Home / Lajme / Maqedoni / USHT ndau 90 bursa për studentët e dalluar (VIDEO)

USHT ndau 90 bursa për studentët e dalluar (VIDEO)

Tetovë, 21 Tetor – Studentët të cilëve iu ndanë bursa e falënderuan udhëheqësinë e USHT-së, si dhe rektorin Prof. dr. Vullnet Ameti për vlerësimin dhe mbështetjen që u japin atyre. Sipas studentëve, këto bursa do të jenë motiv shtesë që në të ardhmen ato edhe më shumë t’u përkushtohen studimeve.

niversiteti Shtetëror i Tetovës sot, përmes një ceremonie solemne ndau nëntëdhjetë bursa për studentët të cilët gjatë studimeve kanë treguar rezultate të shkëlqyera. Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin familjarët dhe profesorët e studentëve, me fjalë rasti u drejtua Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti. ,,Ndjehem shumë i nderuar që në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, profesorëve dhe studentëve, të Ju drejtohem me fjalë rasti në këtë ditë të rëndësishme dhe shumë të veçantë në kalendarin e aktiviteteve që bashkërisht i zhvillojmë në Universitetin tonë. Jemi sot këtu, së bashku me elitën e studentëve, me ekselentët e fakulteteve të Universitetit tonë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre për arsimim dhe dije, e shënojnë një nga momentet më të bukura dhe të suksesshme në historinë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Me këtë rast, u shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë Ju studentëve të nderuar, që në bazë të punës dhe të aftësisë suaj, me meritë keni arritur të dalloheni nga shokët e shoqet tuaja, dhe në këtë mënyrë e keni nderuar dhe Universitetin tonë, për t’u bërë njëherit model për t’u ndjekur nga bashkëmoshatarët tuaj. Falënderimi u takon edhe profesorëve tuaj, të cilët me angazhimin, përvojën dhe pasionin e tyre janë bërë pjesë e pandashme e karrierës dhe suksesit tuaj. Por, mbi të gjitha respekt dhe mirënjohje të veçantë për prindërit dhe familjet tuaja, që ju kanë mbështetur në këtë histori suksesi, sepse pa përkrahjen e tyre një arritje e tillë do të ishte e pamundur”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti theksoi se sot bursa u jepen 75 studentëve të ciklit të parë të studimeve, si dhe 15 studentëve të studimeve të ciklit të dytë. “Në këtë takim, në përputhje me vendimet e Senatit të USHT-së, ne do të ndajmë 75 bursa studentore për studentët e Ciklit të parë dhe 15 bursa për studentët e Ciklit të dytë, për vitin akademik 2015/2016, për studentë të cilët i kanë plotësuar kriteret e kërkuara. Pra, sot ne do të ndajmë bursa për këto kategori të studentëve, edhe atë: Për studentët e Ciklit të parë që kanë arritur mesataren e suksesit 9.5, dhe studentët që i kanë kryer studimet themelore me mesatare 9.8, Universiteti ynë ju mundëson studime falas në Ciklin e dytë. Së shpejti do ta publikojmë edhe Vendimin për lirim nga pagesa për studentët që pësuan nga vërshimet në rajonin e Tetovës, studentët e Lagjes së Trimave në Kumanovë, ushtarët e UÇK-së, fëmijët e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Me lejoni të ritheksoj se ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë me iniciativa dhe këto ritme, që në të ardhmen Universiteti ynë të merret për model funksionimi në krijimin e kushteve akademike, angazhimin e kuadrit mësimdhënës sa më cilësor, sofistikimin e procesit mësimor-shkencor dhe krijimin e lehtësimeve për standardin e studentëve”, shtoi mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Studentët të cilëve iu ndanë bursa e falënderuan udhëheqësinë e USHT-së, si dhe rektorin Prof. dr. Vullnet Ameti për vlerësimin dhe mbështetjen që u japin atyre. Sipas studentëve, këto bursa do të jenë motiv shtesë që në të ardhmen ato edhe më shumë t’u përkushtohen studimeve.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *