Home / Lajme / Rajon / Referendumi grek për të ardhmen e vendit

Referendumi grek për të ardhmen e vendit

5 korrik-Qeveria u ka bërë thirrje votuesve, që të votojnë “Jo”, për të qenë më e fuqishme në negociatat me huadhënësit, por kundërshtarët e kryeministrit Tsipras paralajmërojnë se, kjo votë mund të çojë në largimin e Greqisë nga Eurozona.

Prej orës 7 të mëngjesit, grekët u janë drejtuar kutive të votimit në referendumin e kësaj të diele për t’iu përgjigjur me “po” ose “jo” pyetjes: Duhet të miratojmë marrëveshjen që ka propozuar KE, BQE dhe FMN më 25 qershor, e cila përbëhet nga reformat për përfundimin e programit dhe nga analiza paraprake e qëndrueshmërisë së borxhit?

Ky është referendumi i parë i Greqisë pas rreth 40 vitesh, por një nga më të rëndësishmit në historinë e saj, pasi do të jetë vendimtar për zhvillimet politiko-ekonomike të vendit, të cilat në 6 vitet e fundit kanë qenë një problem i madh edhe për BE-në.

Mbarimi i programit të ndihmës për Greqinë, të martën e kaluar; bankat e mbyllura, limiti i tërheqjes nga ATM-të deri në 60 euro; frika e shkaktuar nga disa publikime për taksë kolosale mbi depozitat, presionet e shtypit vendas dhe të huaj, deklaratat e udhëheqësve europianë, janë padyshim faktorë të rëndësishëm, që mund të ndikojnë në vendimin e grekëve për të dhënë përgjigjen pozitive apo negative ndaj masave, që propozojnë huadhënësit.

Qeveria u ka bërë thirrje votuesve, që të votojnë “Jo”, për të qenë më e fuqishme në negociatat me huadhënësit, por kundërshtarët e kryeministrit Tsipras paralajmërojnë se, kjo votë mund të çojë në largimin e Greqisë nga Eurozona.

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis ka deklaruar përsëri orët e fundit, se BE nuk ka asnjë bazë ligjore për të nxjerrë Greqinë jashtë euros. Por ekspertë financiarë shpjegojnë se, nëse BQE vendos përsëri të hënën të mos u japë parà bankave greke, Athina do të jetë e detyruar në ditët e ardhshme të ketë një monedhë të re, pasi eurot që ndodhen në banka do të mbarojnë.

Një pamje e qartë e rezultatit do të bëhet e ditur rreth orës 9 të mbrëmjes, nëse nuk do të ketë vonesa në mbylljen e votimit, nëse mbërrijnë 10% e rezultateve nga 4.800 Qendrat e Votimit dhe nëse diferenca midis dy alternativave, në këtë numër votash, do të jetë më e madhe se 4%.

Zhvillimi i referendumit ndiqet me vëmendje të jashtëzakonshme nga mediet e huaja dhe mbi 700 gazetarë, kameramanë dhe punonjës të shtypit janë akredituar ditët e fundit në Athinë. Sondazhet kanë dhënë deri orët e fundit një diferencë në kufirin e marzhit të gabimit statistikor, ndaj askush nuk mund të bëjë një vlerësim se cili kah do të fitojë.

Referendumi grek zhvillohet në një moment kur, sipas Bankës Mbretërore të Skocisë, recesioni që po përjeton Greqia në 8 vitet e fundit, pra në një kohë paqeje, është i të njëjtit nivel me atë të Depresionit të Madh apo të Luftës së Dytë Botërore.

/ Top Channel

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *