Home / Lajme / Maqedoni / Javën e ardhshme fillon procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës

Javën e ardhshme fillon procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës

23 korrik-“Marrja e deklaratave nga ana e prokurores do të fillojë të martën, te të arrestuarit në burgun e Shutkës, kurse më pas do të vazhdojë edhe në burgun e Prilepit dhe Manastirit. Më pas do të përpilohet aktakuza përfundimtare e prokurorisë e cila do të na dorëzohet neve, që të mund të përgatisim mbrojtjen”, deklaroi për “Lajm” avokati Naser Raufi.

Javën e ardhshme, më saktësisht ditën e martë, prokuroria do të fillojë të marrë deklarata nga të arrestuarit në rastin e Kumanovës dhe me këtë formalisht do të fillojë procesi gjyqësor kundër të arrestuarve në “konfliktin e Kumanovës”, njoftojnë për “Lajm” burime nga prokuroria. Sipas tyre edhe pse ka qenë e planifikuar që procesi të fillojë në muajin shtator, është vendosur që të fillohet tani, për shkak të presionit të madh nga mediumet.

Avokati mbrojtës Naser Raufi konfirmon këto informacione.

“Marrja e deklaratave nga ana e prokurores do të fillojë të martën, te të arrestuarit në burgun e Shutkës, kurse më pas do të vazhdojë edhe në burgun e Prilepit dhe Manastirit. Më pas do të përpilohet aktakuza përfundimtare e prokurorisë e cila do të na dorëzohet neve, që të mund të përgatisim mbrojtjen”, deklaroi për “Lajm” avokati Raufi.

Ai ankohet se prokuroria deri tani nuk u ka afruar asnjë detal lidhur me përmbajtjen e aktakuzës me arsyetim se pa i grumbulluar deklaratat e të arrestuarve, një gjë e tillë nuk është e mundur.

“Për këtë arsye do të na nevojitet shumë punë që të mund të përgatisim mbrojtje të mirë dhe të qëndrueshme”, thekson Raufi. Ai të mërkurën ka vizituar sërish të arrestuarit në burgun e Prilepit dhe Manastiri dhe tani më në fund është i kënaqur nga mënyra se si trajtohen.

“Ka ndryshuar trajtimi pas reagimeve që i bëmë përmes gazetës ‘Lajm’. Tani të arrestuarit janë të vendosur në kushte më të mira dhe trajtohen në mënyrë më humane. Dëgjova se disa njerëz, të cilët sipas funksionit që mbajnë duhet të përkujdesen për të arrestuarit e Kumanovës, kanë bë akuza se unë dhe ‘Lajm’-i po bëjmë zhurmë të panevojshme lidhur me gjendjen e të arrestuarve. Tani jam i kënaqur që pikërisht kjo zhurmë që e bëmë ne dha rezultate, kurse emrat e atyre që kanë folur kundër nesh do t’i publikoj kur të vijë koha”, thotë Raufi.

Në konfliktin e Kumanovës humbën jetën tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. 30 prej grupit të armatosur u dorëzuan, ndërsa ministria në deklaratën e 9 majit tha se grupi i organizuar kishte qëllim sulme terroriste ndaj institucioneve të Maqedonisë. Jo zyrtarisht, në këtë rast janë ngritur padi ndaj 33 personave.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *