Home / Lajme / Maqedoni / Ermira Mehmeti braktis BDI-në?

Ermira Mehmeti braktis BDI-në?

14 tetor-Largimin e saj nga BDI-ja, deputetja Ermira Mehmeti pritet ta zyrtarizojë gjatë javës. Deri në fund të mandatit, ajo pritet të veprojë si deputete e pavarur dhe nuk ka paralajmërime se do t’i bashkëngjitet ndonjë partie të re.

Grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni, do të vazhdojë të dobësohet.

Pas largimit të deputetit Zylfi Adili, Top Channel mëson se BDI-në do ta braktisë edhe deputetja më e spikatur e këtij subjekti politik, Ermira Mehmeti. Zonja Mehmeti, e cila për 3 mandate ka mbrojtur fuqishëm në Kuvend qëndrimet e partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, kohëve të fundit ka qenë shumë kritike ndaj politikave të BDI-së, pjesë e së cilës është që nga themelimi.

Ajo ka kritikuar posaçërisht mbështetjen, që partia e Ali Ahmetit i ka dhënë qeverisë së kryeministrit Nikola Gruevski, edhe pas ngjarjeve të Kumanovës. Një ditë më parë, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ajo ka kërkuar reforma brenda BDI-së, duke kritikuar ministra të kësaj partie në qeverinë e Gruevskit.

“Asnjë funksion politik nuk është i përjetshëm, më së paku funksioni i ministrit! #REFORMA tani!”, shkruante ajo në rrjetin social.

Largimin e saj nga BDI-ja, deputetja Ermira Mehmeti pritet ta zyrtarizojë gjatë javës. Deri në fund të mandatit, ajo pritet të veprojë si deputete e pavarur dhe nuk ka paralajmërime se do t’i bashkëngjitet ndonjë partie të re.

Dy javë më parë, nga BDI-ja u largua zyrtarisht deputeti Zylfi Adili dhe njëri nga themeluesit e kësaj partie, Gëzim Ostreni, të cilët promovuan nismën për formimin e partisë së re “Uniteti”.

Edhe pas largimit të Mehmetit, BDI mbetet partia më e madhe shqiptare në Kuvend, me 18 deputetë. Megjithatë, dorëheqja e deputetes Mehmeti do të ketë efekt mjaft negativ për partinë e Ali Ahmetit, sepse vjen në një periudhë, kur janë paraqitur informacione se brenda kësaj partie ekzistojnë përçarje të thella./TCH/

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *