Home / Sport / Magjike: Shqiperia per here te pare ne Europian

Magjike: Shqiperia per here te pare ne Europian

12 Tetor – Magjike! Shqipëria kualifikohet për herë të parë në Europian. Dje kuqezinjtë e Xhani De Biazit vulosën gjithçka në Armeni dhe tashmë janë zyrtarisht në “Francë 2016″

ARMENI SHQIPËRI 0-3
GOLAT: K.Hovhanisjan 9′ (autogol), Gjimshiti 23′, Sadiku 76′
ARMENIA: Kasparov, Andonian, Harojan, Arzumanjan, K.Hovhanisjan, Mkrtçjan, Pizelli, Gazarjan (Pogosjan 83′), Jusbashjan (Ozbiliz 46′), Mkhitarjan, Movsisian (Sarkisov 59′). (në dispozicion: Beglarjan, Manukjan, T.Voskanjan, Hambartsumjan, Hajrapetjan, A.Grigorjan, Simonjan, Manojan, Aslanyan). Trajner: Sargis Hovsepjan
SHQIPËRIA: Berisha, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Aliji, Xhaka, Basha (Abrashi 87′), Memushaj (Kukeli 73′), Roshi, Gashi, Cikalleshi (Sadiku 58′). (në dispozicion: Shehi, Hoxha, Rrahmani, Ajeti, Lenjani, Shala, Kaçe, Salihi, Balaj). Trajner: Xhani De Biazi
KARTONË TË VERDHË: Arzumanjan 17′, Jusbashjan 27′, Andonian 83′ / Aliji 52′, Gjimshiti 64′, Basha 81′
GJYQTARET Simon Marçiniak (kryesor), P.Sokolniçki e Tomasz Listkievicz (anësorë), P.Raczkovski dhe T.Musial (pas portave)

Magjike! Shqipëria kualifikohet për herë të parë në Europian. Dje kuqezinjtë e Xhani De Biazit vulosën gjithçka në Armeni dhe tashmë janë zyrtarisht në “Francë 2016″, duke bërë krenar një komb të tërë. 11 tetori i vitit 2015 do të mbahet mend si mbrëmja që ndërroi epokat për Kombëtaren kuqezi. Të gjithë shqiptarët anembanë botës janë në festë dhe tani presin me pa durim 10 qershorin e vitit tjetër, kur dhe nisin zyrtarisht finalet e kampionatit europian në Paris. Humbja me Serbinë u “fshi” në tri ditë dhe të besuarit e De Biazit arritën një prej fitoreve më të thella në transfertë, duke kurorëzuar më në fund ëndrrën e të gjithëve në Armeni. Tashmë një gjë është e sigurt: Serbia do t’i shikojë kuqezinjtë nga TV në Europianin e Francës, por edhe Danimarka, e cila shpresonte më kot te nderi që mund t’i bënin armenët. Festa e shfrenuar e lojtarëve kuqezi dhe, për më tepër, lotët e gëzimit pas fitores së mbrëmshme, i emocionoi të gjithë shqiptarët, në një ndeshje ku vetëm tri pikët na duheshin për të prerë biletën. E, megjithatë, shkojmë në Europian për herë të parë, duke e mbyllur këtë superedicion me 14 pikë, një rekord më vete i përfaqësueses.

Si erdhi suksesi

Por, si arriti Shqipëria deri këtu. Arkitekti i suksesit është Xhani De Biazi, italiani që mori drejtimin e kuqezinjve më 14 dhjetor të vitit 2011. Trajnerit iu la dorë e lirë nga FSHF-ja dhe bëri një revolucion të paparë në përfaqësuese në një periudhë të shkurtër. Zbuloi disa lojtarë, të cilët në të kaluarën nuk ishin fare në planet e Shqipërisë, por pati meritën e madhe edhe sepse bindi të tjerë, që e kishin refuzuar më parë Kombëtaren. Në dy vitet e parë të punës, rezultatet nuk ishin të duhurat, por De Biazi meritoi rinovimin e kontratës. Kësisoj, pas katër vitesh punë, në edicionin që u vulos dje në Armeni, u morën frytet dhe Shqipëria u kualifikua për herë të parë në një eveniment si kampionati europian. Nga portieri Berisha te mbrojtësi Mavraj, e deri te Kaçe, Basha, Meha, Rama, Gashi, Balaj, Cikalleshi, Sadiku e shumë të tjerë u bënë në pak kohë pjesë e padiskutueshme e JORGIS MEMO Kombëtares, falë besimit që De Biazi u dha. Një sukses i jashtëzakonshëm dhe, pas shumë vitesh, mund të themi se kemi një Kombëtare të denjë, e cila lufton si e barabartë me çdo skuadër dhe tashmë do të respektohet edhe më shumë nga çdo kundërshtar.

“Vula” në Armeni

10 milionë shqiptarë anembanë botës ishin të përqendruar dje në TV për të ndjekur ndeshjen që vuloste kualifikimin kuqezi. Shqipëria nuk i zhgënjeu dhe fitoi pastër 3-0 në Armeni. Një ndeshje perfekte e kuqezinjve, që mund të përfundonte edhe me rezultat më të thellë. Odise Roshi ka qenë i jashtëzakonshëm me inkursionet e tij në krahun e djathtë, e po ashtu Shkëlzen Gashi nga e majta. Rast i parë i rrezikshëm ishte për armenët, teksa Cana preku topin me dorë në afërsi të zonës dhe gjyqtari akordoi goditje dënimi. Sulmuesi Movsisian goditi direkt në portë, por Berisha evitoi një gol të sigurt. Nuk kaluan dy minuta dhe, pas një kundërsulmi, kuqezinjtë shënojnë. Roshi depërton në qendër dhe më pas jep një pasim për Bashën, i cili brenda zonës gjuan me të djathtën, por portieri Kasparov grushton, e më pas Gashi me portën e boshatisur, e godet lehtë, ndërsa topi i ndihmuar nga devijimi i mbrojtësit armen, Hovhanisjan, shkon në rrjetë. Kuqezinjtë janë në superformë dhe, pasi i afrohen fillimisht golit të dytë me Cikalleshin, në minutën e 23-të e bëjnë realitet, këtë herë me Gjimshtin. Memushaj krosoi në zonë dhe mbrojtësi Gjimshiti e devijoji me thembër topin, duke e çuar direkt në rrjetë. Me 2-0 kuqezinjtë janë të qetë dhe kontrollojnë gjithçka. Edhe pjesa e dytë është fotokopje e së parës, teksa Basha dhe Gashi humbasin raste të pastra, për të ardhur në minutën e 76-të, kur pas një kundërsulmi spektakolar, vjen goli i tretë. Pas krosimit të Roshit, është Sadiku që mes dy mbrojtësve armen, gjuan dhe shënon golin që u siguron kualifikimin kuqezinjve. Më pas, nuk ka më histori dhe lojtarët festojnë si të çmendur në fushë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *