Home / Lajme / Maqedoni / Konferencë kushtuar dhunës dhe religjionit (VIDEO)

Konferencë kushtuar dhunës dhe religjionit (VIDEO)

Tetovë, 16 Tetor – Është mbajtur Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Religjioni dhe Dhuna”, që u organizua nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, në bashkëpunim me dy universitetet prestigjoze austriake.

Në këtë konferencë Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi, tha se shqiptarët janë popull me fat, dhe ndoshta nga të vetmit shembuj pozitiv në botë, që kanë arritur të bashkëjetojnë në një harmoni të paparë me më shumë fe.

“Religjionet në esencë e përjashtojnë dhunën dhe keqbërjen, por është fakt, ato shpeshherë bëhen shkak për kriza dhe gjakderdhje të mëdha. Fatkeqësisht, historikisht, edhe tani, religjionet janë kepërdorur nga njerëz të caktuar dhe sisteme të caktuara, për të realizuar edhe kauza politike, përmes mjeteve të dhunshme. Fatkeqësisht, edhe sot bota po vazhdon të tmerrohet nga luftërat e përgjakshme në vendet e lindjes, ku inkriminohen religjionet monoteiste dhe ndasitë e tyre sektare. Shqiptarët janë popull me fat, dhe ndoshta nga të vetmit shembuj pozitiv në botë, që kanë arritur të bashkëjetojnë në një harmoni të paparë me më shumë fe. Kjo madje ishte karakteristikë, edhe në periudhat kur fetë përcaktonin gjithçka në zhvillimin e identiteteve njerëzore”, deklaroi Ministri Ademi, transmeton Televizioni Koha.

Sipas tij, në Maqedoni vite me radhë funksionojnë edhe institucionet fetare. Shqiptarët dhe pjesëtarët tjerë të besimit islam, aktivitetet e tyre arsimore-fetare i kanë të lidhura ngushtë me institucionet e Bashkësisë Islame, konkretisht Medresenë dhe Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

“Ky fakultet, pas shumë viteve të funksionimit, së fundi u akreditua nga MASH, me çka studentëve u jepen mundësitë e barabarta të njohjes së dijeve dhe diplomave të tyre. Për më tepër, ministria jonë prej sivjet akordoi një shumë prej 65 mijë euro, ndërsa nga viti i ardhshëm do të financohet me 100 mijë euro, me çka shpresojmë se do të ndikojmë në rritjen e cilësisë së këtyre studimeve dhe njohjen e tyre ndërkombëtare.Përmes kësaj ndihme të drejtpëdrejtë ndaj Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, studentët tanë më nuk do të kenë nevojë të shkojnë e të studiojnë nëpër vendet e ndryshme të lindjes, ku përpos sigurisë së luhatshme, shpeshherë bëhen bëhen pre edhe e propagandave të ndryshme dhe importues të kulturave që nuk përputhen më kulturën tonë dhe nuk janë të përshtatshme për këtë hapësirë”, nënvizoi Ministri Ademi, transmeton Televizioni Koha.

Në ndërkohë, rektori Vullnet Ameti, tha se religjioni dhe kulturat, edhe pse të ndryshme, përcjellin mesazhin e paqes, mirëkuptimit dhe të zhvillimit, pasi vetë misioni i tyre është jo vetëm hyjnor, por edhe kombëtar.

”Këtë që e theksova më lartë, në rastin më të mirë, madje do të thoja unikat, e gjejmë te populli shqiptar, ku mirëkuptimi ndërfetar është një vlerë e jashtëzakonshme për mirëkuptimin midis kulturave e qytetërimeve në shekullin e ndryshimeve të mëdha. Procesi i globalizimit në kohën që jetojmë është një thirrje për bashkëpunim mes kombeve, që me idetë, mendimin e lirë dhe dijen e njerëzve të japin kontributin e tyre për një drejtim dhe zhvillim sa më të qëndrueshëm shoqëror. Me këtë rast, ne besojmë se kjo konferencë që ka tubuar akademikë, mësimdhënës, punonjës shkencorë dhe përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare, përmes mendimeve të vyera do të kontribuojë për një vizion të ri për mbarë shoqërinë”, tha rektori Ameti, transmeton Televizioni Koha.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Universitetit të Vjenës dhe Insbrukut. /Tv Koha/

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *