Home / Lajme / Maqedoni / Promovohet vepra ,,Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë”

Promovohet vepra ,,Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë”

13 tetor-Në emër të familjes Halili dhe Loku të pranishmit i përshëndetën me fjalë rasti i biri i Rafi Halilit dhe i biri i Gafur Lokut. Promovimi i veprës “Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë” u bë me rastin e 65 vjetorit të ditëlindjes së Rafi Halilit.

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u promovua vepra ,,Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë”, e botuar nga Instituti i Historisë ,,Ali Hadri”, Prishtinë.
Në promovimin e këtij libri morën pjesë personalitete të institucioneve të larta arsimore dhe të instituteve të ndryshme studimore.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti theksoi se vepra ,,Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë”, është botim i rrallë për vlerat historike që sjell për lexuesin. “Është në nderin tim dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës që sot t’Ju drejtohem me fjalë rasti, në promovimin e librit ,,Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë, vepër kjo e cila vjen para lexuesit për të na njohur me veprimtarinë kombëtare të heroit tonë të gjallë, Rafi Halilit dhe të veprimtarëve të devotshëm të Organizatës Kushtrimi i Lirisë. Nëse sot, jeta sociale, politike dhe kulturore kërkon disa modele për t’u ndjekur, janë pikërisht veprimtarët e kauzës sonë kombëtare, të profilit të Rafi Halilit, që meritojnë vëmendjen tonë të përhershme, të cilët me burrërinë, veprën, kontributin dhe sakrificën e tyre e flakën njëherë e përgjithmonë robërinë e huaj, për të vendosur themelet e historisë sonë më të re”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.
Sipas Rektorit të USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, kontributi i anëtarëve të Organizatës Kushtrimi i Lirisë është i jashtëzakonshëm, pasi ata ishin ndër veprimtarët dhe strategët kryesorë në periudhën e kthesave të mëdha për liri dhe avancim të çështjes sonë kombëtare. “Këta burra, të udhëhequr nga simboli i rezistencës shqiptare, Rafi Halili, që në rini të hershme u angazhuan fuqishëm për të drejtat tona, si në arsim, kulturë dhe lëmi të tjera. Me këtë rast, me lejoni të theksoj se vepra që e promovojmë sot është botim i rrallë për vlerat historike që sjell për lexuesin. Në këtë libër, i mbështetur në fakte dhe argumente, Instituti i Historisë ,,Ali Hadri” nga Prishtina dhe konsultuesit e tij e kanë përjetësuar veprimtarinë kombëtare të Rafi Halilit dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke e ngritur në piedestalin e merituar të atdhedashurisë dhe të rezistencës për lirinë e popullit shqiptar”, theksoi mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Recensuesja e Librit, Sabile Keçmezi – Basha tha se, hulumtimi, grumbullimi dhe sistemimi i këtyre dokumenteve nga ana e shokëve të Rafi Halilit, ka për qëllim që të nderon atdhetarët dhe njëkohësisht me këtë libër nderohet edhe sakrifica e tyre si një virtyt i lartë njerëzor, që jo rrallë hasej tek shqiptarët në ditët e vështira të robërisë. “Rafi Halili në bazë të zhvillimit të veprimtarisë së tij ilegale, mendoj se gjatë tërë jetës së vet qëndroi dhe eci i papërkulur dhe për asnjë moment nuk u nënshtrua. Shpirti i tij prej një shqiptari dhe prej një atdhetari të devotshëm mbeti një shpirt që gjakonte lirinë. Edhe tani kur e kemi në dorë këtë libër, lufta e tij na vjen si një ushtimë që na fton për mirëkuptim dhe realizim të ëndrrave të të gjithë atyre që ranë dhe kohën më të mirë e kaluan prapa grilave dhe, qëllim suprem e patën Shqipërinë Etnike”, tha Recensuesja e librit, Sabile Keçmezi – Basha.
Zëvendës drejtori i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë, Qerim Lita tha se në mesin e veprimtarëve që u dalluan në atë kohë padyshim se ishin dy nxënësit e gjimnazit të Tetovës, Rafi Halili dhe Gafur Loku. Vepra ,,Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë” përfshin mbi 200 dokumente sekrete, të hartuar nga ish shërbimet sekrete policore e ushtarake jugosllave, në harkun kohor 1972 – 1982. Përzgjedhja e dokumenteve të sistemuar në këtë përmbledhje është bërë nga dosja shumë e bujshme policore, kundër veprimtarisë së Organizatës ilegale shqiptare Kushtrimi i Lirisë dhe udhëheqësit të saj, atdhetarit të pathyeshëm Rafi Halili, si dhe të bashkëveprimtarëve të tij: Gafur Loku, Elmaz Ademi, Rushit Nesimi etj…”, deklaroi Qerim Lita, zëvendësdrejtor i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë.
Për veprën në fjalë folën edhe redaktori i librit, Rami Kamberi, Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani. Në emër të familjes Halili dhe Loku të pranishmit i përshëndetën me fjalë rasti i biri i Rafi Halilit dhe i biri i Gafur Lokut. Promovimi i veprës “Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë” u bë me rastin e 65 vjetorit të ditëlindjes së Rafi Halilit.

Gjithashtu lexo

BESA me Çupin dhe LR-PDSH me Agollin do të garojnë në Dibër

Partitë politike bashkë me degët komunale po i bëjnë përgatitjet e fundit para zgjedhjeve lokale, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *