Home / Lajme / Maqedoni / Në USHT i filloi punimet Seminari IX Ndërkombëtar i Albanologjisë (VIDEO)

Në USHT i filloi punimet Seminari IX Ndërkombëtar i Albanologjisë (VIDEO)

Tetovë, 02 Tetor – Universiteti Shtetëror i Tetovës hapi siparin e punimeve të Seminarit IX Ndërkombëtar të Albanologjisë. Ky seminar ka tubuar në USHT qindra studiues eminentë nga vendi dhe rajoni.

Seminarin e shpalli të hapur Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti. Ai me këtë rast theksoi se Seminari i Albanologjisë, si njëri ndër aktivitetet më kryesore, gjithmonë do të gëzojë përkrahjen tonë, dhe në këtë mënyrë mund të japim kontribut të përbashkët për ruajtjen e vlerave tona kombëtare.

“Ky Seminar, ndër vite ka trajtuar kontributin e albanologëve të huaj në studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, marrëdhëniet e gjuhës shqipe e të letërsisë me gjuhët e tjera, marrëdhëniet kulturore shqiptare me kulturat e tjera evropiane dhe perëndimore, historinë tonë kombëtare dhe raportet ndërfqinjësore, për të mos harruar edhe vlerat e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë. Ndër vlerat e veçanta të këtij takimi shkencor, mund të theksojmë edhe shkëmbimin e përvojave mes studiuesve pjesëmarrës, të cilët përmes komunikimit, debatit të drejtpërdrejtë mund t’i evidentojnë përparësitë dhe mangësitë e mundshme, me qëllimin pozitiv që shkencat e albanologjisë të avancojnë paralelisht me shumë lëmi të tjera”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, transmeton Televizioni Koha.

Në hapjen e seminarit mori pjesë edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ai vlerësoi se ky seminar falë udhëheqësisë dhe stafit akademik, ka ndërtuar një traditë solide dhe është një institucion i qëndrueshëm, por sipas tij për të vazhduar të mbetet i tillë, duhet investuar shumë.

“Seminari i Albanologjisë, megjithatë e ka arritur qëndrueshmërinë e vet, tanimë duhet të sigurojnë edhe infrastrukturën e domosdoshme që shkencat albanologjike të mund të funksionojnë krahas shkencave globale, në mënyrë që rezultatet shkencore të albanologjisë të mund të konsumohen nga shkenca globale. Në këtë aspekt, padyshim se institucioni juaj do ta ketë mbështetjen e pa rezervë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë”, theksoi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, njofton Televizioni Koha.

Pjesëmarrësit në seminar i përshëndeti edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë, Behixhudin Shehapi, i cili tha se ky seminar është një eveniment tepër i rëndësishëm dhe mjaftë vizionar i USHT-së.

“Dua t’i përshëndes të gjithë studiuesit pjesëmarrës në këtë seminar dhe poashtu dëshiroj që t’i uroj sukses seminarit gjatë këtyre dy ditëve që do t’i zhvillojë punimet në Tetovë. Ne si Ministri e Kulturës edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ta mbështesim Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë, por ne gjithashtu do të vazhdojmë ta mbështesim edhe punën dhe kreativitetin e çdo studiuesi shqiptar”, deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, raporton Televizioni Koha.

Drejtori i Seminarit të Albanologjisë, Doc. dr. Salajdin Saliu tha se nëpërmjet organizimit të Seminarit tregojmë respekt të veçantë ndaj kulturës sonë. Sipas tij, kur një komb e humb respektin e domosdoshëm ndaj gjuhës, letërsisë e historisë së vet, i ngjan krijesës mitike, Katoblepas – që e ha vetveten në mënyrë të padukshme.

“Nisur nga kjo bindje, sot Universiteti ynë është ndër institucionet më të hapur në botën shqiptare për promovimin e proceseve, tendencave dhe kontributeve shkencore, kulturore e artistike të sistemit tonë kulturor. E ndjejmë domosdoshmëri krijimin e urave të komunikimit brendashqiptar. Ne shqiptarët e Maqedonisë kemi më së shumti nevojë për këtë komunikim, veçanërisht në këtë kohë fragmentarizimesh të pakuptueshme dhe formësimesh të vetëdijes sonë sipas prirjeve provinciale”, u shpreh drejtori i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, Salajdin Salihu, transmeton Televizioni Koha.

Seminari i Albanologjisë këtë vit do t’i zhvillojë punimet në katër sesione shkencore, edhe atë, të historisë, etnokulturës, letërsisë dhe gjuhësisë. Po ashtu, sot u bë edhe promovimi i revistës “Albanologjia”, në të cilën janë përfshirë të gjitha kumtesat e prezantuara në Seminarin VIII Ndërkombëtar të Albanologjisë. /Tv Koha/

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *