Home / Lajme / Maqedoni / Implementimi i MO-së, mollë sherri mes PDSH-së dhe BDI-së

Implementimi i MO-së, mollë sherri mes PDSH-së dhe BDI-së

2 korrik-Ibrahimi sulmoi edhe mediat lidhur me raportimet për seancën e pyetjeve të deputetëve kur as BDI dhe as PDSH nuk parashtruan asnjë pyetje ndaj kryeministrit Gruevski dhe ministrat e VMRO-së për asnjë çështje që tangon shqiptarët

Debati parlamentarë mbi raportin për implementimin e deritanishëm të Marrëveshjes së Ohrit nuk arriti të përfundojë. Ky debat u ndërpre shumë shpejt për shkak të përplasjeve të dy partive shqiptare, BDI dhe PDSH. Situata kulminoi gjatë diskutimit të deputetit Orhan Ibrahimi i cili përveç akuzave ndaj BDI-së u kthye edhe në vitet e 90-ta duke mos kursyer as kryetarin tanimë të ndjerë të PPD-së, Abdurahman Aliti. Ibrahimi sulmoi edhe mediat lidhur me raportimet për seancën e pyetjeve të deputetëve kur as BDI dhe as PDSH nuk parashtruan asnjë pyetje ndaj kryeministrit Gruevski dhe ministrat e VMRO-së për asnjë çështje që tangon shqiptarët.

“Është vetëm një pamflet, është një asgjë, gati asgjë të vërtetë nuk ka këtu. Këtu punët më nuk bëhen me marifet, dhuna është e tejdukshme dhe nuk ka turp, banditi të instalohet në skenën politike, krimineli të bëhet ministër. Të nderuar gazetarë, ju që keni përcjellë, natyrisht edhe këta kanë përcjellë por dëshirojnë ti shtrembërojnë faktet. A e keni dëgjuar ndonjëherë Abdurahman Alitin të thotë se burim krize në Maqedoni është Kushtetuta e sjellë në vitin 1991? Me mandat deputeti dhe të moralit tim personal e them se kurrë se ka bërë atë deklaratë. Është mirë për gazetarinë e paguar e cila thotë se në Parlament, heshtet dhe deputetët shqiptarë nuk flasin dhe nuk kanë guxim tu drejtohen maqedonasve për diskriminimin që u bëjnë shqiptarëve, por u shtrojnë pyetje ministrave shqiptarë dhe zëvendëskryeministrit, s’është e vërtetë”, deklaroi Orhan Ibrahimi, PDSH.

Zëvendës kryeministri Musa Xhaferi në diskutimin e tij akuzoi se PDSH tanimë është në koalicion të hapur me VMRO-DPMNE-në. Xhaferi numëroi disa projekte të përbashkëta të partisë së Thaçit me atë të Gruevski, që siç tha ai kanë shkuar në dëm të shqiptarëve.

“Përderisa nuk e ndërroni këtë zhargon, në zgjedhjet e ardhshme që janë shumë afër, prapë nuk fitoni. Mos improvizoni se ju luftoni VMRO-DPMNE-në kur ju keni raporte shumë të mira, jo ju dy, por kryetari juaj. Përderisa ju akuzoni se është demagogji kjo mbledhja e Komitetit edhe unë do të bëhem demagog si ju. Për të pasur disa fakte ju shkuat në vitin 2013 dhe bëtë marrëveshje koalicioni për komunën e Dollnenit, një komunë që i ka kushtet shumë të këqija, për ta kthyer atë maqedonasin pas një mandati shqiptarë dhe tash e keni sekretarin e Komunës. Ju mendoni se publiku shqiptarë nuk i sheh këto punë? Abrogimi i ligjit për flamurin a u bë në mandatin tuaj, po. Mua më vjen keq se ju në vitin 2003-2004 ju thoshit USHT është kasolle e BDI-së. Jo, publiku i mban mend këto gjëra, prandaj edhe juve ju ndëshkon në zgjedhje”, u shpreh Musa Xhaferi, zv. Kryeministër.

Pas diskutimit të Xhaferit, Ibrahimi kërkoi replikë e cila nuk lejohet në Komitetin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, ndërsa ai nuk pranoi që të presë kur ti vijë radha tjetër për diskutim. Pas kësaj, kryetari Komitetit dha 10 minuta pauzë, pas çka në mungesë të korumit mbledhja nuk vazhdojë dhe u anulua në afat të pacaktuar.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *