Home / Sport / De Biazi: Me vjen mire qe do te festojme ne Armeni

De Biazi: Me vjen mire qe do te festojme ne Armeni

11 Tetor – Italiani i pankinës kuqezi beson se Shqipëria do të arrijë fitoren historike që do ta çojë për herë të parë në Europian.

Xhani de Biazi flet i bindur për kualifikimin nga kryeqyteti i Armenisë, Jerevan. Pak minuta para seancës së fundit stërvitore në stadiumin ku sot do të zhvillohet takimi, italiani i pankinës kuqezi beson se Shqipëria do të arrijë fitoren historike që do ta çojë për herë të parë në Europian.

Në konferencën për shtyp përpara mediave armene, De Biazi u shfaq optimist, madje befasoi gazetarët vendës, kur deklaroi: “Më vjen mirë që do të festojmë në Armeni”.

Trajneri kuqezi konfirmoi atmosferën e mirë në skuadër, pavarësisht se vjen pas një humbjeje dramatike ndaj Serbisë.

“Do të realizojmë ëndrrën, duke gëzuar popullin shqiptar”, ka thënë ndër të tjera dje De Biazi.

Mister, cila është atmosfera në skuadër në prag të ndeshjes me Armeninë?

Pavarësisht disfatës në sekondat e fundit me Serbinë, mund të them se në skuadër ekziston një atmosferë e mirë dhe të gjithë besojmë se do t’ia dalim në Armeni. Ekipi është i karikuar për të realizuar ëndrrën tonë. Jemi përgatitur “për të luftuar” ndaj Armenisë.

Vetëm fitorja ju kualifikon, ndihet në ekip presioni i rezultatit?

Për fat të keq në ndeshjen e fundit ndaj Serbisë ne humbëm shansin që të vinim në Armeni të kualifikuar. Shpresojmë që ëndrrën tonë ta arrijmë këtu dhe me shumë mundësi do ta bëjmë realitet nesër (sot) për të gëzuar gjithë shqiptarët. Më vjen mirë që do të festojmë në Armeni.

Kaq i bindur jeni?

Nuk ka asgjë të sigurt në futboll, gjithçka do ta tregojë loja. Ne jemi të sigurt vetëm për aftësitë tona. Besojmë se mund shkojmë në Europian dhe nesër (sot) është një shans i artë që duam ta shfrytëzojmë. Ne jemi një vend i vogël dhe me Armeninë nuk kemi të përbashkët vetëm këtë fakt. Edhe Shqipëria, ashtu si ju, ka shumë emigrantë në mbarë botën. Do të ishte bukur të festonim në vendin tuaj, për të treguar që edhe një vend i vogël si ne mund t’ia dalë.

Çfarë përshtypjeje keni për një kundërshtar si Armenia, që keni arritur ta mundni me shumë vështirësi në ndeshjen e parë në Tiranë?

Armenia ka një skuadër të mirë dhe këtë e tregoi edhe në “Elbasan Arena”. Më kanë impresionuar dhe e komplimentova pas ndeshjes trajnerin Shalande, që tani nuk është më në krye të Armenisë. Kjo skuadër ka një lojtar të shkëlqyer si Henrikh Mkhitarjan, prandaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi na pret një lojë e vështirë. Mbi të gjitha, armenët mendoj se bëjnë një futboll të bukur.

E mendonit në startin e edicionit që në një grup kaq të fortë do të kishit shanse të kualifikoheshit direkt në Europian?

Nëse ditën e shortit do t’i kisha thënë popullit shqiptar që kur të mbetej një ndeshje nga fundi dhe me një fitore do të mund të kualifikoheshim në Europian, atëherë do të më merrnin për budalla. Mirëpo, realiteti është që ne kemi gjithçka në dorë ndaj Armenisë për të prerë një biletë në Europian. Kemi bërë një edicion të mirë dhe mendoj se meritojmë të shkojmë për herë të parë në këtë kompeticion.

Dy humbjet e fundit me Portugalinë dhe Serbinë sa kanë ndikuar në ekuilibrat e skuadrës?

Natyrisht që na ka vendosur në një situatë shumë të vështirë, sepse ne kemi humbur pikë në sekondat e fundit dhe tashmë na duhet të luajmë një finale në Armeni. Gjithsesi, këtë enigmë do ta zgjidhim, duke reaguar në një ndeshje që vlen sa gjithë edicioni për ne. Nuk është e rëndësishme ajo që ka kaluar tashmë, sepse kemi në dorë një mrekulli dhe ajo që duhet të bëjmë është të përfitojnë nga kjo mundësi.

Ju zakonisht gjatë edicionit keni luajtur me vetëm një sulmues të mirëfilltë, po sot çfarë taktike do të ndiqni ndaj Armenisë?

Tani nuk mund të them nëse do të luajmë me një sulmues apo me dy. Për mua i rëndësishëm është rezultati që do të marrim.
– See more at: http://www.panorama-sport.com/2015/10/de-biazi-festojme-kualifikimin-ne-armeni/#sthash.2wezR3sj.dpuf

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *