Home / Lajme / Rajon / ASHAK i shpreh ngushëllime familjes Krasniqi

ASHAK i shpreh ngushëllime familjes Krasniqi

28 gusht-
Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga Presidenti historik I. Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014.

Pak para mesnate, rreth orës 00.35 minuta, në Qendrën Intensive të QKUK-së ka ndërruar jetë akademik Mark Krasniqi.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton opinionin se vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dijetari, intelektuali, profesori dhe veprimtari i spikatur i kauzës sonë kombëtare, akademik Mark Krasniqi. Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën, Akademinë, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe e gjithë bota shqiptare.

Mark Krasniqi lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës, ku e kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), ndërsa në vitet 1946-l950 gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua më 1950. Në vitet 1945-1946 punoi gazetar-redaktor në ga zetën “Rilindja” në Prizren, ndërsa në vitet 1947-l949 gazetarredaktor në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe).

Në vitet 1950-1961 ka punuar fillimisht si asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd. Në vitin 1960 mbrojti doktoratën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitet 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri atëherë kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ushtroi disa herë detyrën e prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit Juridik Ekonomik, ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezishë.

M e punën e tij shkencore, para së gjithash në fushën gjeoetnografike, të mbështetur në fuqinë e argumenteve shkencore, arriti ta studiojë dhe pasqyrojë realitetin kompleks hapësinor e shoqëror të Kosovës dhe ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke bërë emër përtej suazave të Kosovës dhe atyre kombëtare. Të gjitha këto angazhime të tij ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar.

Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga Presidenti historik I. Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare.

Mbledhja komemorative dhe homazhet do të mbahen në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Për ditën e komemoracionit dhe ceremoninë e varrimit ju njoftojmë në ndërkohë.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *