sipas vendimeve të mëvonshme nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendase, rreth 1,500 njerëz vdiqën nëpër pyje në përpjekje për t’u arratisur.

“Them gjithmonë, nëse ata pyje do të mund të flisnin… Vdiqën shumë njerëz. Edhe në pusinë e parë. Ne ia mbathnim, mbijetonim, shkelnim mbi të vdekur pa parë fare,” rikujton Fatima. Ajo thotë se mbante një granatë me vete për të vrarë veten, në rast se kapej nga forcat serbe të Bosnjës.

Kur ishin pranë qytetit Kladanj, Fatima thotë se pa një hendek serb, por grupi arriti t’ia kalonte nëpërmjet një lumi.

Tri ditë më vonë, ata arritën në Klasanj, i cili ishte nën kontrollin e forcave serbe të Bosnjës. Udhëtimi kishte zgjatur 13 ditë. Një nga djemtë e saj arriti për tetë ditë, por bashkëshortit të saj Hasibit, iu deshën 66 ditë për të arritur atje pasi humbi dhe u end nëpër pyll duke u përpjekur të gjente rrugën e drejtë.

Djali tjetër i saj, Mirsadi, nuk ia doli dot kurrë. Ndërkohë, vëllai, babai dhe dy kunetërit e Fatimas kishin kërkuar të strehoheshin në bazën e Kombeve të Bashkuara në Potocari, por ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës dhe ishin vrarë.

Fatima tani jeton në Sarajevë dhe fqinjët e saj më të afërt janë serbë dhe kroatë. Ajo përpiqet të ketë marrëdhënie të mirë me të gjithë ata. Pavarësisht asaj që ajo vuajti 20 vjet më parë, ajo thotë se nuk urren asnjë.

“Njerëzit duhet ta respektojnë njëri-tjetrin. Ata duhet të dinë se edukimi është gjëja më e rëndësishme. Nëse e edukon dikë të jetë i drejtë, ai i tillë do të jetë,” thotë ajo.

“Duhet gjithashtu të falim, por të mos harrojmë kurrë. Thellë në zemrën tënde, duhet ta dish se çfarë ke përjetuar.”/BIRN/

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *