Home / Lajme / Maqedoni / Teuta Arifi:169 milion denarë investim në infrastrukturën rrugore në komunën e Tetovës

Teuta Arifi:169 milion denarë investim në infrastrukturën rrugore në komunën e Tetovës

12 shtator-Të vetëdijshëm se investimi në infrastrukturën rrugore është parakusht i një zhvillimi të qëndrueshëm socio-ekonomik, komuna e Tetovës edhe në të ardhmen do të qëndrojë fuqishëm dhe do të inicojë projekte reale për permirësimin e infrastrukturës rrugore, pasi që kjo ndikon drejpërdrejt në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë, tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës

Qyteti i Tetovës 2 dekadat e fundit i është nënshtruar një procesi të pakontrolluar të ekspanzionit urbanistik, proces ky i përcjellur me një rritje enorme të popullsisë, kryesisht në zonat urbane të qytetit. Në këtë drejtim, e gjithë kjo lëvizje demografike në afat relaitivisht të shkurtër kohor, me vete ka paraqitur nevojën e një planifikimi dhe investimi dinamik në infrastrukturë dhe në rrjetin rrugor, por fatkeqësisht një gjë e tillë për asnjëherë nuk është realizuar.

Gjithashtu është investuar shumë pak ose pothuajse aspak në rrugët lokale që lidhin qytetin e Tetovës me fshatrat përreth, e veçanërisht fshatrat malore.

Ta përjetosh qytetin më shumë se sa një grumbull shtëpish dhe godinash banimi, është një vizion dhe qasje strategjike e cila prej moti i ka munguar Tetovës.

Në këtë drejtim Komuna e Tetovës, këtë vit ka paraparë projekte për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe planifikimit hapësiror, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale, ku ky lloj intervenimi institucional është më se i nevojshëm. Bëhet fjalë për projekte për rekonstruim të plotë të rrugëve egzistuese në qytet, si dhe në zonat sub-urbane dhe rurale të komunën së Tetovës.

Mjetet e nevojshme për rekonstruim të këtyre rrugëve janë siguruar nga buxheti vetanak i komunës së Tetovës si dhe nga thirrjet e hapura të Agjencionit për Përkrahje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Republikës së Maqedonisë për vitin 2015, ku komuna e Tetovës ka aplikuar me projekte të interesit publik, dhe ka arritur të fitojë financimin e tyre në vlerë prej 70 milion denarësh.

Nga buxheti vetanak i komunës së Tetovës për këtë vit është paraparë rekonstruimi i plotë i 3 rrugëve, investim i cili kap vlerën totale prej 47 milion denarëve.

Punimet kanë filluar në Rrugën Industrialle duke filluar nga rrethrotullimi me Bulevardin Iliria deri në afërsi të kompanisë Ecolog. Do të asfaltohet rruga në gjatësi prej 500 metrave, gjërësi 7,5 metra, trotoar 500 metra, anësorë të rinj si dhe do të bëhet rregullimi i hapësirës gjelbëruese në mes. Vlera e projektit në fjalë është 8.5 milion denarë.

Gjithashtu ka mbaruar procedura e prokurimit dhe punimet së shpejti do të fillojnë në Rrugën Kongresi i Manastirit, apo pjesën që fillon nga biblioteka e vjetër e qytetit deri te Shkolla e Muzikës, ku është paraparë asfaltimi i plotë dhe vendosja e kanalizimit atmosferik në gjatësi prej 300 metrave, gjërësi të rrugës prej 6 metrave, si dhe trotoar deri në 3 metra. Ky investim kap vlerën prej 10 milion denarë.

Një ndër Investimet më kapitale në infrastrukturën rrugore në qytet, është padyshim rruga 172, e cila lidh fshatrat Reçicë e Vogël dhe Reçicë e Madhe me Qytetin e Tetovës, dhe si e tillë frekuentohet nga shumë qytetarë të kësaj ane. Edhe për këtë rrugë punimet pritet të fillojnë ditët në vazhdim. Me rekonstruimin e plotë të kësaj rruge do të bëhet shtrimi me asfalt në gjatësi prej 917 metrash dhe gjërësi 6 metra, vendosja e kanalizimit atmosferik në gjatësi 825 metra, kanalizimi fekal me 917 metra gjatësi si dhe vendosja e ndriçimit publik. Vlera e përgjithshme e këtij investimi është 28.5 milion denarë.

Komuna e Tetovës ka aplikuar edhe në thirrjen publike të Agjencionit për Përkrahje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural për dorëzim të kërkesave për shfrytëzim të mjeteve nga Programi për përkrahje financiare të zhvillimit rural për vitin 2015, edhe atë në të gjitha grupet e masave të cilat ishin lëndë e kësaj thirrjeje publike.

Është aplikuar me 3 projekte, projekti Infrastrukturor për rregullimin e Rrugës së Banjës, Projekti për përpilimin e planeve urbanistike për fshatrat Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël, Poroj dhe Xhepçisht, si dhe projekti për përfundimin e pjesës së mbetur të rrugës lokale Shipkoviçë – Brodec.
Për të trija projektet është siguruar mbulesë financiare në vlerë prej 70 milion denarësh nga Agjencioni për Zhvillim Rrural si dhe 52 milion denarë kofinacim nga buxheti vetanak I komunës së Tetovës. Vlera e përgjithshme e investimit për këta 3 projekte kap shumën prej 122 milion denarësh.

Rregullimi i pjesës së mbetur të rrugës së Banjës është projekt ku komuna e Tetovës ka aplikuar në partneritet me Qendrën e Rajonit të Pollogut. Këtu është paraparë asfaltimi i rrugës së Banjës në gjatësi prej 1700 metrave dhe gjërësi 5 metra, ndërtimi i murreve mbajtëse në gjatësi prej 300 metrave, trotoar me gjërësi 1,5 metra si dhe ndërtimi i kanalizimit atmosferik dhe ndriçimit publik. Ky projekt kap vlerën e përgjithshme prej 74 milion denarësh, prej të cilave 35 milion janë mjete të siguruara nga agjencioni për zhvillim rural, kurse 39 milion, kofinancim nga buxheti vetanak i komunës së Tetovës.

Projekti i dytë po aq i rëndësishëm, është asfaltimi i pjesës së mbetur të rrugës Shipkovicë-Brodec, që paraqet vazhdimësi të kësaj rruge, pasi gjysma e saj u asfaltua nga komuna e Tetovës në vitin 2014, investim ky në vlerë prej 20 milion denarë. Pjesa e dytë ka të bëjë me shtrimin me asfalt të rrugës në gjatësi prej 1600 metra dhe gjërësi 5 metra, dhe me këtë tentojmë që të mbyllim përfundimisht problematikën e kësaj rruge, e cila është mjaft e frekuentuar nga banorët e këtyre 2 fshatrave si dhe fshatrave përreth. Vlera e përgjithshme e këtij investimi infrastrukturor është 28 milion denarë, prej të cilave 15 milion janë mjete të siguruara nga Agjencioni për Zhvillim Rural, kurse pjesa e mbetur prej 13 milion denarë janë mjete të siguruara nga buxheti i komunës.

Projekti i tretë me rradhë në vlerë prej 20 milion denarësh, mjete të siguruara nga Agjencioni për Zhvillim Rural, në të cilin nuk është paraparë kofinancim nga buxheti vetanak i komunës, ka të bëjë me përpunimin e planeve urbanistike, përpunimin e bazës së azhuruar si dhe përpunimin e revizionit për plan urbanistik për fshatrat: Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël, Poroj dhe Xhepçisht. Me këtë projekt synohet që edhe zonat e banuara jashtë qytetin të kyçen në procesin e planifikimit të mirëfilltë hapësiror, me çka do të sigurojmë zhvillim shumëdimensional afatgjatë të këtyre fshatrave.

Për të gjitha këto projekte për të cilat tani më është siguruar financim, pritet që deri para fundvitit të mbarojë procedura e prokurimit kur edhe do të bëhet përzgjadhja e kompanive që do të realizojnë aktivitetet ndërtimore dhe projektuese. Të njëjtat pritet që të realizohen me fillimin e sezonit ndërtimor, gjegjësisht në pranverën e vitit 2016.

Nga kjo që u tha më lartë rezulton që shuma e projekteve infrastrukturore për rrugë në komunën e Tetovës, prej të cilave një pjesë e tyre do të realizohen në kuartalin e dytë të vitit 2016, kap vlerën e përgjitshme prej 169 milion denarëve, dhe në këtë vlerë nuk janë të përmbledhura edhe mjetet që komuna ndan çdo vit për sanim të gropave në rrugët e qytetit, meqë të njëjtat janë punë rrejdhëse dhe nuk bëjnë pjesë në investimet kapitale për rrugë të rreja apo rekonstruim të plotë të rrugëve egzistuese.

Të vetëdijshëm se investimi në infrastrukturën rrugore është parakusht i një zhvillimi të qëndrueshëm socio-ekonomik, komuna e Tetovës edhe në të ardhmen do të qëndrojë fuqishëm dhe do të inicojë projekte reale për permirësimin e infrastrukturës rrugore, pasi që kjo ndikon drejpërdrejt në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë, tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës, në pres konferencën me gazetarë.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *