Home / Lajme / Rajon / Mediat serbe: Hashim Thaçi, njeri i Amerikës

Mediat serbe: Hashim Thaçi, njeri i Amerikës

17 shtator-Kishte perënduar tashmë koha e ish-bashkëluftëtarëve. Disa prej tyre lanë PDK-në, duke u shpërndarë në parti më të vogla, disa të tjerë u bënë “radioaktivë” për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion apo krime lufte. Këshilltarët kryesorë të sotëm të Thaçit i takojnë shtresës urbane të arsimuar në perëndim, me lidhje të mira ndërkombëtare, njohje digjitale dhe me pikëpamje progresive.

Portali serb informativ Elektronske Novine ka botuar një profil të gjatë të zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, me fokus në pesë vitet e fundit të tij. Cila është lidhja e Thaçit me Amerikën? Si e sheh Serbia, Thaçin? Si arriti Thaçi të transformohet nga një i akuzuar për tregti organesh në një, siç e quajnë serbët, “super-yll i mediave botërore”?
Fundi i vitit 2010 ishte një periudhë e errët për politikanin më të njohur të Kosovës, Hashim Thaçin. Ai po kalonte në një furtunë pas zgjedhore në Kosovë, proces ky i cili ishte kontestuar ashpër atëbotë. Parregullsi të mëdha u raportuan në zgjedhjet nacionale, shumica e tyre në komunat nën kontroll të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën Thaçi e bashkëthemeloi në 1999-ën e largët, me ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pjesa më e madhe e mashtrimit të raportuar po bëhej brenda listave të partisë kur garda e vjetër e UÇK-së po përdorte të gjitha metodat për të mos ia lëshuar pushtetin brezit të ri të politikanëve. Ç’është e vërteta, të gjitha partitë në Kosovë u përballen me po të njëjtat akuza – sistemi zgjedhor me lista të hapura, por me një zonë ku secili votues do të zgjedhte 5 deputetë, bëri që kandidatët të orvateshin për të fituar vota pa kursyer mjete, përfshirë ryshfetin dhe vjedhjen e drejtpërdrejtë të votave.

Pikërisht në kohën kur partitë politike po arrinin marrëveshjen për rinumërimin e vota dhe rivotim në disa komuna, një skandal i ri shpërtheu – skandal ky i cili vërshoi faqet e para të medieve botërore. Një raport ishte publikuar nga politikani zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se Thaçi ishte kreu i një grupi të madh mafioz të specializuar në drogë, prostitucion, trafikim, por, çfarë ishte më shqetësuese, ai u akuzua edhe për përfshirje të drejtpërdrejtë në trafikimin e organeve të të burgosurve gjatë luftës në Kosovë më 1999. Dukej se raporti i ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë” i kishte dhënë fund karrierës politike të Thaçit. Dukej se karriera e tij po merrte fund – cili lider botëror do të takohej ndonjëherë me kryeministrin e një shtet i, i cili akuzohej për krime të tmerrshme të tilla si trafikimi i organeve?

Pesë vjet më vonë parashikimet për rënien e Thaçit duken aq joreale. Njeriu të cilin edhe armiku i tij i kohës së luftës, Daçiq, e quan sot “superylli i medieve globale” qëndron fuqishëm dhe sigurt në peizazhin politik të Kosovës, e mbase në kulmin e popullaritetit të tij në mesin e votuesve të Kosovës. Sondazhet e realizuara së fundi tregojnë se Thaçi është më popullor se kryeministri Mustafa dhe udhëheqësi i opozitës Albin Kurti – së bashku. Me i pranishëm se kurdoherë, Thaçi po e viziton botën, brenda 10 ditësh ishte në Samitin e liderëve në Vjenë, atë mund ta shihnit duke luajtur futboll me ministrin e jashtëm austriak dhe kryeministrin maqedonas, i dha intervistë të gjatë Bild-it gjerman, e realizoi edhe një intervistë me Telegraph-in britanik dhe publikoi editorialet e tij në Franfkurter Allgemeine Zeitung mbi migrimin, si dhe në gazetën britanike The Independent mbi Gjykatën Speciale të Kosovës.

Si ministër i Jashtëm i Kosovës, ai po punon në fushatat për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe Interpol – dhe nëse ai ia del në këto përpjekje, ato do të jenë triumf i ri në karrierën e tij të gjatë të garave politike me Serbinë. I vetëdijshëm për fuqinë e rrjeteve të veta sociale, Thaçi përdor facebook-un palodhshëm, ku ndiqet nga 300,000 njerëz dhe mediet e Kosovës që botojnë rregullisht postimet e tij.

Si e bëri ai këtë? Si arriti Thaçi të përmbyste akuzat si kriminel dhe mafioz, t’i transformonte që të bëhej një paçebërës i kandiduar për çmimin Nobel për paqe nga komisionet republikane dhe demokrate të Kongresit Amerikan? Si arriti ai që të transformohej nga një i dyshuar për krime lufte, në një politikan që e citon Sting-un (“Zotëriu ecën dhe kurrë nuk vrapon”) dhe që flet për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve LGBT në një profil të tij të botuar në ballinë të New York Times?

Janë disa shpjegime gjatë analizës së ardhjes së dytë politike të Hashim Thaçit. Për mbështetjen e tij ndërkombëtare ai, ironikisht, mund të falënderojë Serbinë. Kur ai e fitoi mandatin e dytë si kryeministër, ai nuk hezitoi të angazhohej drejtpërdrejtë me homologun e tij serb Ivica Daçiq, pavarësisht thirrjeve në Kuvendin e Kosovës nga ana e opozitës kundër çfarëdo bisedimeve me Serbinë, deri sa Beogradi të kërkojë dhe të njoh pavarësinë e Kosovës.

Dikush mund të thotë se Thaçi ishte mjeshtër i koreografisë politike që i priu ngjarjeve që çuan në dialogun politik të nivelit të lartë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në verën e vitit 2011, i zhgënjyer me dinamikën e dialogut teknik të nivelit të ulët të nisur nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, Thaçi i dërgoi forcat e tij speciale në ku fi me Serbinë, për të marrë kontrollin e pikave kufitare 1 dhe 31 të cilat kishin qenë nën kontrollin e plotë të strukturave paramilitare serbe në pjesën veriore të Kosovës. Aksioni i policisë ishte i rrezikshëm. Një polic kosovar humbi jetën në një shkëmbim zjarri me serbë ne veri të Kosovës. Por, reagimi i serbëve në veri dhe i Beogradit zyrtar ishte pothuajse histerik. Ushtarët gjermanë të KFOR-it u qëlluan nga protestuesit serbë, ndërsa thirrjet propagandistike nga gazeta serbe që “Rusët me ndihmën e tyre humanitare” t’u dalin në ndihmë vëllezërve në pjesën veriore të Kosovës janë parë me dyshim të thellë nga ana e perëndimit. Kancelarja Angela Merkel reagoi me të mësuar se në një cep të Ballkanit, disa serbë kishin shtënë në djemtë e saj të rinj në uniformë dhe ajo arriti në Beograd shumë e pakënaqur për t’i bërë kërkesa të ashpra Tadiqit, në një konferencë për medie që kishte bërë bujë. Thaçi 1: Serbia 0. Aksioni i policisë së Kosovës rriti popullaritetin e Thaçit në Kosovë, por gjithashtu e vendosi atë në një pozicion të partnerit të vetëm të besueshëm të perëndimit në Kosovë.

Thaçi ishte me fat këtë herë. Elita politike e Kosovës përbëhej, në njërën anë, nga ish-komandantë të tjerë të UÇK-së të cilët dukeshin më të vrazhdë dhe më pak të përgjegjshëm se Thaçi, si Haradinaj apo Limaj – dhe, në anën tjetër, nga një brez i politikanëve të rinj, disa të papjekur të cilët po e kundërshtonin dialogun me Serbinë dhe u përpoqën të ndërtonin kredencialet e tyre duke qenë edhe më nacionalistë se Thaçi, të tillë si Albin Kurti apo lëvizja Vetëvendosje.

Së dyti, Thaçi ndryshoi krejtësisht ekipin e tij të rrethit të ngushtë të këshilltarëve. Kishte perënduar tashmë koha e ish-bashkëluftëtarëve. Disa prej tyre lanë PDK-në, duke u shpërndarë në parti më të vogla, disa të tjerë u bënë “radioaktivë” për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion apo krime lufte. Këshilltarët kryesorë të sotëm të Thaçit i takojnë shtresës urbane të arsimuar në perëndim, me lidhje të mira ndërkombëtare, njohje digjitale dhe me pikëpamje progresive.

Ç’është më e rëndësishmja, Thaçi dëshmoi prirje për të bashkëpunuar ngushtë dhe mbajtur afër miqtë nga bashkësia ndërkombëtare. Ai ishte gjithmonë pranë amerikanëve – në një episod në librin e Christopher R. Hill, diplomatin amerikan të përfshirë në bisedimet e Rambujesë, Hill tregon se si James Roubin, i cili ishte atëherë zëdhënës i Clintonit, zgjedhte kravata për Thaçin gjatë negociatave të dështuara në Rambuje më 1998.

Lobi i Kosovës në SHBA ka qenë gjithmonë i fortë, që nga vizitat e para të senatorëve Tom Lantos dhe Bob Dole në Kosovë më 1989, por në prag të ndërrimit të shekujve, ishte e qartë se lufta e Kosovës kundër Millosheviqit dhe pavarësia që pasoi do të kishin qenë të pamundura pa përfshirjen e SHBA-së. Thaçi e kupton dhe punon në përputhje më agjendën e SHBA-së. Kur amerikanët mbështetën revolucionin në Siri, Thaçi u takua me opozitën siriane, kur ISIS u bë një problem për SHBA-në, Thaçi arrestoi dhjetëra të dyshuar si mbështetës të ISIS-it duke përfshirë disa prej imamëve më të njohur në Kosovë. Kur Departamenti i Shtetit kremtoi Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Thaçi pikturoi zyrën e tij me ngjyra të komuniteteve LGBT. Testi më i rëndë i kësaj lidhjeje erdhi këtë verë, kur SHBA kërkoi nga Thaçi që të sigurohen votat në Kuvend për krijimin e Gjykatës Speciale që do të hetojë ish-pjesëtarët e UÇK-së të përmendur në raportin e Dick Marty. Shumë vëzhgues në Prishtinë deklaronin se Thaçi po përpiqet të sabotojë gjykatën duke dështuar që t’i nxiste deputetët e tij në Kuvend të votojnë për Gjykat ën, por me gjithë deklaratat e tij se ai e konsideronte raportin e Dick Marty mbi trafikimin e organeve si një “storie shkencoro-fantastike”, ai ia doli që të bindte deputetët e tij të PDK-së që të siguronin 2/3 e votave të nevojshme.

Pak javë pas votimit në Kuvendin e Kosovës, Thaçi po zhvillonte një betejë ndaj Daçiqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku paralajmëroi disa herë se ai nuk do të lejojë askënd të barazojë “agresorin me viktimat”. Të mirëinformuarit në Prishtinë thonë se një ekip i juristëve ndërkombëtarë është kontraktuar tashmë për të paditur Serbinë për dëme të luftës në gjykata në Nju Jork dhe Londër. Vetë Thaçi theksoi se Kosova vërtetë do të padisë Serbinë për “gjenocid”, edhe pse deri më tani, në analet e luftërave në ish-Jugosllavi, gjenocidi është dëshmuar vetëm në rastin e Srebrenicës.

Cili do të jetë angazhimi i radhës për Thaçin? Pavarësisht se hoqi dor? ? nga posti i kryeministrin vitin që shkoi për të inkurajuar LDK-në që t’i bashkohet atij, popullariteti i tij nuk është zbehur. Ai me siguri se llogarit se votuesit do të ndëshkojnë profesorin e moshuar Isa Mustafa për dështimin e tij për t’i zbatuar premtimet zgjedhore në ekonomi. Marrëveshja e tij me Mustafën nënkupton që Thaçi do të bëhet president më 2016. Të shumtë janë ata në Prishtinë të cilët dyshojnë se ai do të heq dorë nga postet në PDK për t’u bërë president, siç kërkon Kushtetuta e Kosovës. Ende nuk është përjashtuar krejtësisht mundësia që të akuzohet nga Gjykata Speciale, edhe pse ai këmbëngul se nuk ka gjë për të fshehur dhe se ai ishte komandant politik i UÇK-së.

Çfarëdo që ai të ketë vendosur të bëjë apo çfarëdo që fati mund t’i sjellë atij, emri i luftës i të cilit është “gjarpri” – ai e ka dëshmuar tashmë se është i aftë që transformojë veten, dhe, me atë, shtetin që ai e udhëhoqi në dekadën e fundit.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *